Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Një ditë shtatori në Prizren
E premte, 06.09.2024, 07:00 PM
NJË DITË SHTATORI NË PRIZREN
NGA
PËLLUMB GORICA
Udhëtimet
andej e këndej trojeve shqiptare për të prekur dhe për t’u shkrirë me bukuritë
e tyre, i kam tashmë në poret e lëkurës sime. Prej vitesh shtegtoj në Dardani,
në qytetet e saj, për të mbushur sytë me peizazhet dhe vendet historike, të
ndjejë aromat e shpirtit amtar.
Prizreni
është një nga qytetet më të lashta në Trojet Dardane, që ruan brenda vetes
karakteristikën e vendndodhjes së tij, në dy anët e Lumëbardhit duke u ndarë në
mes.
Me
të drejtë njihet, si qyteti i dytë në Kosovë.
Vështrimet
magjepsëse kapin bedenat e kështjellës, bukuri arkitektonike, ura të gurta,
kisha e xhami, Lumbardhin me valë të bardha, si të hapësh faqet e një libri të
vjetër, të zbulosh një të shkuar të largët, apo reale.
Jeta
njerëzore është zhvilluar rrëzë një mali dhe anës Lumbardhit, që buron rrëzë
shpateve piktoreske të Sharrit.
Ashtu
siç thuhet aty, “Pri rrëzën e malit (Prizren); Ther anën e malit (Therandë) e
merr rrugën për në Qafë të Prevallit.
Në
Prizren E vjetra me Të renë, Orienti dhe Oksidenti, kryqëzohen natyrshëm;
shkrihen në një; krijojnë kulturën tradicionale mbarëshqiptare bashkë me frymën
e madhështisë së Historisë sonë Kombëtare.
Rruga
është është plot me makina që këmbehen me njëra-tjetrën midis kalimeve të
shkurtra dhe të ngushta. Gjallërojnë rrugëve emigrantët e kthyer, të cilët
argëtohen me familjarët, shokët, miqtë, kushërinjtë, nipërit e mbesat.
Hedhim
vështrimin tej. Lëbyren sytë nga shkëlqime ndërtesash (në strukturën e tyre vë
re një ngjashmëri me shtëpitë e Beratit).
Mbi to peshonin herë pas here me insistim retë që, duke u larguar,
treten si bora në diell...
Morëm
rrugën drejt pjesës qëndrore të qytetit, andej nga vinin të përzjera, si
zhurëm, muzika e dasmave. E mbushin ajrin tejembanë tingujt argëtues të muzikës
dhe këngëve. Hareja e dasmave përhapej si frymë nga gumëzhitjet e dasmorëve që
të ngjasonin si dallëndyshet në pranverë, nga ngjyrat festive të veshjeve dhe
të flamujve kombëtar kuq e zi (dhe jo blu me yje të shtetit administrativ të
Kosovës). Askund më mirë se këtu nuk e gjejmë të shprehur shpirtin e gëzimit
dhe përkushtimin artistik të banorëve, ngrohtësinë, bujarinë, fjalët mikpritëse
që kullonin më shumë sesa mjaltë bleta mbretëreshë.
Përfiton
emocione nga autokolona e dasmorëve, që shkojnë të marrin nusen. Vetura me
fjongo, të shoqëruara nga dhjetra të tjera që ulërinin me borie. Ndërsa
kameramanët të përdredhur jashtë dritares së makinave, në ecje e sipër, sikur
luftojnë me kamerat, të filmonin marshimin e karvanëve të gjatë si gjarpërinj,
në tërë rrugët e qytetit.
Shihnim
nusen, dhëndrrin, dasmorët kur kërcenin të skuqur e tërë djersë. Një grup
fëmijësh turren rrëmbimthi se kush e kush të rrëmbejë i pari nën breshërin e
orizit, monedhat metalike dhe karamelet. Të gjithë afroheshin për t’i
përshëndetur dhe uruar çiftin e ri. Ndërkohë graria me kostumet ikonike të
traditës gjithë ngjyra të ndezura ia marrin këngëve të bukura. Përzjehej gëzimi
me trishtimin e ikjes së vajzës nuse nga shtëpia. Shikon fragmente të shëtitjes
së çiftit me pajton, që shkëlqente nga zbukurimet përreth saj dhe kokës së
kalit, në patkonjtë e të cilët shkrepëtinin xixa nëpër kokordhokët e
kalldrëmit.
