E premte, 25.07.2025, 08:59 AM (GMT+1)

Kulturë

Armela Hysi, një zë solo në poezinë postmoderniste

E hene, 14.07.2025, 06:50 PM


ARMELA HYSI– NJË ZË SOLO NË POEZINË POSTMODERNISTE

Nga Timo Mërkuri

Armela Hysi nuk është thjesht një zë në korin e poezisë moderne shqipe. Ajo është një zë solo, i veçantë në timbrin e tij, që shpërfaqet me qartësinë e një tingulli që nuk kërkon harmoni, por rezonancë të vetme. Poezia e saj nuk vërtitet rreth mallëngjimit, por ndalet te mungesa që merr frymë, që shndërrohet në substancë krijuese. Ajo nuk e përkujton ikjen , ajo e formëson, e bën trup, tingull, gjurmë.

E lindur në gjuhën shqipe dhe e rritur në mendimin postmodern, Armela Hysi vjen nga “shkolla poetike e Lezhës”, por shkon përtej saj, duke ruajtur rrënjët dhe ndërkohë guxon të shpërbëjë formën klasike, të fragmentojë për t’ë rindërtuar ndryshe, të gjejë ritmin e vet edhe në çrregullsi. Ky zë nuk qëndron në periferi të poezisë shqipe, por lëviz diku mes qendrës dhe kufirit, ku fjala bëhet krisje, zbrazëti, por edhe dridhje kuptimi. Ai nuk përpiqet të zotërojë, por të ndriçojë në mënyrën e vet të qetë, si një tingull i vetmuar që mbetet pezull në kujtesën e lexuesit. Në këtë peizazh të lëvizshëm poetik, zëri i saj nuk humbet, por shndërrohet në prani që ngulitet thellë, si shenjë e një poezie që nuk ngushëllon, por zgjon.

Ky portret poetik ndërtohet mbi ciklin “Dita e tetë”, si pikë ndriçimi, ndërsa në sfond qëndron gjithë krijimtaria e saj poetike, e përmbledhur në tetë libra, ku secili libër ngre një hapësirë ku mungesa, vetmia dhe femërorja nuk janë tema, por thelb poetik që shpërthen në figura të pashtershme.

1. Te poezia “Retë”, ajo që bie menjëherë në sy është mënyra se si poetja arrin të kthejë ikjen në një formë të lartë të krijimit. Nuk kemi të bëjmë me një arratisje, por me një ritual të brendshëm sublimimi, ku e përkohshmja, e kapshmja, e rëndë për tokën, shndërrohet në një element që lëviz sipër kufijve.

Kjo fuqi për ta përkthyer ikjen në akt krijues është ndoshta thelbi më dallues i saj. Ikja, për të, nuk është humbje, por metamorfozë, një mënyrë për të kaluar në një tjetër gjendje të qenies. Ajo është si një vello që shkundet nga trupi i jetës dhe mbështillet mbi metafora që nuk ngjiten më në tokë, por enden, përhapin një dritë që s’ka për qëllim të ndriçojë, por të depërtojë.

"Të isha re...

...Jeta ime, kjo dasëm shtëllunge.

Të isha re...!"

(“Retë”)

Këtu, fjala nuk është më përshkruese, ajo ndërron lëkurë, bëhet frymë, bëhet avull, bëhet vello. Dëshira për t’u bërë re nuk është dëshirë për t’u tretur, por për të jetuar më lart, jashtë çdo ndalese, për të gjetur atë liri të pacenueshme që nuk e njeh gravitetin e përditshmërisë.

Në këtë lojë të imët mes formës dhe shpërbërjes, poetja nuk krijon vetëm figura, ajo shpik mënyra të reja të të jetuarit në fjalë. Fjala nuk rrëshqet mbi realitetin, por e shpon atë, si një dritë që kalon nëpër tym, pa zhurmë, por me gjurmë të pashlyeshme.

2. Fjala e saj s’ka frikë nga absurdi dhe e shëndërron dhimbjen në metaforë të kthjellët, Në poezinë “Mad VVorld”, poetja na përball me një peizazh që nuk përpiqet të zbukurohet. Dhimbja nuk është më vetëm ndjesi, por një akt i vetëdijshëm, një qenie që rrëfen absurditetin e ekzistencës njerëzore në një botë ku gjithçka është marrë peng nga indiferenca.

"pash mjaft mjerim sot për ta menduar

qafë-shtrënguar nga nyja e madhe e pritjes"

Këtu nyja e pritjes nuk është një figurë romantike, por një litar i ftohtë rreth qafës. Poetja nuk e fsheh vuajtjen në zbukurime. Ajo e shfaq me një brutalitet të qetë, me një qetësi që ther. Dhe më pas, dy vargje të rralla në poezinë bashkëkohore shqipe:

"metamorfoza e syve të kafenjtë të vogëlushes

në dy biskota të lumtura"

Kjo është një nga risitë goditëse të saj, gërshetimi i dhimbjes me butësinë, i simbolikës së kafshës me metaforën e fëmijës. Armela ka guximin të jetë e prekshme dhe absurde njëkohësisht.

3. Koha në poezinë e saj nuk është lineare, është çarje, është lodhje që vjen nga brenda shpirtit. “Dita e tetë” është poezia ku kujtesa bëhet trup, ku kalimi i viteve nuk matet me orë, por me gurë mulliri dhe çarçafë arratisjeje. Kjo është një poezi ku secili objekt mban një histori, një lodhje, një hije që s’ka emër.

"baulja e gjyshes që tërheq shkallëve të poezisë

që nga mituria

me gjithë gurët e mullinjëve blues që trashëgova"

Poetja Hysi nuk ndërton vargje për të krijuar ndjesi. Ajo ndërton një mitologji të vogël personale, ku “baulja” bëhet arkiv i qenies, ku këpuca e mbetur pa u shndërruar është pjesë e një përralle të ndërprerë në mesnatë:

"në njërën këmbë

ka ende këpucën që mbeti pa u shndërruar

pas klithjes së mesnatës së përralltë"

E kemi parasysh përrallën me këpucë që mbeti pa u shndruar pas klithjes së mesnatës dhe që e mori princi, por tashmë ne këtë këpucë e kemi në poezi, madje dhe më të bukur se ajo që ka princi në duar. Armela Hysi sjell një poetikë ku kohët nuk rrjedhin, por mbivishen si rroba të vjetra mbi një trup që i ndien të gjitha. Ajo nuk jeton në një botë poetike lineare, por në një hapësirë ku çdo klithmë mbart një epokë.

4.Fytyra në poezinë e saj nuk është vetëm e saj, është terreni ku gjurmohet njerëzimi. Në poezinë “Fytyra”, ajo sjell një univers ku Matisse e Freud takohen në një dhomë shqiptare, në një vetmi ku siluetat “bumbuese” e zërat “pëshpëritës” janë pjesë e një kujtese që nuk gjen qetësi.

"tiparet e humbura nga fytyrat e tyre

ndoshta flenë terrenësh të pabanuar

ndoshta zhdukur për fare janë..."

Poetja nuk kërkon fajtorë, por gjurmë. Ajo e pranon zbrazëtinë si pjesë të qenies: "mjaftojnë gjurmët në butësinë time amorfe." Në fakt, kjo është një poezi që e përthith lexuesin si një psikanalizë e heshtur. Fytyra nuk është portret, por fushë beteje mes kujtimit dhe harresës. Kjo është një nga risitë e saj më të veçanta: ajo e zhvesh fytyrën nga identiteti dhe e mbush me kujtesë.

5. Pas ikjes nuk ka zbrazëti, por mbivendosje të heshtjes mbi kujtimin. Poezia “Pas ikjes” është një nga mbrujtjet më të thella të asaj çka Armela Hysi arrin të bëjë me mungesën. Nuk ka mall sentimental, nuk ka lutje që të rikthehet i larguari, ka thjesht një përballje me boshllëkun që lë ikja. Por edhe ky boshllëk nuk është i ftohtë: është një peizazh që vazhdon të marrë frymë, pavarësisht zhdukjes.

