Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Xhevdet Bajraj ishte zotni në poezi dhe në jetë
E enjte, 23.06.2022, 07:06 PM
Blerim Latifi:
Dita
kur Britania e Madhe vendosi të dalë nga Bashkimi Europian, është dita kur ka
vdekur procesi i zgjerimit të tij me anëtarë të rinj.
Prandaj
më kot vendet e Ballkanit Perëndimor presin të integrohen në BE. Ata që ende u
besojnë premtimeve të Brukselit, duket të kenë probleme bazike me të kuptuarit
e realitetit. Edhe nëse Bullgaria nuk do të vendoste veton për Maqedoninë e
Veriut, me siguri do te shpikej një arsye tjetër për mos i hapur negociatat me
Shkupin e Tiranën.
Në
anën tjetër Kosovës nuk i liberalizohen vizat sepse pesë vende të BE-së nuk e
njohin pavarësinë e saj dhe Franca nën Macronin i është rikthyer linjës së
dikurshme të politikës proserbe. Duke u munduar të ndalojë rritjen politike të
ekstremistes Marinë Le Pen, Macron përditë e më shumë po i ngjanë asaj sa i
përket qëndrimeve mbi çështjet ballkanike.
Viktima
e madhe në këtë mes është Shqipëria, pacifizmi dhe konstruktiviteti absolut i
të cilës në tridhjetë vitet e fundit jo që nuk po shpërblehet, por përkundrazi
po nëpërkëmbet.
Po
pse ende u premtohet integrimi në BE vendeve të Ballkanit Perëndimor, kur
tanimë dihet se ky integrim është vetëm një retorikë boshe?
Thjesht
dhe vetëm nga frika se nëse u tregohet e vërteta, atëherë këto vende mund të
rrëshqasin në kaosin e trazirave të reja, trazira që natyrshëm do të vinin nga
fundi i ëndrrës europiane.
_____________
Kështu
e ka kjo punë: n'opozitë populizmi shkëlqen, i çon peshë zemrat e njerëzve me
poezitë e tij epike, ndërkaq, në pushtet bëhet gazi i botës.
_____________
Xhevdet
Bajraj ishte zotni në poezi dhe në jetë. Dje e mori morti. Larg atdheut, të
cilit, si pak të tjerë, diti t'i këndoj me një kulturë të lartë poetike. Ai
pati fatin e shumë poetëve të tjerë shqiptarë, të cilët vdiqën duke ëndërruar
që t'i mbyllin sytë duke parë tokën dhe qiellin e vendlindjes. Xhevdet Bajraj e
parandjeu këtë fat edhe për veten e tij. Dhe na e la si dëshmi poetike:
Dua të vdes por pak më
ndryshe se ç'po vdes
dua të shtrihem në një
copë dheu Kosove
para se t'i mbyll sytë
dua t'i shoh e t'i marrë
me vete
ca kokrra rrushi të
Rahovecit