Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Dhuna është variabël e varur nga pushteti
E premte, 04.11.2022, 07:58 PM
Prof. Blerim Latifi:
Ekziston
një rrymë opinioni brenda ideologjisë feministe e cila e afirmon idenë e
superioritetit moral të grave në raport me burrat.
Thelbi
i kësaj ideje është se gratë janë më humane dhe më paqësore se burrat.
Videoja
ku shfaqen tri vajza të reja duke dhunuar e poshtëruar një grua të moshuar në
një shtëpi pleqësh në Pejë, përbën një shembull tjetër që e përgënjështron kët'
mit feminist.
Dhuna
nuk është variabël e varur nga përkatësia gjinore. Është variabël e varur nga
pushteti. Ajo shpërthen kudo ku vendoset një lidhje toksike midis egoizmit të
një individi dhe pushtetit që ndodhet në duart e tij. Dhe kjo vlenë qoftë individi
burrë ose grua.
Në
këtë kontekst gratë duken të jenë më paqësore dhe humane, jo për shkak të
përkatësisë së tyre gjinore, por për shkakun se pushteti nuk ka qenë në duart e
tyre. Jepuni grave pushtetin, të cilin tradicionalisht e kanë pasur burrat, dhe
do të shihni se çfarë do të bëjnë me të! Do të keni një riciklim të historisë
së dhunës nën udhëheqjen e grave.
Në
këtë pikëpamje, është filozofia liberale ajo e cila qëndron më afër zbërthimit
të enigmës së dhunës. Kudo ku ka pushtet, aty ekziston edhe rreziku i dhunës.
Sa më i koncentruar pushteti, aq më i madh është ky rrezik. Prandaj, ka vetëm
një rrugë për ta minimizuar këtë rrezik: decentrimin e pushtetit, ndarjen e
tij, shpërndarjen e tij, dhe përfundimisht vendosjen e ushtrimit të tij nën sovranitetin
strikt të ligjit.
_________
Dhuna
mbi të dobëtin, mbi atë që nuk mund të mbrohet, paraqet formën më të shëmtuar
të destruktivitetit njerëzor.
Sot
e pamë një rast të kësaj dhune në një shtëpi për të moshuarit në Pejë. Ato
pamje të këpusin shpirtin.Të lënë pa fjalë. Sepse gjuha është e pafuqishme për
ta shprehur barbarinë e monstruozitetin e ushtruar mbi një plakë të pambrojtur.
Drejtësia
nuk duhet të ndalet vetëm ndëshkimin e merituar të autoreve të këtij krimi!
Duhet
filluar menjëherë një inspektim i plotë i qendrave të përkujdesit për të
moshuarit!
Të
kuptohet nëse ky rast është thjesht një rast i izoluar, apo tregues i ndonjë
dukurie të përhapur të abuzimit me të moshuarit në këto qendra.
_________
Ka
dy mënyra për të bërë filozofi: t'i edukosh të tjerët me idenë e lirisë dhe të
luftosh për të. Ky në foto ishte një studenti i filozofisë, që mendonte se mes
këtyre dy mënyrave nuk ka shkëputje. E para natyrshëm shpie tek e dyta. Ai quhej Afrim Zhitia. 33 vite më parë ai ra
në përpjekje të armatosur me armiqtë e lirisë së atdheut të tij. Bashkë me
shokun e tij Fahri Fazliun. Ishte vetëm 24 vjeç. Nuk u bë dot profesor
filozofie, për t'u mësuar të tjerëve Hegelin dhe Kamynë, por u bë shembull i
heroit hegelian që mposhtë frikën nga vdekja, si hap i parë drejt çlirimit, dhe
shembull i njeriut të revoltuar të Kamysë, që zgjedh të vdes në këmbë dhe jo të
jetoj i gjunjëzuar.