Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Njeriu që bashkoi emrin e Skënderbeut me emrin e Skënderajt
E enjte, 22.07.2021, 08:14 PM
Njeriu që bashkoi emrin e Skënderbeut me emrin e Skënderajt
Nga
Prof. Blerim Latifi
Burri
që shihni në fotografi është Kadri Sinamati nga Kukësi, bashkë me familjen e
tij, e cila gjatë regjimit komunist u persekutua deri në përmasa
tragjike.Sinamati në vitin 1941 u emërua sekretar i nënprefekturës së Drenicës,
e cila funksiononte si pjesë e Prefekturës së Pejës. Me të marrë detyrën, Kadri
Sinamati, pati një ide: T’i ndryshohej emri qytezës. Emri “Serbicë” ishte emër i
imponuar nga sundimi i serb dhe meqë ky sundim kishte marrë fund, tani duhej
gjetur një emër që do të reflektonte historinë dhe identitetin kombëtar të
popullatës së Drenicës.
Po,
cili emër meritonte të përzgjidhej?
Në
ato vite, si pasojë e ndikimit të historiografisë së Rilindjes Kombëtare
Shqiptare, por edhe të ideologjisë monarkiste të Zogut, në mesin e shqiptarëve,
Skënderbeu ishte figura më e vlerësuar historike.
Kjo
figurë u shkonte përshtati si nacionalistëve shqiptarë, ashtu edhe autoriteteve
italiane, për shkak se raportet politike në mes shqiptarëve dhe italianëve, nën
regjimin e Musolinit, shiheshin edhe si ringjallje e raporteve dhe aleancave që
kishte pasur dikur Skënderbeu me shtetet italiane mesjetare, Venedikun, Napolin
dhe Shtetin e Papatit. Në funksion të këtij perceptimi pragmatik politik, në
vitin 1940, në Romë, u vendos shtatorja e Skënderbeut dhe një shesh mori emrin
“Piazza Skanderbeg”. Inaugurimin e sheshit e bëri vetë Benito Musolini. Sheshi,
edhe sot, ka të njëjtin emër dhe shtatorja e Skënderbeut përbën një nga
atraksionet turistike për turistët që udhëtojnë në Romë.
Në
kontekstin e këtij valorizimi të madh që i bëhej Skënderbeut në vitet e
pushtetit italian, Sinamati nuk e kishte të vështirë të gjejë emrin e duhur për
qytezën e vogël në zemër të Drenicës. Dhe emri që ai kishte në mendje ishte
Skënderaj. Si nacionalist që ishte, Sinamati nuk dëshironte që emri të kishte
prapashtesën turke "beg" dhe të quhej Skënderbeg, por prapashtesën
"aj" të gegnishtes, me të cilën emri merrte formën Skënderaj. Ideja
për emrin e ri të qytezës, iu propozua qeverisë së Tiranës, e cila e miratoi
menjëherë dhe më 28 nëntor të vitit 1942, në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë,
në qytezën që tani quhej Skënderaj, u ngrit
për herë të parë flamuri kombëtar shqiptar.