Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Filozofi që nuk e harroi kurrë gjuhën e babës
E diele, 19.09.2021, 07:35 PM
Filozofi që nuk e harroi kurrë gjuhën e babës
Nga
Blerim Latifi
Kur
Kongresi i Manastirit kishte vendosur që për shkrimin e gjuhës shqipe të
përdorej vetëm alfabeti latin, në Stamboll kishte shpërthyer një reaksion i
madh kundër këtij vendimi. Qeveria e xhonturqve kishte filluar një fushatë
agresive për ta kundërshtuar alfabetin latin dhe imponimin e alfabetit arab për
shqipen e shkruar. Fatkeqësisht kësaj fushate i ishin bashkuar edhe shumë
shqiptarë. 14 deputetë shqiptarë në parlamentin osman kishin nënshkruar një
peticion kundër alfabetit latin dhe pro atij arab. Për më tepër qeveria osmane
kishte mobilizuar rrjetin e ulemave në katër vilajetet shqiptare për të njëjtin
qëllim. Në ato ditë, një intelektual që gëzonte një reputacion të madh në
qarqet politike dhe kulturore të kryeqytetit osman, do të ngrihej fuqishëm në
mbrojtje të vendimeve të Kongresit të Manastirit. Ai quhej Riza Tefik
Bylykbashi.
I
lindur në një familje shqiptare në Bullgari, ai do të fillonte shkollimin në
një shkollë hebraike dhe pastaj pasioni i madh për diturinë do ta shpinte në
shkolla të tjera europiane ku ai mori gradime në mjekësi dhe filozofi. Në
Stamboll ai njihej me emrin filozofi, për shkakun se dominonte në diskutimet
për çështje filozofike. Ai fliste e shkruante në shumë gjuhë, por kurrë nuk e
harroi origjinën e tij etnike dhe gjuhën shqipe. I mbështetur në literaturën më
shkencore të kohës, ai do të ngrihej publikisht kundër politikës osmane që
donte të impononte alfabetin arab për shkrimin e shqipes. Shqipja, argumentonte
ai, i përket familjes së gjuhëve indo-europiane dhe ajo nuk ka asnjë lidhje me
arabishten, prandaj imponimi i alfabetit arab për të është i destinuar të
dështojë, ndërsa alfabeti latin në të gjitha pikëpamjet linguistike i
përshtatet natyrshëm shqipes.Shqipja ose shkruhet me germa latine, ose nuk
shkruhet fare.
Rizah
Tefik Bylykbashi u kritikua ashpër për këtë qëndrim, por ai nuk u tërhoq. Madje
ai u thoshte kritikëve të tij se nuk është e largët dita kur edhe vetë turqit
do të detyrohen ta adoptojnë alfabetin latin për gjuhën e tyre dhe ky
parashikim vërtet do të përmbushej shumë shpejtë nga qeveria e Kemal Ataturkut.
__________
Gjukanoviçi
paska deklaruar se Serbia po synon të marrë Malin e Zi dhe Republikën Serbe të
Bosnjës, si kompensim për humbjen e Kosovës. Ka një bazë historike ky
paralajmërim. Siç e shpjegon Oliver Jens Schmitt në librin e tij "Ballkani
në shekullin XX", programi themelor ekspansionist i nacionalizmit serb ka
qenë i orientuar vetëm në drejtim të Bosnjës dhe Malit të Zi dhe dalja në det
përmes tyre, por kur iu bë e qartë se ato territore do të bëheshin pjesë e
zgjerimit austrohungarez në Ballkan, projekti nacionalist serb u orientua drejt
Kosovës dhe daljes në det përmes Shqipërisë. Atëherë Serbia e shihte Kosovën si
kompensim për humbjen e Bosnjës dhe Malit të Zi.
Dikush
mund të thotë se tash jetojmë në rrethana të tjera, por ky është vetëm një
mendim i optimistëve naivë që shohin ëndrra me sy hapur. Vetë fakti se shtetet
i janë kthyer hapur garës së armatimeve na tregon se askush më nuk beson në
strukturat ndërkombëtare të sigurisë. Kjo do të thotë se secili komb duhet të
fillojë të kujdeset për veten e tij. Dhe ky kujdes e ka vetëm një emër:
nacionalizëm.
__________
Biden
duket se po trumpizohet! Pasi tërhoqi ushtrinë amerikane nga Afganistani pa
menduar fare se çfarë do të thonë europianët, Biden pa humbur kohë ka ngritur
një aleancë të re, Paktin trepalësh mes Shteteve të Bashkuara, Britanisë së
Madhe dhe Australisë. Sigurisht francezëve dhe gjermanëve do t'u fillojnë
menjëherë dhimbjet e kokës. Me gjasë britanikët ia kanë dalë t'i bindin amerikanët
se nuk duhet humbur edhe më tutje kohë me Bashkimin Europian, i cili ka
dështuar që nga një gjigant ekonomik të bëhet edhe një gjigant politik.
Çfarë
duhet të bëjnë Kosova dhe shqiptarët në këtë lojë të madhe?
Sigurisht
të lidhen edhe më fort pas qerres amerikane dhe t'i mbajnë sytë hapur për të
mos e thyer qafën në turbulencat e Perëndimit të përçarë.
__________
Sot
gjëja ma e lehtë në botë është të bësh një fushatë atraktive elektorale. Në
treg ka pafund kompani të PR. Mjafton të paguash mirë njërën prej tyre dhe
brenda një nate, edhe në qoftë se je një debill, të nesërmen ke për t’u dukur
politikani më i mençur dhe njeriu me të gjitha virtytet e mundshme.
Ne
jetojmë në epokën e fotoshopit, në epokën e fabrikimit masiv të imazheve të
rrejshme për gjithkënd dhe për gjithçka. Dhe aq i madh është invazioni i këtyre
imazheve të rrejshme, saqë të duhet mund i madh mendor që të jesh në gjendje të
bësh dallimin e tyre prej realitetit.
Zakonisht
njerëzit përtojnë t’i shqyrtojnë në mënyrë kritike imazhet e rrejshme të
fotoshopit politik, disa edhe nuk e kanë formimin nevojshëm për ta bërë një gjë
të tillë, prandaj, si rezultat, ata i gëlltisin ato masivisht.
E
vetmja mënyrë për ta zbutur disi hegjemoninë e fotoshopit politik mbesin
debatet e hapura politike.
__________
Gazetë
shqiptare e viteve 30 të shekullit të kaluar. Shikoni emrin e gazetës: Djersa e
Popullit. Krejt ballina e mbushur me lajme për festimin e ditëlindjes së
mbretit, i vetëshpallur Shpëtimtar i Kombit. Diqysh shqiptarëve u kalon gjithë
jeta duke u djersitë që politikanët e tyre të duken sa më shumë që është mundur
të lavdishëm!