Gjatë
një takimi, kemi një mënyrë për të njohur një vendbanim. Biseda me botuesin
Berat Batiu, këtë burrë me botë të brendshme dhe kulturë të gjerë letrare,
ishte e këndshme.
Ulemi
në një kafe, dhe nuk e kuptojmë se si ikën orët nga biseda aq e këndshme, për
artin, kulturën dhe çështjet kombëtare që sot janë shumë preokupuese. Takime të
tilla paçim nga hera, me frymëzime në fushën e historisë, të shpërthejnë
si vullkan.
Në
studion e tij shikon pasionin për të mbjellë krijimtari, histori e shtigje arti
me ngjyrat e shpirtit. Donim të mësonim më shumë rreth historisë së Lashtë të
Prizrenit, për jetën e këtij vendi. Ndaj Berati njohës i shkëlqyer i historisë
së qytetit të shpalos vështrime në të shkuarën dhe vlerat e tij.
Sipas
Strabonit dhe Apianit, - thotë Berati, - në periudhën Iliro - Dardane, qyteti
njihej me emrin Theranda. Ishte e populluar dendur, dhe nuk është rastësi që
hartat e vjetra “Tabula Peutingeriana” të shekullit III të Spenserit e
përmendin me emrin Procopera. Ptolemeu, gjeografi i Aleksandrisë, e citonte si
Termidava. Ndërsa në shekullin V Pas Krishtit, historiani antik Prokopi i Çezares
e përmend në veprën e tij De Aedificiis me emrin Petrzen. Gjatë periudhës së
Bizantit, emërtohej Prizdrana (kjo formë haset shpesh edhe në literaturën
gegnisht) Ashtu siç thuhet aty, “Pri rrëzën e malit (Prizren).
Qyteti
ishte i njohur në kohëra si nyje rrugore (ndalesë e aksit të rëndësishëm që
vinte nga trojet e Adriatikut) dhe qëndër ekonomiko - administrative, me
kontribut historik në çështjet madhore të kombit. Rrugëkalim që ndër shekuj,
lëvizën tregtarë, udhëtarë, mallrat, karvanet, ushtritë, ngjarjet dhe kultura.
Pastaj
pas kafesë na shoqëron te shtëpia historike e Lidhjes së Prizrenit, që spikat
midis ndërtesave të tjera, me zbukurime të çmuara të së kaluarës, ku burrat e
mbledhur nga të katër anët e Shqipërisë (Në Prizren, në atë t'bukurin vend/
Mblidhën burrat në Kuvend) lidhën besën, për mbrojtjen e çdo cope të trojeve
shqiptare. Lidhja e Prizrenit mbetet ideja shtetformuese që shqiptarët u
përpoqën me mish e me shpirt ta jetësonin asokohe, të frymojnë nën një
ombrellë.
Një
emocion i madh të kaplon teksa kalon rrugën dhe gjendesh në sheshin me gurë
përballë shtëpisë- muze, e cila qëndron kaq e bukur në krenarinë e vet. Duket e
pabesueshme kur u shkatërrua në mars '99, gjatë luftës, prej serbëve, të cilët
shpresonin se do të fshihej kujtesa historike dhe ta shohesh të rindërtuar aty
ku kish qenë dhe ashtu siç kish qenë.
Ngjarje
kjo që mishëron shkatërrimet, djegjet, vuajtjet dhe humbjen e jashtëzakonshme
që përjetuan trojet e Dardanisë gjatë kësaj fushate kriminale të
Beogradit.
Një
zonjushë- udhërrëfyese, i tregon kujtdo që është i interesuar gjithçka e cila
figuronte aty, faqe të historisë tonë. Një vend që nuk dëshiron të jetë thjesht
një vitrinë në “botën tone”, por një dritare e hapur për të njohur ngjarjen e
Lidhjes së Prizrenit, të kësaj çertifikate të lindjes së Shqipërisë kundër
vendimeve të Kongresit të Shën Stefanit dhe të Berlinit kur Fuqitë e Mëdha,
vendosën për coptimin e saj. Trojet e Dardanisë u dhanë peshqesh paraardhësve
të Serbëve dhe Malëzezëve.
U
mënjanua zonjusha udhërrëfyese, na la të sodisnim vetë, në heshtje të gjitha
dhomat. Lexonim, shikonim stendat, dokumentet e pakta, foto, faksimilet,
portretet e firmëtarëve, kostumet kombëtare, bustet, artefaktet, që luftonin
për pak vend të lirë: tezgjahët, djepet, gravurat, enët prej druri, hekuri dhe
bakri, mangallët, pikturat e çdo gjë tjetër, ku dritësohet kjo ngjarje kulmore
e kombit shqiptar nga kontributi i dhjetra burrave që “lidhën” besën për fatet
e trojeve shqiptare.
