Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Rama po vazhdon të bëjë apologjinë e Vuçiqit
E marte, 12.04.2022, 07:11 PM
Blerim Latifi:
Rama
po vazhdon të bëj apologjinë e Vuçiqit. Tash edhe për militarizimin e Serbisë.
Serbia po armatoset për vetëmbrojtje, paska thënë. Do të thotë Serbia na qenka
e rrezikuar. Po prej kujt? Rama duhet të na e thotë. Mos vallë prej Kosovës?
Apo prej Malit të Zi? Apo prej Bosnjës? Kështu si ka filluar mos të çuditemi
kur një ditë Rama të dalë dhe të thotë se edhe plani i BIA-s për ta vrarë Dick
Martyn është bërë për vetëmbrojtjen e Serbisë. Logjika kur e humb sensin e
realitetit prodhon konkluzione nga më të çuditshmet.
Nga
historia e dimë se agresionet më mizore janë bërë pikërisht në emër të
vetëmbrojtjes. Hitleri u sul mbi Poloninë në emër të vetëmbrojtjes së
Gjermanisë. Milosheviqi i dogji Kroacinë, Bosnjën e Kosovën poashtu në emër të
vetëmbrojtjes së Serbisë. Putini po e shkatërron sot Ukrainën në emër të
vetëmbrojtjes së Rusisë.
Vetëmbrojtja
në gojën e autokratëve është eufemizëm për planet e tyre të agresionit.
Natyrisht, Vuçiqi bën pjesë në familjen e tyre. Sot nuk i mban të veprojë si
ata, sepse nuk janë rrethanat, por militarizimi i Serbisë na e tregon qartë se
ai beson në ardhjen e çastit të volitshëm.
Por
krejt këto nuk kanë kuptim për një njeri që ka rënë në gjumin e ëndrrave të
ditës të Ballkanit të Hapur.
E
zgjimi nga ëndrrat e ditës është zgjimi më i vështirë, thotë Ernst Bloch.
___________
Mediat
po shkruajnë se gjashtë aeroplanë transportues kinezë zbritën në Beograd me një
ngarkesë të sistemeve raketore HQ-22 për ushtrinë serbe. Po ashtu ditë më parë
Serbia njoftoi se po blenë 12 avionë luftarakë nga Franca. Këto janë vetëm
zhvillimet e fundit në militarizimin e hovshëm të cilin është duke e bërë
Serbia viteve të fundit.
Pse
gjithë ky militarizim?
Nga
kush kërcënohet Serbia? Është e qartë se nga askush. Në fakt e vërteta eshtë se
ajo po përpiqet të krijojë një asimetri të madhe ushtarake me fqinjët e saj në
Ballkanin perëndimor. Kjo vetvetiu e bën shtetin më të rëndësishëm në rajon. E
kur je më i rëndësishmi, atëherë edhe interesat tua merren parasysh para
interesave të të tjerëve.
Ndërkaq,
ne çka bëjmë?
Atë
që e kemi bërë gjithmonë, e që Fishta e thotë me ironi goditëse: Pijmë mastikë,
e qesim petlla n'ujë.
___________
Maj,
1999. Koshare. Pozicionet poshtë vrojtoreve të kufirit, përballë Molliqit dhe
Botushës, bashkë me Nehat Shalën, bashkëluftëtarin tim nga Kishnareka e
Drenasit, i cili u nda nga ne dy vite më parë.
I
paharruar do të jetë kujtimi për të dhe për 114 shokët tanë që dhanë jetën në
Betejën e Koshares për çlirimin e Kosovës.
___________
Para
nesh shtrihej Rrafshi i Dukagjinit, madhështor dhe i veshur me ngjyrat e para
të pranverës. E kur qielli ishte shume i pastër mund të shihnim edhe përtej
tij. Sa shumë e donim atë pamje nga lartësitë e Kosharës. Secili nga ne
ëndërronte ditën kur do të preknim atë tokë. 114 prej nesh nuk e arritën atë
ditë, sepse, siç thotë poeti i madh amerikan Walt Whitman, heronjtë më të mirë
nuk do të kthehen kurrë në shtëpi.
___________
Dick
Marty : “kërcënimi ndaj meje me sa duket vjen nga qarqe të caktuara të
shërbimeve të inteligjencës serbe, të cilët i kërkuan botës së krimit, vrasësve
profesionistë, të më likuidojnë thjesht për t’ua vënë fajin kosovarëve".
Eh,
sa punët e ndyta i kryen UDBA brenda e jashtë Kosovës për t'na paraqitur para
Europës si një shoqëri ku lulëzon fryma antieuropiane.
Të
gjitha do të dalin një ditë.
Kështu
si ky plani për ta eleminu Martyn dhe për t'ua lënë fajin shqiptarëve.
___________
Serbia
votoi pro përjashtimit të Rusisë nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut në
Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Rama, i paduruar për ta parë Vuçiqin në
anën e duhur të historisë, doli dhe e përshëndeti këtë votim. Nuk vonoi dhe
erdhi shpjegimi i Vuçiqit: votuam për shkak të presionit e shantazhit të madh,
sepse e kishim ndërmend të abstenonim.
Tash,
Ramës, që po brengoset aq shumë për fytyrën e Vuçiqit, i mbetet të gjej një
frazë tjetër për ta mbuluar atë që vetë Vuçiqi nuk po do ta mbulojë. Mjerimi
politik brina nuk ka!
___________
Nuk
është yll Hollywood-i. Është yll i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nga më të
mëdhenjtë e saj. Agim Ramadani.