Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Pse gjuajmë me armë në dasma?
E enjte, 17.08.2023, 07:59 PM
Pse gjuajmë me armë në dasma?
Nga
Prof. Blerim Latifi
Kjo
gjuajtja me armë nëpër dasma është relikt i një forme të vrazhdë të martesës, e
cila ka qenë e përhapur gjithandej botës së lashtë, asaj mesjetare e deri në
fillimet e modernitetit. Fjala është për atë që quhet "martesa me
rrëmbim". Një fenomen i tillë ka qenë i shprehur kryesisht në shoqnitë
ekzogame, pra në shoqnitë që lejojnë martesën vetëm jashtë lidhjes fisnore. Një
grup njerëzish të armatosur sulen në një fis tjetër dhe me dhunë rrëmbejnë
vajzat e tij. Nëse ia dalin me sukses kësaj pune, ata kthehen si triumfatorë në
fisin e tyre duke shtënë me armë e duke brohoritur.
Letërsia
e vjetër është e mbushur me mite mbi martesën me rrëmbim. E kemi Rrëmbimin e
Sabinave në mitin e themelimit të Romës. Pastaj mitin e Rrëmbimit të Helenës
tek Iliada e Homerit.
Thuhet
se Konstandini i Madh ishte përpjekur ta zhdukte këtë lloj martese, por më kot.
Edhe kanunet kishtare kishin dështuar në këtë drejtim.
Në
historinë paramoderne të Ballkanit ky fenomen gjendet tek të gjithë popujt. Në
Eposin e Kreshnikëve një pjesë e madhe e heroizmave lidhet me rrëmbime grash.
Në Kanunin e Lekë Dukagjinit ka një referencë interesante që duket si gjurmë
përkujtuese e këtij fenomeni arkaik, të cilin Kanuni e ndalon. Aty krushqit
cilësohen në kët' mënyrë: "Krushqt vijn si grabitçarë e si një tubë cubash
at natë, per me ra pre e marrë nierin si rob të xanun, e s'vijn si miq".
Martesat
me rrëmbim kanë qenë akte të demonstrimit të fuqisë së fisit përballë fiseve të
tjera. Ka gjasa që edhe miti i errët i atyre që i njohim si "varreza të
krushqve" të ketë lidhje disi me këtë fenomen. Me ardhjen e modernitetit
ky model martese është zhdukur, por ajo që ka mbetur ende është ana simbolike e
tij, dalldia dhe të shtënat e grabitçarëve të natës.
_________________
Po
e shoh se në media kësaj bazilikës ku u zbulua mbishkrimi i perandorit
Justiniani i Parë, po i referohen si bazilikë paleokristiane. Ky përshkrim
është i gabuar.
Pse?
Nëse kjo kishë është e shekullit të gjashtë, ajo nuk mund të jetë
paleokristiane. Periudha historike e Paleokristianizmit, apo e Krishterimit të
hershëm, ka përfundu dy shekuj para ndërtimit të saj. Ai që quhet Krishterimi i
hershëm fillon në shekullin e parë me përhapjen e Ungjillit nga dishepujt e
Krishtit dhe përfundon në vitin 325 kur nën drejtimin e perandorit Konstandini
i Madh mblidhet Koncili i Nikesë, i cili e kodifikon doktrinën e besimit
kristian. Gjatë Krishterimit të hershëm nuk ka pasur bazilika e katedrale,
ngase në atë kohë të krishterët bënin një jetë pothuajse ilegale nën hyqmin
romak dhe as që bëhej fjalë për ndërtime kishash, aq më pak të përmasave të
bazilikave.
300
vjet pasi e kishte kryqëzuar Krishtin, Roma përqafoi besimin në të. Dhe kjo
falë një perandori që po ashtu vinte nga Dardania, Konstandinit të Madh.
_________________
7030
blerima qenkemi në Kosovë. Një ndër emrat ma të përhapur. Disa gjuhëtarë thonë se ky emër vjen prej
fjalës proto- shqipe *bl?r-. Disa e shohin të afërt me fl?rus të latinishtes, e
të tjerë shkojnë edhe ma larg duke e lidhur me blaros të proto-keltishtes.
Sidoqoftë emër i vjetër sa vetë historia.