Fije legjendash dhe të
vërteta
Ecim
nëpër rrugët e Prizrenit. Në lagjen Tabakhane ndihemi sikur kthehemi pas në
kohë. Hamami i Gazi Mehmet Pashës (Sanxhakbej i Shkodrës) është unikal në
llojin e vet, me 9 kube.
Në
rrugën e “Farkëtarëve” ndeshim ndërtime tipike me elementë të kombinimit të
gurit me drurin. Në kohën e Lidhjes së Prizrenit kjo ndërtesë që shohim, -
thotë miku im Berati, - ishte shtëpia e ministrit të Financave, atje ku kaloi
Rininë, aktori shqiptar me famë Botërore, Bekim Fehmiu. Çdo qytet do të mburrej
me një artist si ai; më shumë Prizreni, që jeton në filmat e tij, të cilat janë
çdo herë në mendjen e tyre. E shikon me kureshtje atë ndërtesë, ato dritare që
kanë më shumë hijeshi dhe histori për të treguar.
Dhe
pastaj jashtë, nën diellin e nxehtë, duke ndjekur Lumbardhin, ne u nisëm në
kërkim të qosheve të fshehura, më pak në dukje.
Në
të dalë të qytetit, në Marash (është vendi i duhur për një pushim të shkurtër
që duket si një tokë përrallash) me mikun tonë, Beratin, futemi në një rrugë të
kalldrëmuar me një rresht shtëpish anash saj, ku gjenden gjurmë lashtësie.
Berati duke përmendur referenca të duhura historike, gjurmët që ndërthuren me
fije legjendash dhe të vërteta, mënçurinë dhe shpirtin praktik, fllad mesjete e
modernitet bashkë, pa u shfaqur i mërzitshëm pa artifakte retorike dhe pedant
në rrëfim, të tërheq ta dëgjosh.
Rrapi
Shekullor, nuk e di pse të krijon një kënaqësi nga zbukurimet floreale,
gjeometrike. E tërheq kureshtjen tonë tyrbja e “Pirit Saanit”. Përpara saj
busti i Musa Shehrzades, përfaqësuesit të Lidhjes së Prizrenit. Shkoj tutje
nëpër një urë ku gurgullon Lumbardhi. Aty pranë është edhe “Mulliri i
Pintollit”, i vogël por me bukuri të madhe.
Vetëm
pak hapa larg, shikimi zhytet në gurgullimën e çezmave me dy-tre sylynjarë plot
ujë. Ato ishin edhe një pikë takimi për të dashuruarit, një kënd lojrash për
fëmijë dhe biseda për të moshuarit, dhe një freskim për endacakët... “Gjashtë
Çezmat” burojnë ujë të freskët.
-
Është një histori e vjetër, – vazhdon rrëfimin Berati, - se gratë që nuk mund
të bëheshin nëna, vinin këtu, pinin ujë e freskoheshin duke besuar se një
veprim i tillë do t’u sillte amësinë. Ka qenë edhe një detyrim fetar dikur,
ndërtimi i çezmave, si akt bamirësie i krijuar në kohëra nga njerëz fisnikë që
dinin si ta bënin të bukur jetën e tyre. Kronistë, historianë, gjeografë të
Antikitetit e të mëvonshëm përmendin burimet e shumta dhe krojet me ujë të
pastër të Prizrenit, të cilët kanë freskuar jetën e banorëve, kafshëve e
bimëve, për të gëzuar vijueshmërinë e tyre. Në Prizren ka pasur mbi 200 kroje,
të ndërtuara nga bamirës të këtë qyteti. Tani një imazh i traditave e zakoneve
te njerëzve diturakë.
Është
e çuditëshme dhe parimisht e papranueshme, për në periudhën e Perandorisë
Otomane, mesa duket, kultura fetare, kujdesi dhe lehtësirat për banorët dhe për
vizitorët ka qënë shumë më i madh se sa është sot.
Gjendemi
përballë Urës së Gurit, të ndërtuar që në shekullin XV. Është ajo pjesë e
bukur që tashmë mbart histori për të treguar. Më tej ndër shumë veçori të
çuditshme që mund të hasësh në Prizren është Ura e Naletit, që simbolizon
dashurinë, sepse ka dryna të kyçur në të nga çiftet, në shenjë besnikërie dhe
çelsat janë hedhur në Lumbardhë për të përjetësuar dashurinë.
Rruga
të çon tek toponimin më popullor, “Shadërvani” një nga më të vjetra në Prizren,
qendra gjeometrike e tij, e stërmbushur sa nuk kishe nga të kaloje, nga
këmbësorët, nga turistët, një gjallëri që nuk ndalonte as ditën, as natën. “Shadërvani”
me ujin e vet të bekuar na thirri për t’u freskuar.
Përreth
“Shadërvanit”, që dukej simpatik nga pikëpamja arkitektonike, vështrohen
pamje ndërtesash me elementë ndër më domethënëset: rreshta shtëpish
karakteristike dy -trikatëshe sup më sup të njëra- tjetrës, ashtu si mure të
fortifikuara, që duken sikur kanë dalë nga një përrallë; dyqane të vogla
artizanale të gjithëfarëllojshme me emra shqip, të cilat tregojnë më së miri se
prizrenasit janë ruajtës të traditës së zejeve me karakter dhe identitet të
përcaktuar: kafene e restorante, ku grupe turistësh e vendalijësh përzihen
këndshëm pa i vra pamjen askujt.
Basorelieve
dhe buste me formë njerëzish të mballosur me armë e simbole heraldike, të
shenjtërisë së luftës së luftëtarëve të lirisë së UÇK-së, moralit dhe bukurisë
estetike të djemve, i ndesh në çdo shesh, në rrugë e parqe të qytetit.
Duke
parë Katedralen katolike e Zojës Ndihmëtare me dy kambana që ende mbajnë
misterin e historisë së saj zhytesh në shpirtëroren e tyre. Ato prodhuan tinguj
të përmortshëm. Zbulon veçori befasuese. Një murg piktor nga Korça (Gjergj
Panariti) në jetën e tij të mbyllur, duke depërtuar në imazhet e shenjta me
forcën e misticizmit, gjeti bukurinë e artit të vet, duke ngjyrosur afreskun e
Gjergj Kastriotit në nënkulmin e saj, në vitin 1883.
Ndërkohë,
zëri i muezinit jehon në ajrin e rëndë, duke krijuar një simfoni magjepsëse të
përkushtimit dhe besimit. Kjo bëri që të shtohej prania e besimtarëve: burrat,
me mjekrra; gra e vajza të veshura në të zeza deri në thembër të këmbëve dhe me
shamitë në kokë.
Një
numër i madh xhamish me maja minaresh që ngrihen drejt qiellit, me arkitekturë
mahnitëse, mbishkrime dhe shkrime nga citatet e Kur’anit mbi botëkuptimin që i
konkretizon janë unike dhe të papërsëritshme, që shkojnë përtej pamjes së tyre.
Ato më të hershmet mbi atë det ndërtesash janë më të shikueshme, me minaretë e
të cilave duken si antena që marrin e japin sinjale amshimi midis tokës dhe
qiellit, Zotit dhe njerëzve.
Edhe
pse ka xhaminë më spektakolare, klasike dhe hije rëndë, në mbarë trojet
shqiptare, nuk besoj se ajo e bën qytet otoman. Xhamia e Safi Sinan Pashës të
fton të hysh, të mbushësh sytë dhe shpirtin, të pushosh, të dëgjosh
solemnitetin e heshtjes dhe rijetosh faljen me një ndjenjë mistike. Mësojmë
historinë e saj. E ndërtuar nga arkitekt Sinani, shqiptari i famshëm,
Mikelanxhelo i Orientit.
Arkitektura
e Xhamisë së Bajraklisë, e cila është një nga më të vjetrat në Prizren, e
ndërtuar në Shek XVI, e madhe, mbresëlënëse, e bukur dhe shumë e qetë ka
minaren 40 m të lartë. Andaj xhamia më tingëlloi më shumë si vepër arti e
arkitekturës.
Kalaja, si shqiponjë mbi
Prizren
E
lemë pas Xhaminë e Safi Sinan Pashës, me historinë dhe mrekullinë e saj, dhe ne
marrim rrugën e ngushtë të ngjitemi në kala. Një shteg këmbësorësh, i
kalldremuar gjarpëron mes shtëpive dhe shkurreve të harlisura, në heshtje, si
në faqet e romaneve të Tolkienit. E sheh nga larg që i rri qytetit mbi
shpatulla, si për ti thënë ja ku më ke. Rrugës për në kala është Kisha e Shën
Spasit (Shëlbuesit 1333).
Pastaj
udhëtimi vazhdon, derisa gjendesh në majë të bedenave të kalasë, mbi të cilin
është ngritur një mur panoramik dhe nga atje lart, si në shuplakë të dorës nga
i cili përqafon qytetin me një shikim.
Prizreni
është vërtet i mrekullueshëm, veçanërisht në dritën e artë tipike të pasditeve,
ku dielli i jep shkëlqim çative të kuqe, kullave të larta me hekur e beton dhe
stile të ndryshme, xhamive, kishave, rrugëve, pemëve, makinave...
Nga
harku i hapur, prisnim që dikush të tregojë diçka edhe më të rëndësishme të
historisë së saj të harruara, të dhëna mes mijëra që janë mbjellë në kala ndër
shekuj. Ndërkohë, ecim, duke menduar rreth kapitujve të historisë së saj, që
duket sikur rigjallërohen kur vështrojmë muret, pjesërisht të rregulluara, me
gurë të vendosur në mënyrë të përsosur, njëri mbi tjetrin. Gurët tregojnë
histori, të fshehura nën sytë e të gjithëve. Gjithsesi, cilido që e sheh me sy
dhe e shkel me këmbë, ka përjetimin e vet emocional.
Kalaja
është rindërtuar disa herë. E njëjta ndahet në të ashtuquajturin qytet i Epërm
dhe qytet i Poshtëm. Historitë shpalosin, faqe pas faqeje madhështinë e kalasë.
Të ecësh nëpër të është si të kthehesh pas në kohë që nga Epoka e Bronxit, të
periudhës së hershme të Hekurit. Studimet arkeologjike kanë treguar se kalaja
ishte fillimisht një vendbanim ilir që më vonë thithi ndikimet kulturore
Romake, por edhe Bizantine deri te periudha e Pushtimit Osman.
Në
Antikitetin e vonë ishte pjesë e sistemit të fortifikimit mbrojtës në Dardaninë
perëndimore, që shikojnë njëra-tjetrën në sy duke shkëmbyer sinjale të
heshtura...
Ulemi
në një stol të konsumuar si mbi një gur “magjik” të përdorur në lashtësi. Syri
shëtit drejt shtigjeve që tregojnë histori. Vendosëm të ndalemi dhe të shohim
nga afër një kalim të fshehtë që zbriste thellë është kodrës deri në Lumbardh.
Të
tregon Berati për këtë, duke e përshkruar, si në një pjesë romani të detajuar.
Është studiuar nga historianët dhe arkeologët, janë bërë gërmime arkeologjik,
duke zbuluar dëshmitë e qytetërimit që lindi këtu, dhe kanë nxjerrë në dritë
mjete guri, hekuri dhe materiale organike që lidhen me aktivitetet e njeriut në
shekuj.
Nga
lartësia thithim një ajër historie; një histori që lidhet jo vetëm me kalanë
sepse, një udhë e dukshme shkëputet në të majtë të saj duke shkuar më lart në
pyll, që të bëhet përkëdhelje nga flladi dhe ndjenja e qetësisë.
Do
të donim t'ju tregonim shumë më tepër për këtë kala. Ndoshta ndonjëherë tjetër
gjithçka, gjurmë, zbulime, një kuriozitet tjetër. Pas nj? përkujdesje dhe
investimi modest, drit?simi i themeleve t? saj, rrezaton dhe t?rheq vizitorë.
Kalaja
dhe të tjera kujtesa historike në morinë e vlerave epike të Prizrenit janë
marrë në mbrojtje të veçantë nga institucionet përkatëse. Ato përbëjnë një
shembull të shkëlqyer të restaurimit, mirëmbajtjes e trashëgimisë kulturore dhe
historike nga ana e Institutit Arkeologjik të Kosovës. Dhe çdo ditë vizitorët e pushtojnë, për të
lënë hapat e tyre, të tregojnë historitë e hapave të tjerë me shikime
kureshtare.
***
Zbritëm
në Prizren duke falënderuar mikun tonë Beratin për shoqërimin, për rrëfimet
rreth historisë së këtij qyteti të pakapshëm në vetvete me aq shumë kulturë e
trashëgimi.
Lumbardhi,
kalaja, kishat, xhamitë, rrugicat, çezmat, shtëpia e Lidhjes së Autonomisë, e
ndërtuan figurën e Prizrenit tek unë si kartolinë. A thua se aty është një
planet më vete!