Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Çfarë mësimi sociologjik na jep rasti i Afganistanit?
E shtune, 21.08.2021, 07:38 PM
Çfarë mësimi sociologjik na jep rasti i Afganistanit?
Nga
Blerim Latifi
Shtetformimi
dhe kombformimi janë megjithatë dy gjëra të ndryshme. Dhe fati i të parit në
shumë e shumë raste e situata varet nga fati i të dytit.
Nuk
mund të ndërtosh shtet modern, në kuptimin institucional dhe ideologjik të
kësaj fjale, aty ku nuk ekziston kombi dhe ku besnikëria më e lartë e njerëzve
është besnikëria ndaj fisit e krahinës, siç është rasti i Afganistanit.
Amerikanët
janë të prirur t'i njëjtësojnë shtetformimin dhe kombformimin, sepse bazohen në
modelin e tyre të formimit kombëtar, por nëse një gjë na mëson sociologjia e
historia është fakti se modelet politike nuk funksionojnë si modelet
matematikore.
Diku
duhet ndjekur rruga tjetër: kombformimin para shtetformimit. Në një vend ku
grupet e ndryshme etnike nuk besojnë se i takojnë një kombi të përbashkët,
është e vështirë të mbahen në këmbë institucionet e shtetit modern. Ato mund të
mbahen për njëfarë kohe me diktatin e forcës, por sapo ky diktat hiqet, shemben
edhe ato.
___________________
Pse
kur vdes dikush njerëzit vrapojnë t'i thurin lavdata nga më të mëdhatë emrit të
tij, ia përshkruajnë të gjitha virtytet e mundshme dhe derdhin lotë të rremë në
funeralin e tij, ndërsa kur është gjallë as që u bie në mend për të?
Në
librin "Rënia", përmes protagonistit të tij, i famshmi Albert Kamy e
ka një përgjegjje:
"Po
a e dini pse jemi gjithmonë më të drejtë dhe më shpirtgjërë me të vdekurit?
Arsyeja është e thjeshtë: me ta s'ka detyrime...Edhe në na detyrofshin për
diçka, kjo lidhet me atë që ne duhet t'i kujtojmë, mirëpo ne harrojmë shpejt...Kështu
kisha një mik që i shmangësha në shumicën e rasteve.Të mërziste disi, ngase
bënte shumë moral. Mirëpo kur ishte në grahmat e fundit s'lashë asnjë ditë pa i
shkuar.Vdiq i kënaqur prej meje, duke më shtrënguar duart".
E
tillë është hipokrizia njerëzore!
___________________
Krahasimi
i koncertit në Leposaviç me koncertin ne Korçë është i palogjikshëm, absurd.
Sepse thelbi i problemit nuk është tek këngëtarët, por tek ata që u kanë bërë
ftesë atyre.
Në
Korçë janë shqiptarë që e kanë ftuar një mik të Karaxhiqit për të kënduar.
Ndërkaq,
në Leposaviç janë çetnikë serbë që i kanë ftuar disa çetnikë tjerë për të
kënduar. Është kaq e thjeshtë për t'u kuptuar.
Është
krejtësisht e kuptueshme të mos pajtohemi që në qytetin e shkollës së parë
shqipe të përformoj një pevaç serb, me këngët e të cilit kanë marshuar
kriminelët serbë, që pasi na i mbyllën shkollat shqipe në Kosovë, provuan të na
çrrënjosin komplet prej saj.
Po
ashtu nuk duhet pritur tjetër gjë nga serbët e veriut, përveç demonstrimit të
dëshirave të tyre për ta rikthyer pas rrotën e historisë.
A
duhej ta ndalte policia e Kosovës hyrjen e këtij grupi muzikor në Kosovë?
Po,
duke marrë për bazë qëndrimet e tij për shtetin e Kosovës.
Pse
pra nuk janë ndaluar?
Me
gjasë shkaku lidhet me faktin se ministrat përkatës kanë filluar të merren më
shumë me çështjet e fushatës elektorale dhe nuk kanë kohë të merren me atë se
kush hyn e kush del në territorin e Kosovës.
Kur
neve na binë në kry votat, i harrojmë edhe babë e nanë, e lëre më punët e
përditshme të shtetit.
