E diele, 06.10.2024, 12:07 PM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Politika është vazhdim i luftës me mjete të tjera

E enjte, 25.08.2022, 07:55 PM


Blerim Latifi:

Studiuesit e shtetit debatojnë shumë mbi kriteret që e përkufizojnë shtetin modern.

Joseph S.Nye, një ndër mendimtarët politikë më të rëndësishëm amerikanë, vë theksin tek disa kritere që për të janë themelore:

- Të jesh shtet duhet të njihesh e të pranohesh si i tillë- nga shtetet tjera. Në këtë kuptim, të jesh shtet ngjason, deri diku, me anëtarësinë në një klub: duhet pranuar si i tillë nga anëtarët e tjerë.

-Tjetri kriter: ekzistenca e një qeverie në gjendje të ushtrojë kontroll de fakto mbi një territor të caktuar.

- Tjetri: populli duhet ta konsiderojë legjitime qeverinë e tij.

- Tjetri: populli që ka krijuar shtetin e tij duhet të ketë qenë historikisht i shtypur.

Kjo na shpjegon se pse Beogradi gjithë diplomacinë e tij e ka orientu në pengimin e njohjeve të reja të pavarësisë se Kosovës, përmes trazirave në veri përpiqet ta pengojë kriterin tjetër të shtetësisë së Kosovës, atë të kontrollit de fakto të qeverisë së Prishtinës në gjithë territorin e saj.

Prandaj veriu nuk është çështje targash, por betejë për një kriter, pa të cilin nuk mund mund të jesh shtet, në kuptimin juridik e politik të kësaj fjale. Targat janë veç njëri aspekt i dukshëm i këtij kriteri.

Ndërsa sa i përket kriterit historik, duke i mohuar krimet e kryera në Kosovë nga shteti serb, Beogradi synon të anashkalojë kriterin që i jep legjitimitet pavarësisë së Kosovës: shtypjen historike të shqiptarëve të Kosovës nga regjimet e ndryshme serbe.

Ne nervozohemi pse Serbia nuk po i pranon krimet e saj në Kosovë, por nëse ajo do ta bënte një gjë të tillë, do ta njihte legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës.

Ne nuk duhet të humbim kohë duke kërkuar që Serbia t'i pranojë krimet, por të mos lejojmë që e vërteta e tyre të zbehet, sepse nëse ajo zbehet, atëherë zbehet edhe njëri nga argumentet themelore etiko-juridike të pavarësisë sonë.

Klausevici thotë se lufta është vazhdim i politikës me mjete të tjera. Edhe e kundërta është po aq e vërtetë: politika është vazhdim i luftës me mjete të tjera.

_________

Çfarë zbulimi arkeologjik në Ulpianën dardane: katedrale madhështore e shekullit të gjashtë, moshatare me Hagia Sophia-n e Konstantinopojës.

Dhe në përmasa të përafërta me të.

E ngritur në një kohë para dyndjeve sllave në Ballkan, kur në Konstantinopojë sundonte perandori Justinian, vendlindja e të cilit ishte në Dardani.

Ky zbulim na tregon se Kosova mbetet ende terren i paeksploruar arkeologjik.

Edhe një gjë: kjo katedrale na tregon se kur në këtë tokë ngriheshin tempuj të tillë për t'iu lutur Zotit abrahamik, disa të tjerë, që sot na shesin mend, vazhdonin të sajonin zota prej balte te pjekur.

_________

Katër shtetas çekë qenkan arrestuar nga policia pasi janë kapur teksa fotografonin pranë fabrikës së armëve në Poliçan.

Ky lajm më kujton diçka të rëndësishme që lidhet ne historinë ma të re të Kosovës: i gjithë baroti i UÇK- së ka qenë prodhim i kësaj fabrike. Neve nuk na jepte armë askush, përveç Shqipnisë.

Pa Poliçanin nuk do të kishte UÇK.

_________

Ditë më parë Shqipëria u godit nga një sulm kibernetik, me gjasë, siç u tha, nga Irani.

Dje (20-08-22) tre agjentë rusë, të maskuar si turistë rrënojash, sulmuan ushtarët shqiptarë pranë Uzinës së Përpunimit të Armëve në Gramsh, gjatë tentativës për të hyrë aty.

Neve, ndërkaq, Serbia po na kërcënon me banda kriminelësh të armatosur në veriun e Kosovës dhe me masa tjera të luftës hibride, p.sh. përmes fushatave të dezorientimit publik, në të cilat qytetarëve dhe institucioneve kosovare u duhet të merren me çështje të mesjetës, çështje të cilat bota moderne i ka zgjidhë para 400 vitesh.

Krejt kjo e ka një arsye të qartë: shqiptarët janë aleatët e vetëm të padiskutueshëm të Perëndimit në Ballkan, prandaj edhe do të vihen në shënjestër destabilizimi nga shërbimet sekrete ruse. Kuptohet me ndihmën konkrete të bashkëpunëtorëve të tyre përjetësisht besnikë në Beograd dhe mashave shqipfolëse të këtij të fundit.

Prandaj, ka fort gjasa që vjeshta e cila po vjen, do të na sfidojë seriozisht me ngjarje dramatike.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora