E diele, 16.03.2025, 03:42 AM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Çfarë po ndodh sot? Huntington na e sugjeron një përgjigje

E marte, 11.06.2024, 07:00 PM


ÇFARË PO NDODH SOT?

HUNTINGTON NA E SUGJERON NJË PËRGJIGJE

Nga Prof. Blerim Latifi

Samuel Huntington, mendimtari i famshëm i "Përplasjes së Civilizimeve", e ka një libër tejet interesant mbi historinë e zgjerimit të demokracisë në dy shekujt e fundit. Libri quhet "Vala e Tretë". Aty Huntington përdorë një figurë hidrologjike për ta përshkru procesin historik të demokratizimit të shoqërive. Sipas tij çdo valë e demokratizimit është pasuar nga një kundërvalë e autoritarizmit.

Vala e parë e demokratizimit, nga viti 1828 deri në vitin 1922, është pasuar nga një kundërvalë, e filluar me fashizmin në Itali dhe lindjen e regjimeve tjera autoritariste në Europë, ku përfshihen edhe nazizmi, stalinizmi e frankoizmi. Kjo kundërvalë është shkaku kryesor i Luftës së Dytë Botërore.

Humbja e fashizmit në këtë luftë do të rezultonte me një valë të dytë te demokratizimit, midis viteve 1943-1962. Kjo valë, shkruan Huntington, ishte e shkurtër në kohë dhe e kufizuar në hapësirë. Ajo u pasua nga kundërvala autoritariste, e cila çoi në lindjen e regjimeve të reja autoritariste në Europë, Afrikë e Amerikë Latine.

Rënia e diktaturave në Portugali, Spanjë e Greqi, gjatë viteve '70, do të ndezte shkëndinë e valës së tretë të demokratizimit. Kjo valë arriti kulmin e saj me kolapsin total të komunizmit në Europë në fillim të viteve '90. Në atë kohë entuziasmi ishte aq i madh, saqë kjo valë e tretë u përjetua si triumf përfundimtar i demokracisë në botë. Por ky vlerësim doli të jetë i gabuar.

Ato që po ndodhin sot në botë, sfida e hapur e fuqive të mëdha autoritariste ndaj rendit liberal perëndimor, tkurrja e demokracisë në vende si Hungaria e Turqia, fuqizimi politik në rritje i lëvizjeve e grupacioneve të së djathtës ekstreme në Perëndim, në pikëpamjen e modelit të Huntington, paraqesin kundërvalën e tretë autoritariste ndaj valës së tretë të demokratizimit, të filluar gjysmë shekulli më parë.

Cili do të jetë fati dhe pasojat e kësaj kundërvale?, A do të ketë një valë të katërt të demokratizimit?

A do të zgjedh njerëzimi luftën e vështirë për lirinë apo nënshtrimin e lehtë ndaj diktaturave?

Këto mbeten për t'u parë në vitet dhe dekadat që vijnë.

___________

Merreni me mend pata durim me e lexu krejt tekstin fort të gjatë të deklaratës prej 49 pikash që dje u shpall në Beograd nga ai që atje po e quajnë "Kuvendi panserb".

Kjo deklaratë nuk e fsheh fare qëllimin e saj për të qenë programi i nacionalizmit serb për shekullin 21.

Një program i ri i shkruar me gjuhën e vjetër të nacionalizmit serb.

Një program i cili shpërfaq gjendjen e një kombi që ecë përpara, ndërsa shikimin e ka të ngulitur fort në të shkuarën. Aty, p.sh., gjendet mesjeta, shekulli 19, shekulli 20, por jo shekulli në të cilin po jetojmë.

Një program i një kombi që jeton në Europën e shekullit 21, por nuk ia zë goja të flas për integrim në strukturat e saj politike dhe ushtarake.

Një program i paralajmërimit të fqinjëve të Serbisë se ajo nuk e ka ndërmend të heq dorë prej revanshizmit historik ndaj tyre.

Një program i cili na tregon se krejt strategjia 25 vjeçare e Perëndimit për ta zbutur Serbinë përmes ledhatimit e favorizimit të saj, ka rezultuar me një zero të madhe.

Një program që duhet lexuar detyrimisht nga vëllezërit tanë në Tiranë, të cilëve, para pak kohe, u pat marrë koka erë derisa mundoheshin të na bindnin se Serbia ka ndryshuar për të mirë dhe se ne kishim mbetuar ata që nuk po ndryshonim.

Një program farsë, i cili nëse injorohet si ata të mëparshmit, premton të kthehet në tragjedi.

___________

Lëvizjet dhe organizatat gjykohen jo nga numri i të vrarëve në beteja, por nga shkalla e arritjes së qëllimeve politike. Kjo vlen edhe për Lidhjen e Prizrenit (1878). Ajo humbi shumicën e betejave ushtarake, sepse u gjet e vetme përballë të gjithëve, por në rrafshin politik ia doli të krijonte çështjen kombëtare shqiptare. Kjo do të thotë se shqiptarët tanimë ishin bërë pjesë e dinamikave të ekuilibrit të fuqive të mëdha në Ballkan. Dhe këtë më së miri e dëshmon ambasadori britanik në Stamboll, Lordi  George Goschen, i cili, në vitin 1880, i propozonte Londrës që si kundërpeshë të ndikimit rus në Ballkan, që ushtrohej përmes shteteve të reja sllave, të krijohej një Shqipëri e Madhe nga Mitrovica në Selanik. Ky është njeriu i parë që e përmend këtë term.

Që nga ajo kohë kanë kaluar 146 vite, bota dhe vetë Ballkani ka ndryshuar shumë, por një konstantë ka mbetur e njëjtë: shqiptarët si i vetmi faktor i sigurtë antirus në Ballkan.

___________

KUR VIJNË PËRVJETORËT E ÇLIRIMIT

Mbi varret e të rënve kryhen ritualet e nderimit.

Të vegjëlit u gëzohen duartrokitjeve teksa recitojnë vargje për lirinë,

e të rriturit vrapojnë të marrin merita e dekorata për të.

Politikanët e tregojnë historinë sipas disponimit elektoral të ditës,

e mbi varret pa shenja të të zhdukurve rritet bari i ri mbi barin e tharë të pranverës së shkuar.

___________

25 vjet ma parë krejt bota demokratike ishte e bashkuar rreth dhe për Kosovën.

25 më pas as dy kryeministra shqiptarë nuk takohen dot, se për bashkim as që bëhet fjalë.

Nëse diçka ka forcën e ligjit suprem tek shqiptarët, ai është inati personal mes tyre.

___________

Një prej efekteve tejet të rëndësishme të cilat i ka prodhu Banjska, është rikthimi në Kosovë me kapacitete të shtuara i shërbimeve të inteligjencës perëndimore. Në mënyrë të veçantë i një shërbimi prej të cilit krejt bota e ka mësu këtë zanat. Besoj e keni të qartê se pêr cilin është fjala. Këtij shërbimi UDBA i trembet porsi dreqi temjanit.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx