Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor
E hene, 27.09.2021, 08:38 PM
Me
rastin e fillimit të vitit të ri shkollor
Nga Prof. Blerim Latifi
Objekti
në fotografi është shkolla fillore "Azem Bejta" në Prekaz. Në këtë
shkollë i kam mbaruar tetë klasët e fillores. Kush e di sa kujtime të
fëmijërisë më lidhen me këtë shkollë. Padyshim një ditë krejt ato do të
mblidhen në faqet e një libri. Më kujtohet se si çdo ditë mësuesi më dërgonte
për t'ia marrë "Rilindjen", të cilën e sillte autobusi i
Kosovatransit, që njëherë në ditë bënte linjën Skenderaj-Prekaz. Isha në klasën
e parë dhe tekstet e gazetës më frikësonin më dendësinë e tyre. Mësuesi na jepte
të bënim detyra klase dhe vetë zhytej në leximin e gazetës.
Njëherë
drejtori i shkollës na pat zënë duke e gjuajtur me guralecë bustin e Azem
Bejtës, i cili, duke qenë i zbraztë brenda, lëshonte një tingëllimë të madhe
kur goditej. E patëm paguar shtrenjtë atë rrugaçëri. Aso kohe ishte e zakonshme
që sjelljet e palejueshme të nxënësve të ndëshkoheshin me masa represive.Madje
ekzistonin mënyra të shumta të rrahjes së nxënësve dhe ne e dinim saktë se kush
nga mësuesit cilën mënyrë e preferonte. Edhe familjet i aprovonin ato,
mjaftonte të mos shkaktonin lëndime serioze. Sot një praktikë e tillë duket e
paimagjinueshme.
Në
afërsi të shkollës ishte biblioteka e bashkësisë lokale, e cila, siç thuhej,
kishte një fond prej rreth 20 mijë librash. Kur u vendosën masat e dhunshme në
vitin 1990, përgjegjësi i bibliotekës u largua nga puna dhe asaj iu vu dryni.
Një natë dikush e theu derën e bibliotekës dhe pastaj ajo iu nënshtrua
rrënimit. Mësuesit na thanë që të shkonim t'i merrnim librat e t'i dërgonim në
shtëpitë tona, sepse vetëm ashtu mund t'i shpëtonin ato nga shkatërrimi.Kështu,
në moshën 11 vjeçare, unë kisha
bibliotekën personale. Isha bërë një fëmijë i çuditshëm: nuk kisha lodra, por
kisha shumë libra, gjithë koleksionin e letërsisë botërore dhe atë të autorëve
shqiptarë të botuar nga "Rilindja". Dashunia për librin më ka lindur
që atëherë. Fatmirësisht kjo dashuni asnjëherë nuk më është zbehur. Biblioteka
ime personale nuk ishte e thënë të ekzistonte gjatë. Në ofensivën e shtatorit
të vitit 1998 ajo u dogj bashkë me gjithë shtëpinë nga ushtarët serbë. Vetëm
një libër me poezi e poetit francez Andre Freno më ka shpëtuar prej saj, falë
faktit se atë e kisha në Prishtinë. E ruaj me kujdes atë libër, sepse më mbanë
të lidhur me ëndrrat e fëmijërisë.
Po
atë ditë që dogjën shtëpinë time, të njëjtit ushtarë i vunë flakën edhe
shkollës, duke e shndërruar në gërmadhë. Sot nuk ekziston asnjë gjurmë e saj,
ndërsa aty afër është ndërtuar objekti i ri i shkollës. Krejt çfarë ka mbetur
janë kujtimet tona për të dhe një grumbull fotografish, si kjo, e shkrepur në
një kohë tanimë të largët nga mësuesi Gani Hamiti.