___________________
Një
nga tekstet më interesante në historinë e filozofisë është kapitulli i Luftës
për Pranim në "Fenomenologjia e Frymës" e Hegelit.
Dy
subjekte luftojnë për t'ia imponuar vullnetin njëra-tjetrës në një betejë të
pamëshirshme për jetë a vdekje. Fatin e betejës e përcakton raporti i
subjekteve me vdekjen. Subjekti që është pushtuar nga frika e vdekjes
dorëzohet, pranon nënshtrimin dhe jetën në skllavëri. Për të mjafton të mbes
gjallë edhe në kushtet e jolirisë.
Subjekti
që nuk ka frikë nga vdekja i shkon deri në fund rrezikut dhe duke rrezikuar
gjithçka e fiton luftën dhe bëhet padron i humbësit të saj. Ky pastaj do të bëj
jetën e skllavit deri në ditën kur do ta mposhtë frikën nga vdekja,
psikologjinë e skllavit. Hapi i parë drejt lirisë është pikërisht çlirimi nga
kjo psikologji.Në fundin e luftës për çlirim ai e kupton se vetëm ai që si
tutet vdekjes në luftë, e fiton lirinë dhe vetëm ai që e fiton lirinë me mundin
e tij, e di se si ruhet ajo. Sot ne diskutojmë dhe grindemi se kur dhe si nisi
UÇK-ja. Ajo nisi ne atë moment kur disa nga mesi ynë e mposhtën frikën nga
milici serb që na tundte nga mëngjesi në mbrëmje flamurin e skllavërisë.
___________________
ZENDAGI MIGZARA
Në
shumë raste letërsia ia del ta thotë të vërtetën e një vendi a shoqërie, më
mirë se shumë studime shkencore e raportime mediale, të marra së bashku. Këtë
mund ta themi edhe për romanin “Gjuetari i Balonave” të shkrimtarit
afgano-amerikan Khaled Hosseini.
E
pata lexuar shumë vite më parë këtë roman, por ngjarjet e fundit në Afganistan
më nxitën që t’i rikthehem edhe një herë leximit të tij.
Drama
e cila rrëfehet në roman dhe stili me të cilin autori e ka shkruar atë, të
bëjnë që ta lexosh me një frymë. Përmes fatit të personazheve dhe kontradiktave
që shfaqen në karakteret e tyre, autori ia del të na japë gjithë pamjen e
tragjedive të njëpasnjëshme të popullit afgan. Ai ka zgjedhur të na rrëfej
fatin e tre fëmijëve afganë, sepse janë pikërisht fëmijët, bashkë me gratë,
viktimat më të mëdha të këtyre tragjedive, rrënimit të projektit për një
Afganistan modern, pushtimit sovjetik, luftës civile dhe sundimit të
talebanëve.
Drama
e romanit mbyllet me të rënien e këtij sundimi pas ndërhyrjes amerikane në
vitin 2001 dhe, lexuesit, që ka ndjekur hap pas hapi vuajtjet e personazheve,
në fund i jepet ndjesia e shpresës për një të ardhme paqësore të Afganistanit.
20
vite më pas kjo shpresë duket se është rrënuar përsëri: amerikanët janë
tërhequr, shteti i ngritur mbi themele moderniste ka rënë, talebanët janë
rikthyer dhe bashkë me ta edhe ankthet e fëmijëve e grave të Afganistanit, për
të cilat i flet botës "Gjuetari i balonave".
Në
këtë situatë të papritur autori i romanit mbase s'ka se çfarë të shtojë tjetër
për ngjarjet e reja në atdheun e tij, përveç asaj thënies së vjetër afgane, e
cila përsëritet vazhdimisht gjatë romanit, si një klithmë dëshpërimi për
vuajtjet që ia lënë vendin njëra tjetrës përgjatë një cikli të së keqës që nuk
përfundon kurrë: Zendagi migzara. Jeta vazhdon. Edhe kur gjithçka në të dhe
rreth saj është ferr.
___________________
Talebanët
disi më kujtojnë FARC-un ( Forcat e Armatosura Revolucionare të
Kolumbisë): prodhues droge, guerilë
fshatare e maleve të pashkelura, besimtarë fanatikë në ideologjinë e tyre dhe
të bindur se po luftojnë për një rend të ri moral në botë.