Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Bashkimi Europian nuk është më ai i dikurshmi
E enjte, 21.10.2021, 07:54 PM
Blerim Latifi:
Kanë hequr dorë nga zgjerimi i Bashkimit
Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor. Edhe afatet e anëtarësimit, që
premtoheshin dikur, nuk i përmendin më. Liberalizimi i vizave për Kosovën nuk
është më në agjendë. Dhe në këtë situatë burokratët e Brukselit vazhdojnë të na
dërgojnë "Raporte të Progresit".
Raportet e Progresit kanë kuptim vetëm kur
ekziston realisht procesi i integrimit europian dhe dy palët, BE-ja dhe vendi
që kërkon anëtarësim, bashkëpunojnë në këtë proces. Sot ky proces është
praktikisht i vdekur, ndërsa "matjet e progresit" janë vetëm mbetje
të kohës kur ai ishte i gjallë. T'i marrësh seriozisht ato, do të thotë të mos
e kesh marrë vesh ende se Bashkimi Europian nuk është më ai i dikurshmi.
__________
Ka qenë një kohë, nëse u kujtohet, kur aq i
fuqishëm ishte besimi në Ibrahim Rugovën, saqë secilin që ai e vendoste kandidat
për kryetar komune, pavarësisht kualiteteve që kishte, fitorën e kishte të
garantuar. I frymëzuar nga fitorja e 14 shkurtit, Kurti, me gjasë, deshti të
përsëriste të njëjtën gjë, por dështoi. Kohët kanë ndryshuar. Kandidatët e
dobët komunalë nuk mund të llogarisin më në hijën e Shefit të Madh! Ky është
një nga leksionet themelore të këtyre zgjedhjeve.
__________
Edhe në tragjeditë më të mëdha duhet të
mbijetojë dikush për t'ia tregu botës të vërtetën e tyre, thotë Shekspiri. Dhe
sa e sa herë gjatë historisë njerëzore ka ndodhur kjo. Na e tregojnë legjendat
dhe kujtesat e popujve anë e kënd botës. Na e tregon edhe historia jonë. Ajo
jetoi për t'ia treguar botës tri ditët e tri netët e Jasharëve që e ndryshuan
historinë përgjithmonë. Besarta Hamëz Jashari.
__________
Po endesha midis bimësisë së zverdhur nga
vjeshta dhe m'u kujtua Sh'Mitri. Në Iliri, në Greqinë e Lashtë dhe në Romë në
fund të tetorit kremtohej kulti i Demetrës, hyjnisë së prodhimeve të tokës.
Demetër do të thotë toka nanë. Kremtimi i kultit të saj në fund të tetorit
lidhej me faktin se tetori është koha kur një pjesë e prodhimeve të tokës
merret nga njerëzit dhe një pjesë tjetër i kthehet vetë asaj. Më pas këtë kult
krishterimi do ta kthente në kultin e Shën Dimitrit, prej nga vjen edhe shkurtesa
gegnishte Sh'Mitri. Emrin e dimrit ne e kemi prej këtij kulti, ngase në
kalendarin e vjetër popullor dimri fillon me Sh'Mitrin.Po ashtu edhe emrin e
Mitrovicës e kemi prej këtij kulti.