"ke ikur nga fotografia dhe në kornizë

tani shoh vetëm shatërvanin parvaz-trishtuar."

Poetja nuk e ngurtëson fotografinë në celuloid, por e lë të “shpërthejë” si një shatërvan i zbrazur nga fryma. Ndjesitë janë të zbehta, por jo të shuara. Njomështia e puthjes bëhet një “harresë e pllangët”, një metaforë ku sensualja dhe nostalgjikja nuk kundërshtohen, por shkrijnë njëra-tjetrën:

"njomështirën e puthjes si harresë të pllangët

copëza të shkërmoqura zhaurimë mekur

të gjetheve të shkelura."

Ky trajtim i mungesës është ndër risitë më të vyera të saj: ajo nuk vajton, por e shfaq. Jo si e shuar, por si një prani e ndryshuar. Nuk përpiqet të mbajë në vend ose pas kohën, përkundrazi, e ndjek atë nga pas për ta çarmatosur me një varg të qetë, por të prerë.

6. Trupi bëhet hartë e kujtesës kolektive te poezia “Kosovës” e cila e tejkalon përmasën personale. Hysi i jep Kosovës një trup femëror, një fizikalitet të skalitur nga dhimbja, por të forcuar nga përballja. Ajo nuk shkruan për Kosovën në mënyrë patriotike apo me fjalë të mëdha; përkundrazi, ajo e mishëron atë, Kosovën në veten e saj, në shpatullat, në lëkurën, në plagët e saj si grua.

"mos i shih dhimbshëm Ati im krahët

pendë-ndukura në shpatullat e mia"

Kraharori i një gruaje bëhet vend i shigjetave dhe i vragave, jo për të krijuar një efekt tragjik, por për të na përballur me realitetin që e kemi transformuar në legjendë:

"këto gungëzime që prek buzëdredhur me mollëza

si vargmale gjarpërueshe hartës plastike..."

Këtu poezia bëhet një trup i gjallë, një hartë ku heroizmi nuk është thjesht një fitore, por është së pari mbijetesë. Kujtesa në këtë poezi nuk është muzeale, por e ngjitur në kocka, e mbështjellë me shtresa krenarie dhe tmerri:

"më të forta janë bërë kështu me shtresa

krenarie fitoresh.

të paepërshme.

tmerruese."

Kjo është një nga dimensionet më të rralla të poezisë së saj,të arrish të përshkruashnjë truall të gjakosur pa i rënë sirenave të patetizmit, por me një gjuhë sa intime aq dhe e përbashkët.

7. E brendshmja e saj nuk është strehë, por një fushë përballjeje e pashmangshme. Në të gjitha poezitë e këtij cikli, Hysi i flet vetes me një ndershmëri që nuk është e zakonshme. Ajo s’ka frikë të thotë që nuk i ka dhënë dot kuptim dhimbjes:

"pëshpërit e vogla me vështrimin lutës të urisë.

nuk dija më a do të vije." (“Mad VVorld”)

Ajo nuk ka frikë të përshkruajë rrëfimin e vet me shenja të fëmijërisë së tronditur apo erotikës së zhveshur nga çdo hijeshi klasike:

"trupat e ledhatuar frojdjan

silueta bumbuese..." (“Fytyra”)

Gjithçka që është thyer, është bërë gjuhë. Gjithçka që është harruar, është kthyer në figurë. Gjithçka që është ndier, është përftuar në formë:

"gunga e madhe mes shpatullash

poshtë cipës deje-blu të lëkurës..." (“Dita e tetë”)

Në përfundim të portretit të saj poetik, pak si mënjanë, aty ku firmos piktori veprën e tij, shënojmë për Armela Hysi se ajo është një poete që s'e pret heshtjen, por i hyn në shpirt. Hysi nuk është një zë i ri në letërsinë shqipe bashkëkohore. Ajo mes nesh ka qenë, një prani që nuk rri në pritje të ftesës, por ne nuk e kemi parë. Ajo hyn në kujtesën kolektive, në trupin e gjuhës, në psikanalizën e vetvetes dhe na sjell një poezi të çliruar nga skemat, të pasur në ndërgjegje, të ngarkuar me përmbajtje që nuk shitet si dekor. E kemi kujtuar të tjetër kujt këtë poezi, ndaj nuk I kemi kushtuar vemëndjen e duhur kësaj poeteje.

