E marte, 08.10.2024, 03:31 PM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Si t'i bëhet hallit kur të rriturit sillen si fëmijët?

E enjte, 20.07.2023, 07:59 PM


Prof. Blerim Latifi:

Kur ditë më parë në veri u arrestuan disa serbë që kishin marrë pjesë në protestat e dhunshme, zyrtarët qeveritarë vrapuan të thonë se "ja shikoni si i luftojmë ne kriminelët në veri". Pas çdo arrestimi dilte ministri i brendshëm për t'i marrë meritat. Opozita kundërpërgjigjej se "arrestimi i këtyre kriminelëve është meritë e prokurorisë dhe e policisë, e asapak e qeverisë".

Ditë më pas disa nga këta kriminelë janë liruar. Zyrtarë të shumtë opozitarë, pa humbur kohë, kanë dalë me akuzat drejtuar qeverisë për lirimin e tyre: shikoni qeveria po i liron kriminelët!

Kundërpërgjigjja e qeverisë: i ka liru prokuroria, jo ne; në Kosovë pushtetet janë të ndara.

Kur ishte në pyetje marrja e meritave, askujt nga qeveria nuk i shkonte mendja të ndarja e pushteteve,  ndërsa opozitës i shkonte, sepse donte ta privonte qeverinë nga meritat e pretenduara. Në rastin e lirimit të kriminelëve qeverisë i ra në mend se pushtetet janë të ndara, prandaj, sipas saj, përgjegjësia i takon sistemit të drejtësisë për këtë lirim. Ndërkaq, opozita, që në rastin e parë meritat për arrestimin e kriminelëve ia atribuonte këtij sistemi, për t'mos ja lënë qeverisë, tani përgjegjësinë për lirimin e tyre ia hedh qeverisë. Thirrja në ndarjen e pushteteve, e cila në rastin e parë i konvenonte, tani në rastin e dytë nuk i hyn në punë.

Ndaluni për pak dhe shikojeni këtë luftë për marrje meritash dhe hedhje faji mes pushtetit dhe opozitës!

Dallon fare pak, për të mos thënë se nuk dallon aspak, nga një lojë fjalësh mes fëmijëve. Sepse janë fëmijët ata që rëndom e përdorin kët' lloj logjike ziliqare në bisedat e tyre. Fëmijët arsyetohen, pikërisht me faktin se janë fëmijë. Por si t'i bëhet hallit kur të rriturit sillen si fëmijët? Aq më tepër kur të rriturit janë politikanë.

__________

Vetëvendosja për një kohë të gjatë ua pat nxi jetën kundërshtarëve të saj partiakë duke ua përmendur natë e ditë takimet me Radojçiqin. Tash këta po ia kthejnë me të njëjtën monedhë. Krejt sipas ligjit të lashtë të njerëzimit, lex talionis: sy për sy, dhëmb për dhëmb, gjak për gjak, përgjim për përgjim, Radojçiq për Radojçiq. Sidoqoftë, nëse vazhdon ky debat gjithëkosovar për Radojçiqin, ky tipi në fund ka me fitu epitetin e personalitetit të vitit 2023.

Ramadan Shabani, pleqnari i famshëm nga Kijeva, njëherë, derisa po rrinte me një plak tjetër duke e parë se si Drini kishte vërshuar dhe po përmbyste gjithçka që gjente përpara, i tha tjetrit: Shoq, njikshtu si Drini tash asht edhe budallaku; kur fryhet shumë e del prej shtratit na i prishë odat, kuvendet e burrninë.

__________

Një reformë e qeverisë e cila po mendohet se do të cënojë pavarësinë e sistemit gjyqësor, ka nxjerrë qindra- mijëra qytetarë në rrugët e Izraelit. Janë bllokuar sheshet, rrugët, autostradat. Një mobilizim i paparë më herët. Dhe me një qëllim të vetëm: të ruhet parimi që e bën të mundshme demokracinë, pra parimi i ndarjes së pushteteve. Diktaturat lindin në momentet kur ky parim thyhet. Këto protesta na flasin, para se gjithash, për nivelin e lartë të kulturës demokratike në shtetin e vetëm demokratik të Lindjes së Mesme. Qytetarët e Izraelit e dinë se mrekullia e shtetndërtimit të tyre dhe fati i tij, varen vetëm nga lidhja e fuqishme me sistemin demokratik të qeverisjes. Prandaj edhe janë ngritur kundër njeriut më të votuar në historinë e re të shtetit të tyre. Ja një shembull nga i cili mund të mësojë kushdo që beson në demokracinë, si forma ma e mirë e qeverisjes njerëzore. Ja një shembull që na mëson se votëbesimi i një lideri nuk duhet të marrë formën e një besimi të verbërt në të.

__________

Harry Frankfurt është filozofi që pothuajse katër dekada më parë e paralajmëroi atë që sot përbën patologjinë ma të rrezikshme të komunikimit publik: bullshitin.

Sipas Frankfurt kategoria e bullshitit nuk i përket kundërshtisë midis gënjeshtrës dhe të vërtetës. Ajo vepron jashtë kësaj kundërshtie. Bullshiteri, krijuesi i bullshitit,  nuk është gënjeshtari, sepse derisa gënjeshtari vazhdon të shqetësohet për të vërtetën, bullshiteri është plotësisht indiferent ndaj saj. Ai nuk shqetësohet fare për raportin gënjeshtër- e vërtetë. Atij nuk i intereson fare logjika e asaj që thotë, vërtetësia ose pavërtetësia e saj.

I çliruar nga rregullat e të folurit logjik dhe nga presioni i imperativit moral të së vërtetës, bullshiteri i lejon vetes të thotë çfarë t'i teket dhe si t'i teket, në funksion të arritjes së qëllimit. Në këto kondita ai e sajon botën e tij të komunikimit, e cila dominohet nga bullshiti, pra nga budallallëqet, marrëzitë, absurditetet dhe qyfyret e të gjitha llojeve. Bullshiteri ndihet krenar kur qyfyret e tij dëgjohen dhe afektojnë të tjerët. Ai ndihet i deprimuar kur nuk ia del këtij qëllimi.

Mjafton të shikojmë xhunglën e sotme komunikative në rrjetet sociale, si dhe rivalitetet digjitale politike, për të parë se sa i saktë ishte Harry Frankfurt në paralajmërimin e tij për ardhjen e kohës së bullshitit, pra kohës në të cilën sfera e komunikimit publik pushtohet nga budallenjtë.

Ky mendimtar i madh amerikan vdiq dje, duke na lënë trashëgim një vepër të pasur filozofike, e denjë për t'u evidentuar në Kanunin Intelektual Perëndimor.

__________

Plak, festa jote ma e dashtun mbrrini: gruni u pjek e gati asht për korrje.

Ta kam dhanë fjalën se nji buqetë me kallinj t'grunit t'pjekun kam me ta vnue mbi vorr dhe ja sot erdha.

S'e kunorë ma t'bukur nuk kishe me dashtë. S'e, qysh ke pasë qejf me thanë, me lanë tokë djerrinë asht si me dekë për s'gjalli.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora