Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Historia nuk fillon me qeverinë Kurti
E diele, 20.06.2021, 02:57 PM
Blerim Latifi:
Në
kohën e gazetave të printume budallallëqet e militantëve partiakë dëgjoheshin
njëherë në katër vite, edhe atë në audienca të kufizuara. Tash, në kohën e
rrjeteve sociale, budallallëqet e tyre marrin vëmendje të përditshme dhe mbarë
kombëtare. Kjo po e transformon natyrën e vetë demokracisë, nga një regjim ku
zhvillohet garë e ideve politike, në një regjim ku rëndësi ka kush bën zhurmë
më të madhe linçuese. Aristoteli flet për degjenerimin e demokracisë në oklokraci,
në demokraci të turmave të çmendura që mbushin sheshet dhe vrapojnë pas
demagogëve të etur për pushtet.Situata është e njëjtë, veç tash agorat antike
janë zëvendësuar me sheshet digjitale.
__________
E
lexova në media këtë lajm :” Me 70 vota për, një kundër dhe një abstenim ka
kaluar në Kuvend të Kosovës propozimi për emërimin e anëtarëve për Komisionin
për dhënien e provimit të jurispodencës”.
Ka
vite e vite që në mediat tona dhe në të deklaratat e ndryshme, përfshirë edhe
ato të shumë juristëve, qarkullon shprehja e gabuar “provimi i jurispodencës”.
Duket se është e pamundur t’u futet në kokë njerëzve në këtë vend se nuk thuhet
jurispodencë, por jurisprudencë. Nuk e di se ku e kanë gjetur këtë fjalën
“podencë”. Prudenca është fjalë e vjetër latine që shpreh shkathtësinë
(virtytin) e të gjykuarit, të vepruarit dhe qeverisurit përmes arsyes dhe
maturisë. Në kontekstin juridik prudenca është kapaciteti për të gjykuar me arsye dhe maturi në çështjet e drejtësisë.
Është pothuajse ekuivalente me fronesisin e Aristotelit.
__________
Kosnett
paska thanë se historia nuk fillon me qeverinë Kurti. Do të thotë se amerikanët
nuk pajtohen me idenë e Kurtit për një fillim të ri në çështjen e dialogut. Ata
po kërkojnë që Kurti të vazhdojë aty ku e kanë lënë paraardhësit e tij
kryeministra.Natyrisht, kjo bie në kontradiktë të plotë me ato që ka premtuar
Kurti.Në këtë situatë Kurti i ka përpara dy alternativa: të gëlltis premtimin e
tij për fillimin e ri dhe të vazhdoj punën që po ia kërkojnë amerikanët ose t'u
rezistoj edhe njëherë atyre dhe vendi të niset drejt zgjedhjeve të reja!
Zgjedhja në këtë dilemë do të varet nga ajo që Kurti do ta gjykoj si të keqën
më të vogël për të.Mundet fare lehtë që të kemi një vjeshtë të nxehtë
elektorale dhe rrjedhimisht edhe riciklimin e krizave politike që i kemi parë
vit pas viti, tash e një kohë të gjatë.
__________
Katër
propozimet e Kurtit në takimin e tij me Vuçiqin duken mirë si retorikë politike,
por si kushte për ndryshimin e karakterit të dialogut, nuk funksionojnë
dot.Këtë do ta marrim vesh së shpejti. Në një dialog apo negociatë kushte
vendos ai që është më i fuqishëm se pala me të cilën bisedon. Në shtatë vitet e
fundit politika kosovare ka punuar sistematikisht në dobësimin e pozicionit
ndërkombëtar të shtetit të Kosovës në raport me Serbinë. Si rezultat sot ne
jemi në situatën kur as nuk mund t'i imponojmë kushtet tona të dialogut e as të
tërhiqemi prej tij, ndërsa rezistenca e Kurtit do të ballafaqohet me rrezikun
për t'u vlerësuar si pozicion destruktiv nga europianët dhe amerikanët. Dihet
se tradicionalisht kështu është vlerësuar pozicioni i Serbisë, por fatkeqësisht
tani rolet janë ndryshuar dhe kjo krejtësisht për fajin tonë.
__________
Ky
është një libër i shkruar nga një serb. Është një histori e treguar me shembuj
konkret mbi përzierjen direkte të Kishës Ortodokse Serbe në luftërat në ish
Jugosllavi, kuptohet si frymëzuese dhe legjitimuese e Serbisë së Madhe. Në
njërin nga konstatimet e librit, autori shkruan: "Peshkopët e Kishës
Ortodokse Serbe u jepnin më shumë rëndësi çështjeve strategjike, ushtarako-
politiko, sesa çështjeve me karakter teologjik"(faqe 159).
Fatkeqësisht
të vërtetat e përmbledhura nga ky libër sot fare nuk përmenden jo vetëm nga
diplomatët e huaj, por as nga ne që nuk jemi në gjendje t'i themi ato sa herë
që ngriten pretendimet fetare serbe në Kosovë.
__________
Ëndrra
100 vjeçare e kryengritjeve për çlirim nga Serbia u bë realitet me 18 qershor
1999, kur ushtari i fundit serb u largua nga Drenica, për të mos u kthyer kurrë
më, në jetë të jetëve.
_________
Gëzuar
Dita e Çlirimit të Kosovës gjithë bashkëluftëtarëve dhe shqiptarëve!
P.S. Këtë
djaloshin e shtrirë majtas, me pushko-mitrolez M 43 përpara, besoj e njihni.