Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Të gjitha krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës në një thes!
E marte, 04.05.2021, 08:57 PM
Blerim Latifi:
Derisa
homologët e saj merren me luftën për të siguruar vaksina për qytetarët e tyre,
ministrja jonë e punëve të jashtme merret me urrejtjen e saj personale për
kundërshtarët e saj politikë. Derisa homologët e saj bëjnë ç'është e mundur për
ta mbrojtur vendin e tyre në arenën ndërkombëtare, madje edhe në çështje kur
nuk kanë të drejtë, ministrja jonë e punëve të jashtme, pa iu dridhur fare
çerpiku, të gjitha krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës i futë në një thes,
siç në fakt e do edhe vetë Serbia, e cila ka 20 vjet që lufton për të
relativizuar krimet e saj në Kosovë. Vërtet nuk e kuptoj dot se pse ministrja
jonë e punëve të jashtme po e bën këtë. A është në pyetje injoranca e saj
diplomatike? A është në pyetje pafuqia e saj që ndjenjat e saj personale t'ia
nënshtrojë kërkesave të detyrës zyrtare që ka? A kemi kemi të bëjmë me diçka
tjetër? Këtë nuk mund ta them me siguri, por me siguri mund ta them se është
koha që kryeministri Kurti t'ia japë disa leksione të mira disiplinimi.
_________
Dhjetëra
deputetë të Kuvendit të Kosovës e paskan shkruar gabimisht fjalën
"shqiptar" në formularin e broshurës parlamentare. Disa e paskan
shkruar "shqipëtar", duke e futur gabimisht një ë midis shkronjave p
dhe t, e disa e paskan shkruar "shqiptarë", duke mos qenë në gjendje
të dallojnë njëjësin nga shumësi. Çfarë mund të pritet nga analfabetë të tillë
që as emrin e kombësisë së tyre nuk mund ta shkruajnë pa gabime? Gjeni vetë
përgjigjen e saktë! Nuk e keni hiç të vështirë.
_________
Jurgen
Habermas, filozofi më i njohur i gjallë në botë, e paska refuzu çmimin më të
lartë letrar për vitin 2021 dhënë nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Arsyeja e
refuzimit: Institucioni akademik që e jep çmimin është i lidhur ngushtë me
regjimin autokratik që sundon Emiratet. Refuzimi i Habermasit shpreh thelbin e
pozicionit që duhet të mbaj secili intelektual i vërtetë: nuk mund të jesh intelektual
dhe filozof i vërtetë nëse pranon të gradohesh nga regjimet që shtypin të
drejtat e liritë njerëzore, lirinë e mendimit e të shprehjes, parasegjithash.
Filozofia ose i shërben lirisë ose nuk ka arsye të ekzistojë!