Në një kohë kur shumë poezi rrotullohen rreth vetes për t’u dukur moderne, ajo ecën butë, si re që vesh fustanin e dasmës, por me krenarinë e të pakapshmes. Dhe ndoshta aty qëndron forca e saj: ajo s’ka nevojë të na bindë për dhimbjen e saj. Ajo vetëm na e jep , si re, si biskotë, si puplë që nuk mësoi të fluturonte dhe na lë të vuajmë bukur.

II- Poezitë e Armela Hysi i qasen rrymës postmoderne, me elementë të theksuar të poetikës së fragmentit, psikologjizmit të thellë dhe lirizmit ekzistencial. Ato shmangin narrativën lineare dhe përfaqësojnë një shpërbërje të unit, duke ndërthurur elementë të modernizmit të vonë me ndjeshmëri bashkëkohore evropiane, larg çdo strukturimi klasik apo ideologjik. Dhe kjo është një ndër faktorët vendimtarë të suksesit të saj poetik dhe linja kryesore, e dukshme e portretit të saj poetik.

III- Në një kohë kur fjala endet mes heshtjes dhe zhurmës, duke kërkuar një dritare ku të marrë frymë thellë, zëri poetik i Armela Hysi ngjitet lirshëm në lartësitë e ndjeshmërisë moderne. Fjalët e saj nuk përshkruajnë, ato lëvizin si re që humbin formën për të fituar kuptimin. Në peizazhin poetik të Armela Hysi, figura artistike nuk është zbukurim; ajo është zhbirim, është thikë që pret shtresat e qetësisë për të nxjerrë në sipërfaqe një vetëdije të përçartur, një ndjeshmëri që nuk kërkon përgjigje, por pranimin e çarjes. Metafora, simboli, imazhi e personifikimi nuk janë të vendosur në një rend të qartë, por të shpërndarë, të fragmentuar, të copëzuar si vetë njeriu postmodern.

Në një realitet ku uniteti i brendshëm është rrëzuar dhe përjetimi është rrëshqitës, këto figura krijojnë çarje ku vështrimi ndalet, rikthehet dhe humbet sërish.

1. Në poezinë “Retë”, metafora është rrëshqitje, është joshje për një jetë tjetër, por jo me ngjyra të ndezura, përkundrazi, me një bardhësi që të përvëlon.

"Një re e bardhë me fustan nusëror

veshur, ecën drejt Jugut."

(“Retë”)

Reja është një figurë që mban, jo vetëm qiellin, por dhe tërësinë e ëndrrave të paplotësuara, të identitetit që nuk mund të ngulitet. Ajo është vetë poetja, që ecën me një “vello avull-ujore” mbi supe, me dëshirën për të mos qenë më as tokësore, as e fiksuar në një vend.

Në vargun: "Të isha re… Jeta ime, kjo dasëm shtëllunge. Të isha re…!" metafora përçon dëshirën për shndërrim, për shpërbërje në një element që nuk e njeh formën, që shpëton nga rëndesa e narrativës klasike. Kjo është metaforë postmoderne: jo për të zëvendësuar një kuptim me një tjetër, por për të treguar se kuptimi rrëshqet në mjegull.

2. Simbolet në poezinë e Armelës nuk kanë qëndrueshmëri, ato janë si shenja që zhduket në dritë. Ato nuk janë më vula të mitit, as porta të një kuptimi të vetëm, ato janë shkëndija që ndizen e shuhen, si tek zogu në “Pas ikjes”:

"dhe zogu që

mbaje mbi supë për të pozuar

sy-gremisur lëviz frymë sosur

puplat e pastërvitura

që s’mësuan kurrë të fluturonin..."

