Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Zëri aktual i filozofit të pushkatuar 79 vjet më parë
E hene, 05.06.2023, 07:58 PM
Zëri aktual i filozofit të pushkatuar 79 vjet më parë
Nga
Prof. Blerim Latifi
Në
nëntorin e viti 1944 trupat gjermane po bëheshin gati për ta braktisur Tiranën
dhe njësitet partizane kishin filluar të zbrisnin nga malet dhe të hynin në
perferinë e saj. Këto grupe menjëherë do të fillonin raprezaljet mbi ata që në
listat e tyre figuronin si bashkëpunëtorë të armikut. Natyrisht ato ishin lista
të hartuara sipas qejfit dhe pa prova e dëshmi. Dhjetëra intelektualë do të
pushkatoheshin pa gjyq. Në mesin e tyre edhe filozofi e publicisti Nebil Çika.
I lindur në Borsh të Sarandës, ai do të shkollohej në shkollat franceze të
Korfuzit dhe Stambollit. Mes dy luftëtrave botërore, Nebil Çika do të drejtonte
disa nga gazetat më të njohura në Shqipëri. Në këto gazeta ai do të bënte të
pamundurën që të themelonte një kulturë filozofike, e cila aq shumë i mungonte
kulturës shqiptare, shkollave shqiptare dhe mendimit politik shqiptar.
Në
vitin 1943 do të botonte librin “Njëmendësia shqiptare”. Mjafton të lexojmë
eseun “ Djalëria dhe utopia”, të botuar në këtë libër, për të parë nivelin e
lartë të refleksionit filozofik të cilin autori e zotëronte. Kjo ese të kujton
filozofët e mëdhenj të Perëndimit të cilët janë marrë gjerësisht me fenomenin e
utopisë, të tillë si Ernst Bloch e Karl Popper.
Nebil
Çika u pushkatua jo se ishte fashist, sepse ai nuk ishte i tillë. Ai i kishte
kaluar shumë vite i internuar në kampet e Musolinit në Itali. Ai u pushkatua
sepse ishte nacionalist dhe se në librin e tij e mbronte hapur idenë se
bashkimi i Kosovës me Shqipërinë ishte dhe të do mbetej kushti i domosdoshëm që
kombi shqiptar të mund të kishte te ardhme. Ai e denonconte hapur atë që e
quante përkushtim retorik të Shqipërisë ndaj çështjes së Kosovës. Poshtë këtij
përkushtimi retorik, ai hetonte të vërtetën e hidhur të indiferentizmit të
elitave të Shqipërisë ndaj kësaj çështjeje. Në këtë kontekst, ai do të
shkruante : “ E kam pyetur veten shpesh se nga rrjedh ky indiferentizëm? U
gjenda përballë një humnere, përpara një njëmendësie të tmerrshme: dashuria
jonë për Kosovën qenka e dënuar të mbetet një subjekt manifestimesh retorike.
S’është bërë akoma ide-shtysë veprimtarie. Ndoshta sepse nuk e quajmë akoma
tonën Kosovën. Po, deri diku kështu duhet të jetë puna, ndoshta sepse nuk duam
t’u besojmë syve tanë, meqenëse Kosovën nuk e morëm, por na u fal prej tjetër
kujt ( është fjala për bashkimin e vitit 1941), dhe ndoshta nuk kemi besim se
kthimi i Kosovës në gjirin e Shqipërisë është i sanksionuar edhe për të
ardhmen. Nuk kemi ndoshta besim, sepse ndoshta e ndjejmë se nuk kemi bërë gjë
për këtë kthim dhe pra s’e kemi të drejtë. Është një gjendje shpirti shumë e
çuditshme kjo, dhe krejt false. Kosova është e jona, sepse është shqiptare.
Kosovarët janë shqiptarë e çdo shqiptar është i Shqipërisë. Këtu s’ka fjalë”.
Më
tutje Nebil Çika e parasheh të ardhmen me saktësi : “Dhe paqe e drejtë, paqe e
vazhdueshme, bile shkurtas paqe s’mund të ketë në Ballkan nëse Kosova do të
jetë përsëri mollë grindjeje. Ne na imponohet tani vetëm një gjë : të jemi gati
t’i japim botës mbarë provën e gjallë se ne nuk e lëshojmë më Kosovën veçse kur,
pasi t’i bëjmë të gjitha përpjekjet, të mos mundemi ta mbrojmë më, dhe nesër ta
kërkojmë përsëri. Duhet të jemi gati për t’i provuar botës se Kosova është
tanimë një çështje jetësore dhe etike për ne. Etike këtu do të thotë çështje
nderi. S’mund t’i dorëzojmë më kosovarët te kasapët e tyre, pse këtë rradhë nuk
do të mbetet këmbë prej tyre…Unë besoj se ky problem i yni etik do të merret
parasysh prej të gjithë botës, nëse ne do ta shtyjmë botën të marrë parasysh.
Dhe këtë gjë s’mund ta bëjmë nëse nuk do të jemi të përgaditur, domethënë të
organizuar, për një gjë të tillë, me fjalë të hapta nëse nuk do të jemi në
gjendje që ta mbrojmë me armë Kosovën”.
Ky
ishte Nebil Çika dhe fakti se sot kombi shqiptar ende ka probleme serioze, si
asnjë komb tjetër në Europë, mund të shpjegohet edhe me fatin e tij tragjik.
Intelektualëve si ai, jo që nuk u është dhënë rasti të jenë aty ku duhet të
jenë, por për më keq ata janë margjinalizuar, persekutuar e pushkatur. Dhe
numri i tyre është tmerrësisht i madh.
Edhe
një gjë për fund: përkushtimi retorik ndaj Kosovës dhe indiferentizmi real ndaj
saj brenda politikës së Tiranës, të cilët Nebil Çika i denonconte shumë dekada
më parë, ende frymon koridoreve dhe zyreve të shtetit shqiptar. Fatkeqësisht.
Prandaj edhe ndodhë që kur dridhet Kosova, efektet e dridhjes ndihen fare pak përtej Kalimashit. Për të mos
thënë që nuk ndihen fare.