Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Feja!
E marte, 05.04.2022, 09:19 PM
Blerim Latifi:
Feja
konsiderohet nga njerëzit e thjeshtë si e vërtetë, nga të mençurit si iluzion
dhe nga sundimtarët si e dobishme, thotë një urti e lashtë romake. Saktësia e
kësaj urtie është provuar me mijëra herë e vazhdon edhe sot të provohet.
Njerëzit e thjeshtë nuk janë mendimtarë, sepse as nuk kanë kohë e as mundësi të
jenë të tillë, kështu që ata mjaftohen me të besuarit në tregime të mira për
fatin e tyre. Duhet të kuptohet nevoja e tyre për besim! Sidomos në kohët e
krizave ekzistenciale nëpër të cilat kalojnë shoqëritë.
Të
mençurit, të cilat e kanë kohën e nevojshme për refleksione logjike, e kuptojnë
se shumëçka në këto tregime të bukura nuk i qëndron dot arsyetimit logjik.
Prandaj ata mbajnë gjithmonë një distancë kritike me to. Ndërkaq, politikanët
fenë e shohin gjithmonë si një instrument të dobishëm për t’i manipuluar
ndjenjat e njerëzve të thjeshtë në llogari të pushtetit të tyre, gjëja e vetme
që realisht u intereson. Por, kur bie rasti që politikanët të jenë shumë
injorantë, atëherë ndodhë një përdorim tjetër: grupet fetare i përdorin ata për
qëllimet e tyre. Këtu qëndron edhe arsyeja pse grupet me agjenda fetare
gjithmonë investojnë në politikanë të këtij lloji.
_________
Mbi
6000 shqiptarë në Luginë të Preshevës nuk kanë mundur të votojnë në zgjedhjet e
djeshme (03-04-22) në Serbi. Adresat e tyre janë pasivizuar dhe fshi nga
administrata shtetërore serbe. Kështu spastrimi etnik në Luginë të Preshevës po
vazhdon në mënyrë të heshtur, graduale dhe të pandalshme. Akti i fundit i
dramës së Toplicës, të nisur me 1876, po luhet tani para syve tanë dhe ne nuk
jemi të zotë të bëjmë asgjë, përveçse të bëjmë ndonjë deklaratë, e cila në fund
të ditës përfundon në koshin e lajmeve të vjetra. Tirana zyrtare edhe më keq:
asnjë deklaratë nuk është në gjendje ta lëshojë. Arsyeja është e qartë: bontoni
i Ballkanit të Hapur nuk ia lejon. Kështu, fataliteti i historisë shqiptare që
e ka emrin Tkurrje Territoriale, po vazhdon.
_________
Prej
mijëra vitesh përsëritet i njëjti ligj: kur një agresor e ndjen se po e humbet
luftën, ai bëhet edhe më mizor dhe më barbar në krimet e tij. Këto janë pamjet
e rrugëve të qytetit Buça në Ukrainë: gjithandej civilë të masakruar nga
pushtuesit rusë, para tërheqjes. Krejt njëjtë si në Kosovë: kur pushtuesit
serbë po e ndjenin humbjen e luftës, filluan barbaritë e tyre më të mëdha, në
Izbicë, Mejë, Suharekë, Gjakovë, Rezallë, Verboc, gjithandej fshatrave e
qyteteve të Kosovës.Donin ta mbysnin në gjak gjithë Kosovën para kapitullimit.
Këto
pamje mizore nga Buça na e qartësojnë edhe më shumë arsyen pse kriminelët serbë
të luftës e adhurojnë Putinin. Është vëllazëria krimogjene ajo që i bën bashkë.