Zogu nuk është thjesht simbol i lirisë. Ai është kujtesë që s’ka mësuar të ikë, një figurë e braktisur në një fotografi të zhveshur nga njeriu. Simboli këtu nuk e bart kuptimin, por dështimin e kuptimin, një simbol postmodern që qëndron në vend për të treguar një mungesë. Edhe në poezinë “Kosovës”, trupëzimi i historisë përmes simboleve është i jashtzakonshëm, por jo heroik. Ato janë shenja të dhimbjes që nuk kërkojnë glorifikim:

"këto gungëzime që prek buzëdredhur me mollëza

si vargmale gjarpërueshe hartës plastike..."

E zhduke çdo gjë “heroike” dhe e bëre të florinjtë Armela Hysi. Por le të vazhdojmë me simbolin e gungës mbi lëkurë, vargmalet që rrëshqasin mbi relievin trupor, është hartë e thyer, për të treguar se rruga ka qenë rrënojë. Kjo lloj simbolike është e pasur në kuptime , por asnjëherë e mbyllur, një tjetër veçori e qasjes postmoderne të poezisë së saj.

3. Imazhi shfaqen si akte çlirimi, kur fjalët bëhen retina. Në poezinë “Dita e tetë”, Armela Hysa krijon një sekuencë imazhesh që nuk ecin njëra pas tjetrës, por që shfaqen e zbehen, marrin formë sa për t’u shkërmoqur sërish. Ajo përdor strukturë të fragmentuar, ku kujtimi, mituria, gjyshja, këpuca e papërdorur, çarçafët e arratisjes, të gjitha janë si copa filmi të shqyer. Vargjet: "baulja e gjyshes që tërheq shkallëve të poezisë/që nga mituria/me gjithë gurët e mullinjëve blues që trashëgova" shfaqin një imazh, i cili është një sekuencë që nuk përshkruan, por ngarkon lexuesin emocionalisht, duke e lënë të pështjelluar mes objekteve të mbushura me kujtesë të paartikuluar. Edhe këtu, postmodernizmi nuk lejon një vijueshmëri të qartë, gjithçka është thyer, e ftohtë, e papërpunuar. Vlera estetike e këtij fragmentimi qëndron në ndjenjën e shkëputjes dhe përhumbjes që krijon.

4. Në poezinë e saj personifikimi vjen si frymë që gjallëron sendet e pajeta të kujtesës, ku, sendet nuk janë thjesht rekuizita të botës poetike, ato jetojnë, psherëtijnë, mbajnë peshën e jetës së jetuar, të mbetur pezull. Personifikimi nuk është dekor stilistik, por një mënyrë për të shndërruar brendinë njerëzore në përmasa të prekshme. Në “Pas ikjes”, nuk është njeriu që flet, por fotografia që hesht, korniza që ka ndryshuar pamje, shatërvani që ka mbetur “parvaz-trishtuar”:

"ke ikur nga fotografia dhe në kornizë

tani shoh vetëm shatërvanin parvaz-trishtuar."

Përmes këtij personifikimi, poetja shpërbën marrëdhënien objekt-subjekt dhe krijon një atmosferë ku bota e jashtme merr frymën e brendshme të mungesës. Gjithçka është shenjë që flet në heshtje, pa e kërkuar zërin e vet, pa u mbivendosur. Kjo është një mënyrë postmoderne e përmbysjes së pikëvështrimit: jo më unë që vështroj botën, por bota që rrëfen për mungesën time.

Në poezinë “Fytyra”, ajo shkon edhe më thellë, duke futur figura historike në jetën e përditshme të poezisë. Matis [1] me gërshërët e tij “frëngëlluese”, bëhet bashkëjetues i zërit të brendshëm të poetes:

“Matis pret me gërshërë frëngëlluese letra sfilitëse

pranë veshit tim

edhe k’të natë..."

Këtu nuk kemi thjesht një personifikim, por një shkrirje të artit me jetën, një ndërlidhje që e sheh historinë si të jetueshme dhe artin si bashkëpunëtor në përpunimin e së tashmes.

5. Te Armela Hysi fragmentimi mund të quhet dhe bukuria e çarjes që nuk kërkon të ngjitet. Në thelb të poetikës së autores qëndron fragmentimi, ai nuk është difekt strukturor, por është estetikë. Poezia e saj nuk rrëfen, nuk rrjedh si një përrua i qetë; ajo vjen me prerje, me kërcime të befta, me ndalesa që nuk shpjegohen. Ajo që mungon është po aq e rëndësishme sa ajo që thuhet. Në “Mad VVorld”, fragmentimi është brendia e vargut. Vargjet janë shkëputje ndjenjash, jo periudha logjike:

"pëshpërit e vogla me vështrimin lutës të urisë.

nuk dija më a do të vije.

pash mjaft mjerim sot për ta menduar

qafë-shtrënguar nga nyja e madhe e pritjes..."

Këtu çdo varg është një shkallë që nuk të çon askund, por të zbulon. Nuk ka linearitet, nuk ka vijimësi mendimi. Ka thjesht rrëfime të çara, që e refuzojnë përmbylljen. Ky është një akt postmodern, që e shikon realitetin jo si ngjarje, por si pasqyrë e copëtuar. Dhe lexuesi është ftuar jo për ta kuptuar, por për ta ndjerë veten brenda reflektimeve të shpërndara.

Në “Dita e tetë”, struktura është një mozaik. Gjuha është e ngarkuar me kujtime, por jo në trajtë të përfunduar; objekti është i rëndë, por nuk jep mbyllje; ndjesia është e thellë, por pa narracion: "kohë e gërryer nga brenda/– mendime –". Këtu vetë poezia është një dokument i brendshëm, shkrim i pavendosur, jastëk i përzier me guralecë memorie.

Në përfundimit të kësaj pjese të analizës mund të themi se në poezinë e Armela Hysi, figura shfaqet si ndërtim i një trupi të ri për fjalën. Metaforat e saj nuk janë për të zbuluar të panjohurën, por për të fshehur të njohurën. Simbolet e saj nuk kërkojnë përshkrim, por ndjesi. Imazhet e saj nuk janë ndërtuar për të bindur, por për të tronditur lehtë. Personifikimet e saj nuk janë për të gjallëruar sendet, por për të shkallmuar vetminë. Fragmentimi i saj nuk është lodhje, por një muzikë e ndërprerë me vetëdije, një heshtje që flet. Në këtë univers poetik, ku çdo fjalë është një plasaritje, çdo figurë artistike është një gur mbi trupin e fjalës, poezia e Armela Hysi rri në kufirin midis artit dhe jetës, ku asnjëra s’e përjashton tjetrën. Ajo nuk kërkon të rindërtojë kuptimin. Ajo kërkon të rrijë në thyerjen e tij, sepse vetëm aty ndodh e vërteta e saj. Dhe kjo është vlera e saj postmoderne më sublime.

IV- Në hapësirën gjithnjë më të larmishme të poezisë shqipe bashkëkohore, zëri i Armela Hysi vjen jo si vazhdim, por si thyerje dhe thellim. Ajo nuk hyn në korin e poetëve për të kënduar të njëjtën këngë me tjetër zë apo të shtohet si zë në të njëjtin volum kënge, ajo vjen si një pranie të re, që më shumë se sa flet, trazon heshtjen, e bën atë pjellore. Armela Hysi nuk qëndron në margjinë,larg vemëndjes dhe rrrjedhës së zhvillimeve letrare edhe pse fizikisht është në mërgim. Ajo është qendër lëvizjeje estetike, që nuk e kërkon identitetin në motive folklorike apo ngjyrime kombëtare, por në përvojën e shpirtit bashkëkohor, që jeton në vetmi, zbrazëti, vetëdije të copëzuar dhe ndjeshmëri të hollë. Në poezinë e saj, fjala nuk vjen për të përshkruar botën, por për të provuar se ajo ende mund të lindet prej nesh. Kjo e afron me frymën më moderne të poezisë shqipe, me zëra si Natasha Lako, Luljeta Lleshanaku, Mimoza Ahmeti, Albina Idrizi etj, por Armela nuk kërkon të jetë pjesë grupi. Ajo është zë vetjak, që lëviz

