Kulturë
Kristaq Turtulli: Mërgimi kjo plagë e vjetër dhe e trishtë!
E enjte, 10.07.2025, 06:55 PM
Mërgimi kjo plagë e vjetër dhe e trishtë!
(fragment
romani DHIMBJA E IKONËS)
Nga
Kristaq Turtulli
Ekzistonte
një tmerr i shenjtë për gjithçka të panjohur dhe fatale. Është e lehtë të
admirosh mediokritetin, injorancën dhe të ëndërrosh kodrat e së nesërmes të
mbuluara nga gjelbërimi e mbi to endet një re delikate pupëlore. Gjithçka
mendohej dhe dëshirohej se e nesërmja mund ish madhështore, me rahje gjoksit
dhe dy gishta përpjetë, mbase dhe skandaloze, si një çmendinë foshnjore. Një
enigmë ashtu si një univers i magjishëm, por pa kuptuar mund të degdisesh në
gropat e errëta të pafundësisë. Një ansambël ndehur rrëmujshëm në kometën e
përflakur, ngjan si një kryevepër e çmendur, por nëse afrohesh, shohësh nga
afër llahtarisesh prej së tmerrshmes lemeri.
Në
qiellin e vrenjtur fluturonin rrëmujshëm tufa të mëdha zogjsh, duke krrokëritur
drejt perëndimit të mjegullt që ngjante sikur lëpihej nga dallgët e rebeluar të
detit. Prej dritës së mpakur diellore, për shkak të sklepave në sy, shpendët
herë ngjasin si korba dhe herë si çafka zë çjerra.
Deti
s'kish parë kurrë një tumë të tillë, dyndej e çakërdisur, në angështi drejt
tij, ndaj i trazuar kollitej, dallgëzonte, gromësinte si plak dhe flakte drejt
bregut të ndryshkur gëlbaza dallgë mëdha shkumëzuar.
Qyteti
bregdetar ngjante i gërmuqur, mbështetur në paterica të ndryshkura, mbështjellë
me kapotën e zgjyrosur të frikës, pështjellimit dhe llahtarës. Turma e madhe,
laramane, gjuhë tharë, shtyhej e shkapërdarë drejt bregdetit të irnosur duke
çarë mjegullën e dendur me ankthin e së panjohurës, anomalisë dhe pasigurisë.
Ajri i rënduar ish ndehur mbi turmën e çakërdisur. Ngado ndjehej amullia e
tmerrshme, ankthi, angështia, provokimi dhe çmenduria.Qyteti bregdetar ngjante
i gërmuqur, mbështetur në paterica të ndryshkura,
Qyteti
bregdetar ngjante i gërmuqur, mbështetur në paterica të ndryshkura, mbështjellë
me kapotën e zgjyrosur të frikës, pështjellimit dhe llahtarës. Turma e madhe,
laramane, gjuhë tharë, shtyhej e shkapërdarë drejt bregdetit të irnosur duke
çarë mjegullën e dendur me ankthin e së panjohurës, anomalisë dhe pasigurisë.
Ajri i rënduar ish ndehur mbi turmën e çakërdisur. Ngado ndjehej amullia e
tmerrshme, ankthi, angështia, provokimi dhe çmenduria.
Fatbardh
Ananezi udhëtoi gjithë natën me makinat e qymyrit të mbërrinte sa më parë në
qytetin bregdetar. Lajmi i hapjes së dyerve të portit, ikjes, e la pa mend dhe
e shkundi të gjithin. Ai kish ëndërruar këtë ditë, edhe pse i lodhur i pagjumë
u sul si shigjete drejt bregut, i cili nxinte nga mizëria e njerëzve, në pritje
të ikjes nga toka mëmë nga sytë këmbët. Fatbardhi u dredhoi gardhit të
policëve, të cilët nuk vendosnin se çfarë të bënin, në pritje të urdhrit të
veprimit. Oficerët e policisë tymosin duhan, godisnin me majat e çizmeve
bordurën e betontë dhe grindeshin me njëri tjetrin. Për dreq urdhri nga lart
vononte të zbriste në bazën e çakërdisur.
Fatbardhi
si gjithë ikanakët vraponte me kuturisje të çmendur drejt vaporit të ankoruar
në port që mbushej me njerëz të cilët kërkonin të largoheshin prej atdheut nga
sytë këmbët. Ai është shumë preokupuar të hipë në vapor. Një tjetër vapor i ngarkuar
me ikanakë largohet, bëhet pikë e vogël dhe më pas tretet në horizontit e
detit. Fatbardhi vrapon të mbërrijë në vaporin tjetër. Turma e njerëzve
kacavirren në litarët e vaporit, dikush bie duke klithur në ujë. Ngado dëgjohen
të bërtitura të lodhura, klithma gëzimi nga ata ikanakë që kishin mundur të
hipnin në vapor.
Anija
mbushur plot e përplot me ikanakë të pataksur ndezi motorët të vijonte
udhëtimin e pazakontë sa ekzistonte, drejt brigjeve italiane. Në bordin e saj
mbante plot 20 mijë ikanakë kapicë mbi njëri-tjetrin, me zorrët që u gërryenin
nga uria, po shijonin ëndrrën trembur dhe pasigurte të rendjes drejt
perëndimit.
Befas
vapori tundet dhe shkundet i ngarkuar me refugjatë, fërshëllen me nervozizëm
dhe fillon ngadalë lundrimin. Fatbardhi psherëtiu dhe vështroi njerëzit përqark
tij në kabinë dhe më pas hodhi vështrimin në peron të portit; atje qëndronin të
gozhduar, të trishtuar, të përlotur burra, gra, fëmijë.
Fatbardhi
i menduar mbështeti ballin në dritaren e vogël, të pistë të vaporit. Shikimin e
treti tutje, vapori çante me shpejtësi ujin e errët. Bregu i mëmëdheut sa vinte
dhe humbiste derisa tretet, vetëm ujë të
trazuar të rëndë, të errët dhe dallgë që ngrihen dhe det.
Anija
çante me shpejtësi ujin e dendur të detit. Bregu i atdheut ikën nga sytë e
Fatbardhit. Ai bregu i dashur i atdheut ku lindi, dhe u rrit. Ku janë varret e
të parëve. Bregu vinte e shkonte, valëzohej, vijëzohej, derisa u tret në
mjegullën e dendur.
Vetëm
re të rënda dhe dallgë. Qielli i pafund i mbushur me re të dendura. Në ironi
ndaj ikanakëve deti i errët dhe dallgët e mëdha filluan të ngrihen si male të
mbushur me egërsira, që ulërinin të tërbuara. Anija tundej andej-këtej,
ikanakët e pa stërvitur me udhëtime në det të hapur klithnin me lebeti.
Fatbardhi
volli dy herë dhe ndërkohë mendoi një moment:
'Të
gjitha qeniet njerëzore janë të mërguar. Jemi lindur dhe nuk dimë përse. Do
vdesim përsëri nuk e dimë përse. Secili është shtegtar ngaqë asnjë nga ne nuk e di misionin e tij
mbi këtë tokë.'
Atë
moment dikush pëshpëriti pranë Fatbardhit zë lodhur:
'Ne
lamë pas një atdhe që u sjell bijve të vet vetëm vuajtje mundime, tortura,
vdekjeje, nuk është atdheu i zemrës, ndaj duhet të braktiset me lot në sy...'
Fatbardhi
i nervozuar u kthye nga njeriu që foli, kujtoi se tjetri i bleu mendimet dhe u
mat ti shfrynte:
'Si
guxon që flet kështu për atdheun tonë?'
Një
pëllëmbë larg fytyrës ës tij, pa një fytyrë lëkurë errët, rreshkur nga dielli
si letër e zhubravitur nga rrudhat e shumta, sy të çapëluar si bretkosë, të
përskuqur, të rrëmbushur nga lotët.
Në
anije kish refugjatë nga vendlindja e tij, njerëz të zhytur në mendime, asnjëri
prej tyre nuk e di çfarë fati i pret në emigracion. Një mërgimtar është një
njeri që nuk ka humbur asgjë, sepse aty ku jetonte nuk kishte asgjë dhe qëllimi
i vetëm i tij është që të jetojë pak më mirë.
Mërgimi
kjo plagë e vjetër s'ka të ndalur për shqiptarët, sa vjen e thellohet akoma më
shumë. Emigrimi është zgjidhja e fundit në jetën e njeriut. Kur humbën të
gjitha shpresat për jetë në vendin amë, kur e vetmja rrugë e shpëtimit mbetët
largimi nga vendlindja. Por jo të gjithë e gjejnë shpëtimin në rrugën e pa fund
të mërgimit!
Fatbardhi
me trishtim ngriti sytë drejt qiellit ku një shqiponjë krenare fluturonte mes
reve, mendueshëm mbështeti ballin te dritarja e vogël e pistë të anijes dhe
foli me vete;
'Unë
në emigracion dua të jem shqiponjë. Por nuk e di nëse mundem. Kur nuk ndihesh
mirë në shtëpinë tënde, dhe atdheu të bie ngushtë, atëherë detyrohesh të endesh
rrugëve të botës si lugat...
O
zot perse ky fat i yni, përse ne duhet te ikim nga sytë këmbët, nga mëmëdheu
ynë i dashur', flet Fatbardhi me vete:' Perse, përse? Përse të jetë kështu ky
fati yni? Vetëm ikje, ikje, ikje? Përse vallë?
Ishte
një udhëtim i lodhshëm, në kufi të çmendjes, zgjati gjatë gjithë natës.
Dallgët
male, egërsira të tërbuara ulërinin me lebeti...
© KRISTAQ TURTULLI
DHIMBJA E IKONËS, roman Tiranë, 2025