Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Debati filozofik mbi rrënjët e të keqes
E marte, 30.08.2022, 07:52 PM
Debati filozofik mbi rrënjët e të keqes
Nga
Prof. Blerim Latifi
Filozofia,
qysh prej kohëve të hershme të saj, është marrë me çështjen e "rrënjëve të
së keqes".
Prej
nga vjen e keqja?
Kush
e shkakton atë?
A
janë rrënjët e të keqes brenda natyrës njerëzore, apo në mënyrën e ndërtimit të
shoqnisë njerëzore?
Përgjigjet
në këto pyetjet përbëjnë atë që njihet si antropologjia filozofike.
Një
pjesë e bashkëkohorëve të Sokratit, të cilët quheshin sofistë, mendonin se e
keqja është e rrënjosur në natyrën njerëzore, prandaj janë të nevojshme
institucione dhe ligje të forta për ta mbajtur nën kontroll egërsirën që jeton
brenda njeriut.
Të
tjerë e mendonin të kundërtën: njeriu për nga natyra është qenie e mirë, por
janë institucionet dhe ligjet e këqija ato që e prishin mirësinë e tij natyrore
dhe e kthejnë njeriun në monstrum. Zgjidhja e problemit të se keqes, për këta
mendimtarë, është reforimimi i ligjeve dhe institucioneve. Ligjet e mira e nxjerrin
në pah mirësinë natyrore dhe e keqja zhduket vetvetiu.
Vetë
Sokrati kishte një mendim tjetër.
Sipas
tij rrënjët e të keqes nuk lidhen as me natyrën njerëzore, as me ligjet e
institucionet sociale, por me paditurinë. Sa më të paditur e më të paedukuar të
jenë njerëzit, aq më të prirur do të jenë drejt të keqes. I gjithë Iluminizmi
europian mbështetet në këtë bindje sokratike: Nëse doni të çrrënjosni të keqen
mes njerëzve, arsimoni ata!
Por
kjo maksimë iluministo- sokratike, qysh në krye të herës, është parë si
problematike.
Aristoteli
e kritikon Sokratin përmes konceptit të akrazisë. Akrazia shpreh situatën në të
cilën njeriu edhe pse i njeh standardet morale të sjelljes, është i edukuar me
to, ai përsëri vepron në kundërshtim me to.
Janë
të pafundëm shembujt që na tregojnë për njerëz të arsimuar që kanë bërë krime
nga më mizoret. Nuk kishte shoqëri më të arsimuar se shoqëria gjermane në
gjysmën e parë të shekullit XX, por kjo nuk e frenoi lindjen brenda saj të
ideologjisë naziste, e cila prodhoi Holokaustin.
Krejt
kjo duket se na rikthen tek etatistët, si puna e Hobsit, të cilët janë të
mendimit se ndërgjegja dhe edukata janë të pafuqishme përballë egos njerëzore,
e cila nxitë vazhdimisht njeriun që t'i përdorë të tjerët si mjete për të
kënaqur veten, prandaj janë të nevojshme ligje të rrepta për ta disiplinuar
atë. Por, sigurisht, edhe formula e Hobsit nuk është pa rreziqe.
Kush
ka të drejtë në këtë debat të madh filozofik? Po ua lë ta gjykoni vetë.
Unë
personalisht mendoj se "akrazia" e Aristotelit dhe "egocentrizmi
antropologjik" i Hobsit, kanë vlera më të mëdha shpjeguese. Natyrisht, jo
përfundimtare dhe absolute.