Në raport me poezinë evropiane moderne dhe postmoderne, ajo është një bashkë-biseduese e denjë, jo përmes imitimeve, por përmes përshpirtjes së natyrshme që bart letërsia e saj. Ajo flet gjuhën e poetëve që jetojnë në ndarje të vazhdueshme: midis një vendi dhe një tjetri, midis një gjuhe dhe një heshtjeje, midis vetes që ka qenë dhe vetes që bëhet, një gjuhë që e gjejmë tek poetët e mërguar francezë, tek gjermanët pas luftës, tek polakët dhe tek grekët e vonë të ndarjes nga mitet.

Në strukturën e vargut, në lirizmin e çarë, në figurën që nuk zbukuron por zbulon, ajo qëndron pranë poetikës së autorëve si Paul Celan, Wis?awa Szymborska etj. jo nga ndikimi, por nga lidhja e natyrshme në përjetim. Ajo nuk ka nevojë të duket moderne , pse ajo është e tillë në frymën që e përshkon: fragmentare, vetërefleksive, jolineare, por gjithmonë e ndezur nga nevoja për të thënë me brendi, jo me mënyrë.

Në këtë bashkësi të madhe poetike, ku fjalët vjetërohen shpejt dhe zërat treten në zhurmë, poezia e Armela Hysit krijon një hapësirë të re. Një hapësirë ku malli është strukturë ekzistenciale; ku ikja nuk është arratisje, por formë e brendshme qëndrese; ku femra nuk është simbol, por qenia që shkruan përmes trupit, kujtesës dhe mungesës.

Në poezinë shqipe, ajo është një zë solo, ndërsa në poezinë evropiane, një jehonë që nuk ka frikë të jetë vetvetja. Dhe kjo mjafton për të thënë: Armela Hysi nuk është në kërkim të vendit të saj në letërsi, ajo është duke e ndërtuar atë me çdo varg që ringjall dritën. Unë po ju them: Shikojeni; Armela Hysi është vërtet një poete e veçantë, në poezinë shqipe. Mirëpriteni.

Sarandë, më korrik 2025

[1] [ Matis, në vargjet:"Matis pret me gërshërë frëngëlluese letra sfilitëse..."* nga poezia "Fytyra" e Armela Hysi, është një referencë për Henri Matisse (1869–1954), një nga mjeshtrit më të mëdhenj të artit modern evropian, një piktor dhe kolazhist francez. Në vitet e vona të jetës, kur ishte i sëmurë dhe nuk mund të pikturonte më, Matisse krijoi veprat e tij të famshme përmes prerjes së letrave me gërshërë, një teknikë që bashkonte ngjyrën, formën dhe lirinë krijuese në mënyrë të paprecedentë. Në kontekstin e poezisë, “Matis” (siç është shkruar në formë të shkurtuar poetike) është shndërruar në një personazh simbolik që vepron pranë vetes së poetes, duke “prerë” jo thjesht letra, por mendime, ndjesi, kujtime, elementë që “sfilitin”, por që në duart e artit shndërrohen në figurë. Kjo është një mënyrë mjeshtërore postmoderne për të bashkëjetuar me artin – jo ta vëzhgosh si objekt, por ta përjetosh si një prani intime, shpesh shqetësuese, shpesh terapeutike. Matisse bëhet, kështu, personifikim i procesit të nën ndërgjegjes krijuese, një dorë e padukshme që pret dhe formëson brendinë e shpirtit të autores.]



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx