Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Miti i Luftës Nacionalçlirimtare dhe Levica
E hene, 08.11.2021, 08:58 PM
Miti i Luftës
Nacionalçlirimtare
Nga Blerim
Latifi
Në qershor të vitit 1941 Gjermania naziste nisi
operacionin "Barbarosa" për pushtimin e Bashkimit Sovjetik. Rreth 4
milion ushtarë u përfshinë në këtë sulm. Në kohën kur nuk ekzistone fronti i
Perëndimit, Stalini urdhëroi Kominternin (Internacionalja Komuniste) që të
organizonte luftën partizane të partive komuniste në të gjithë Europën, me
qëllim që ushtria naziste të goditej në prapavijën e frontit rus. Direktiva
tjetër e Stalinit ishte që kjo luftë e partizanëve komunistë të kamuflohej si
"luftë nacionalçlirimtare", në mënyrë që të mobilizohej një numër sa
më i madh i njerëzve. I pari u hodh në veprim Tito, i cili qysh në korrik të
atij viti krijoj njësitë e para partizane. Pas tij filluan edhe komunistët
grekë, bullgarë e rumunë. Në nëntor Tito dërgoi emisarët e tij në Shqipëri për
t'i bashkuar grupet komuniste shqiptare dhe kështu lindi Partia Komuniste
Shqiptare, si sot 80 vite më parë. Kjo e fundit e mori gjithë platformën e
luftës nga Tito, përfshirë kapelën partizane me yll në ballë, e cila ishte në
fakt shajkaçka tradicionale serbe dhe parullën e luftës "Vdekje
Fashizmit-Liri Popullit", autor i të cilës ishte vetë Rankoviqi. Pra e
ashtuquajtura " Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare" nuk ishte
asgjë tjetër veçse një ndihmë në prapavijë e komunistëve të Ballkanit për
shtetin e Stalinit. Natyrisht, nacionalistët shqiptarë e kuptonin taktikën
staliniste, por ata dështuan të krijonin një front antifashist të orientuar nga
aleatët perëndimorë dhe kështu historia mori një rrugë të mbrapshtë, pasojat e
të cilës ende po i vuajmë.
_________
Një parti e ekstremit të majtë në Maqedoninë e
Veriut ka dalë në skenë. Me emrin Levica (E Majta), ajo po afirmon qëndrime të
hapura antishqiptare, antiperëndimore, anti Nato dhe anti marrëveshjes se Prespës
me Greqinë. Qëndrime këto që reflektojnë saktësisht interesat ruse në Ballkan.
Gjë që lë të kuptohet se është krijesë tipike e parave që Rusia shpërndanë
gjithandej për të ushqyer forcat e destabilizimit të rajonit dhe të Europës.
Tradicionalisht partitë e ekstremit të majtë në Europë janë financuar nga
Bashkimi Sovjetik. Putini i është rikthyer përsëri kësaj praktike. Për turpin e
tyre, partitë opozitare shqiptare qenkan marrë vesh për të hyrë në koalicion me
këtë parti ekstremiste maqedonase. Kjo flet vetë për faktin se ato tanimë vetëm
nominalisht janë shqiptare. Ndërsa substancialisht janë gjithçka tjetër.
Shqiptarët e Maqedonisë e kanë trenin e fundit: ose do t'i kthehen
nacionalizmit shqiptar, ose do të përjetojnë fatin e djeshëm të shqiptarëve të
Sanxhakut.