Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Putini po ndjek të njëjtën rrugë si Hitleri
E shtune, 22.01.2022, 07:22 PM
Blerim Latifi:
Historia
politike e njerëzimit na tregon se është në natyrën e shteteve të mëdha krijimi
i zonave të influencës jashtë territorit të tyre.
Ajo
çfarë po bën Rusia aktualisht është një përpjekje e madhe për të rifutur nën
influencën e saj të plotë territoret e ish Bashkimit Sovjetik. Ukraina, e cila
hapur ka anuar kah Perëndimi, po goditet pikërisht për këtë qëllim.
Nëse
Perëndimi i lëshon udhë Rusisë në Ukrainë, fatin e saj shpejt do ta pësojnë tri
shtetet e vogla baltike, Letonia, Lituania dhe Estonia.
Por
apeti rus nuk përfundon në kufijtë e ish Bashkimit Sovjetik. Ai ëndërron edhe
zonën ballkanike të influencës ruse, të cilën e kishte Rusia Cariste deri në
Luftën e Parë Botërore. Kryengritja e Dodikut në Bosnjë, turmat proserbe që po
kërcënojnë rrugëve në Mal të Zi, blerja e vazhdueshme e armëve të reja nga
Serbia, janë lëvizje të frymëzuara nga ky apetit gjeopolitik rus.
Europës
së përgjumur nga ëndrra tridekadëshe e Rusisë paqësore, duket se ende nuk po i
besohet ajo çfarë po ndodhë në dyert e saj.
Putini
po ndjek të njëjtën rrugë si Hitleri dikur. Madje edhe motivi është i njëjtë.
Njësoj si Hitleri, Putini ka bindjen se rendi liberal perëndimor është i
diskredituar dhe ky është momenti i duhur kur duhet t'i jepet edhe një goditje
vdekjeprurëse.
Ku
jemi ne në këtë dramë të madhe?
Rikthimi
i armiqësive midis Rusisë dhe Perëndimit e bën shumë të rëndësishëm pozicionin
e shqiptarëve në Ballkan dhe nga kjo shqiptarët mund të përfitojnë një rrugë të
shkurtuar të integrimit të plotë në botën perëndimore. Kuptohet nëse në
ndërkohë nuk shpërthen mes nesh ndonjë prej atyre marrëzive që dimë t'i bëjmë
veç ne në momentet e kthesave të forta historike.
__________
Dheburet, Prekaz,
22.01.2022.
Ka
qenë një kohë kur sapo bëhej ky akull, fëmijët i zinte nata duke rrëshkitur mbi
të. Kush e di sa herë edhe vetë kam rrezikur me thy qafën aty. Ikën ato kohë
përgjithmonë. Sot fëmijët jetojnë në një botë tjetër lojërash dhe imagjinate.
Dhe akulli i Dhebureve në heshtje duhet të pres rrezet e diellit pranveror, që
të shkrihet, të bëhet ujë dhe duke ndjekur përrokcën e vjetër të përfundoj në
luginën e martirëve të Jasharajve.
__________
"Të
rinjtë e fëmijët kanë ikur në mal. Shkova e ndejta pak, por s’guxoja me ndejtë
shumë. Më tha: “Oj nanë, po vij edhe unë”. I thashë mos me ardhë se dy autobusë
kanë zhdrypë në asfalt… e të mysin nër sy temin. Kajti. Edhe qitash i shoh
lotët e tij”.
Të
gjitha tragjeditë e literaturës botërore duken të vogla përballë përmasës
tragjike të dëshmisë së kësaj nane, të cilës, pas 22 vitesh, ia sollën lajmin
se eshtrat e djalit të saj të vrarë nga ushtarët serbë janë gjetur.