Editorial » Latifi
Blerim Latifi: 'Copëra të hutuara'
E enjte, 15.02.2024, 08:57 PM
Prof. Blerim Latifi:
Johann
Gottfried Herder është një ndër filozofët më të njohur gjermanë të Shekullit
18. Në historinë intelektuale të Perëndimit emri i tij lidhet me konceptimin
kulturalist të kombit (nacionalizmi kulturor), me teorinë e releativizmit
kulturor dhe etik, me literaturën e romantizmit gjerman, themelimin e studimeve
të kulturës popullore dhe rrymën e madhe filozofike të historicizmit.
Më
duhej një referencë nga libri i tij më i njohur “Ide për filozofinë e historisë
së njerëzimit” dhe falë mundësive të ofruara nga interneti, e gjeta shpejt.
Herder
e kishte botuar këtë libër në vitin 1785, katër vite pasi Kanti kishte
publikuar veprën e tij më të rëndësishme “Kritika e Mendjes së Pastër”.
Marrëdhëniet midis dy mendimtarëve nuk kishin asnjëherë të mira dhe nga kjo më
së shumti do të pësonte Herderi, ngase veprës së tij do t’i rezervohej një vend
minor në kanunet e historisë së filozofisë.
Libri
i tij “Ide për filozofinë e historisë së njerëzimit” është një tekst
shumështresor. Përveç interpretimit metafizik dhe teleologjik të historisë, në
të gjejmë edhe perspektivën antropologjike, pra përpjekjen për të na dhënë një
histori kulturore të popujve.
Në
librin 16, kapitulli 5, të veprës, në të cilin flitet për “Popujt e huaj në
Europë”, Herder shkruan se nga kjo kategori duhet përjashtuar shqiptarët dhe
vllehët, të cilët i quan mbetje të ilirëve, trakëve dhe maqedonasëve të lashtë.
Dhe shton : “Ata nuk janë të huaj, por fise të lashta europiane. Dikur ishin
kombe udhëheqëse; tani janë copëra të hutuara të gjuhëve dhe popujve të
ndryshëm”.
Termi
“copëra të hutuara” shpreh saktësisht gjendjen e shqiptarëve në Shekullin 18,
një gjendje kjo në prag të tretjes kulturore në popujt të tjerë. Realisht është
një lloj mrekullie se si shqiptarët gjatë shekullit pasues arritën që të
ngriheshin nga kjo gjendje pothuajse e pashpresë dhe të formoheshin si komb
modern. Dhe kjo ngritje ndodhi duke ndjekur pikërisht konceptin e Herderit për
kombin dhe duke e përdorur tezën e tij për autoktoninë e tyre si një armë
ideologjike në luftën kundër fqinjëve grabitçarë, serbëve, në njërën anë, që i
shpallnin turq dhe grekëve, në anën tjetër, që i shpallnin grekë të
pandërgjegjshëm.
Derisa
pretendimi grek ka kohë që i takon historisë, pretendimi serb ende vazhdon të
ushqehet, madje edhe përmes shumë budallëve shqipfolës. Sepse Serbia nuk po
arrin dot të bindet se Kosovën e ka humbur përfundimisht në vitin 1999.
___________
Sekretari
britanik i punëve të jashtme David Cameron u paska bërë thirrje amerikanëve që
të vazhdojnë pa hezitim mbështetjen e Ukrainës në luftën e saj me Rusinë.
Ua
paska kujtu edhe hezitimin që ShBA-të e kishin në fillimin e Luftës së Dytë
Botërore për t'u bashku në luftë kundër fashizmit.
Kjo
thotë shumë. E kaluara na tregon intuita e britanikëve për rrjedhën e historisë
gjithmonë del e saktë.
Edhe
sot, ata, më shumë se gjithë të tjerët, po këmbëngulin në përkrahjen ushtarake
të Ukrainës, sepse e dijnë se nëse nuk ndalet tash Rusia e Putinit, nesër
britanikëve do t'u duhet të zbarkojnë sërish në Normandi për ta çliruar Evropën
prej fashizmit rus dhe fashizmave lokalë të ushqyer prej saj.
Deshëm
ta pranojmë ose jo, historia përsëritet. Kush nuk do të marrë mësimet e duhura
nga ky fakt, e pastë veten në qafë.
___________
Duke
qenë njeri që, për arsye të profesionit, pjesën më të madhe të kohës e kaloj në
botën e librave, gëzohem sa herë shoh lajme për promovime librash në Kosovë.
I
lexoj me shumë kujdes këto lajme dhe nganjëherë më ngjallet shpresa se kultura
e librit dhe botimi i librave nuk ka marrë fund në kohën tonë të pushtuar nga
çmenduria e tik-tokut.
Por
sa herë që shtrohet çështja e botimit të librit, automatikisht del në rend dite
çështja e lexuesit.
Cili
është lexuesi sot tek ne?
Pothuajse
të gjithë treguesit flasin për reduktimin e tij në një pakicë të papërfillshme,
e cila nuk i tejkalon kufijtë e rrethit të miqëve të autorit. Sigurisht kjo
gjendje nuk kufizohet vetëm tek ne. Tendenca është pothuajse globale. Nisur nga
kjo Peter Sloterdijk na e kujton poetin romantik gjerman të para dy shekujve
Jean Paul, i cili i përkufizonte librat si "letra të trasha dërguar
miqëve".
___________
Fjalimi
i Vuçiqit, siç pritej: gënjeshtër e organizuar nga fillimi në fund. Fjalimi i
Kurtit: bollshëm i argumentuar. Fjalimi i përfaqësueses së SHBA: në fillim i
hidhur pak për Kosovën, i balancuar pastaj me kritikat e drejtpërdrejta për
Serbinë dhe me një përparësi në fund për Kosovën me qëndrimin se Këshilli i
Sigurimit nuk është vendi për të trajtuar problemet midis Kosovës e Serbisë.
Fjalimi i Britanisë anim kah Kosova. I Francës i balancuar midis kritikës për
Kosovën rreth vendimeve të fundit dhe ngrehjes së veshit Serbisë për Banjskën.
Leksioni
themelor i aleatëve për Kurtin nga ky takim: mos vepro krye në veti pa u
konsultuar me ne!