Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Një komb kurrë nuk mund të jetë i lirë, nëse pjestarët e tij jetojnë në gjendje robërie
E shtune, 20.02.2021, 04:54 PM
Blerim Latifi:
Qenkan
bërë 30 vjet nga rrëzimi i shtatores së Enver Hoxhës në Tiranë. Kam qenë fëmi
12 vjeçar në atë kohë, por më kujtohen shumë mirë pamjet që transmentone live
TVSH nga demonstrata e 20 shkurtit. Më kujtohet edhe mllefi i të rriturve që
shanin protestuesit që po rrëzonin Enver Hoxhën e skalitur në mermer. Ne ishim
rritur me imazhin e glorifikuar të tij, të cilin çdo ditë e merrnim përmes
valëve të TVSH-së dhe, tani, nuk mund ta kuptonim se pse njerëzit e atij vendi
të kthyer në kopsht të lulëzuar nga Enver Hoxha, po e përdhosnin figurën e tij.
Do të duheshin vetëm pak muaj për ta kuptuar se krejt ajo çfarë besonim e
mendonim për Shqipërinë Socialiste, ishte thjesht një mashtrim
ideologjiko-propagandistik. Njerëzit në Sheshin e Tiranës po bënin atë që e bëjnë
të gjithë të shtypurit: po shembnin shtatoren e një njeriu, i cili për 45 vjet
i kishte mbajtur nën njërin nga regjimet më staliniste të Europës, duke i
detyruar të jetojnë nën pushtetin e frikës, të izolimit dhe të mjerimit të
organizuar shtetëror. Sot, në Kosovë, ende ka njerëz që e glorifikojnë figurën
e Enver Hoxhës dhe kur bisedon me ta të nxjerrin lloj-lloj argumentesh, që në
thelbin e tyre janë të paqëndrueshme. E përmendin industrializimin e vendit,
zhvillimin e arsimit, të kulturës, e të tjera, por nuk të përgjigjen dot në një
pyetje themelore: Pse duhej që për t'i arritur këto, të vriteshin e
persekutoheshin pamëshirë të gjithë ata që mendonin ndryshe prej regjimit? E
përmendin edhe atë se Hoxha arriti të ruante pavarësinë e Shqipërisë, por harrojnë
të kuptojnë se pavarësia kombëtare e humbet shkelqimin e saj kur, në emër të
saj, bashkëatdhetarëve tu ua bën jetën ferr. Sepse një gjë dihet: një komb
kurrë nuk mund të jetë i lirë, nëse pjestarët e tij jetojnë në gjendje robërie.
________
I
kam parë me sy të gjitha përgaditjet
protokollare për ceremoninë e shpalljes së pavarësisë me 17 shkurt 2008.
Dhe mes emocioneve të forta të cilat na kishin përfshirë të gjithëve, një
moment më kishte lënë shije të pakëndshme, momenti kur e pashë flamurin me të cilin
do të shpallej pavarësia pas tri ditësh.Për një shekull rresht ne kishim
luftuar për t'u çliruar nga Serbia duke mbajtur në ballë, duar e zemra flamurin
kuq e zi të Kastriotit dhe ja tani kur ëndrra e madhe po bëhej realitet,
shfaqej një flamur tjetër në vend të tij. Një flamur pa histori, por që
tregonte një fakt të cilin e kishim para syve: pavarësia e Kosovës po bëhej me
ndihmën e fuqive perëndimore, të cilat donin që kjo pavarësi së paku
simbolikisht të mos dukej si triumf i nacionalizmit shqiptar. Sot shteti i
Kosovës mbush 13 vjet të ekzistencës së tij. Në këto 13 vjet kanë ndodhur shumë
gjëra, të mira e të këqija, shumë suksese, por edhe shumë dështime e gabime,
derisa ende jemi në gjysmë të rrugës për t'u bërë shtet në kuptimin e plotë që
kjo fjalë e ka në ligjin ndërkombëtar. Beteja me agresionin e gjithanshëm
diplomatik të Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës, është beteja prej të cilës
varet shumë suksesi në këtë rrugë. Dhe s'duhen shumë mend për të kuptuar se
fitorja e parë në këtë betejë është ta bindim praktikisht veten dhe botën se
Kosova është përnjëmend një shtet demokratik dhe europian në të gjitha
dimensionet e tij.GËZUAR DITA E PAVARËSISË!
________
"Kosova
është besëlidhja jonë, një besëlidhje e lidhur me Besëlidhjen e Re, themeli i së
cilës është shenjtëria”, paska thënë Porfirije, Patriarku i sapo zgjedhur i
Kishës Ortodokse Serbe.Kreu i fashizmit klerikal serb e paska fillu punën duke
e falsifiku edhe Biblën.A mundet dikush me i tregu atij se në Biblën e
krishterë përmenden ilirët (Letrat e Shën Palit), e askund, ama bash askund,
nuk përmenden serbët. Për një arsye të qartë e të thjeshtë: kur u shkrua Bibla
e krishterë, ilirët, stërgjyshërit tanë, e popullonin gjithë Ballkanin dhe
ishin pjesë e civilizimit më të zhvilluar të kohës, atij romak, ndërsa sllavët
bridhnin si fise barbare nëpër pyjet e Karpateve.
________
Lufta
e vitit 2001 i kishte tronditur maqedonasit.Papritur ata e panë se sa të dobët
janë përballë forcës së nacionalizmit shqiptar.Në këtë situata ata e kuptuan se
e vetmja rrugë për dobësimin e kësaj force ishte strategjia e vjetër e
Pashiqit: që të dobësoni nacionalizmin shqiptar investoni në komponentën fetare
të shqiptarëve, bëjeni atë më të rëndësishme se komponentën etnike të
identitetit të tyre. Dhe maqedonasit kështu vepruan. Shërbimet e tyre të
inteligjencës u vunë në funksion të shkombëtarizimit të shqiptarëve dhe zhytjes
së tyre në modelin arab të praktikimit të islamit. Fatkeqësisht plani i tyre ka
ecur mjaft mirë.Tash e paskan hedhur një hap tjetër: krijimin e bashkësisë
salafiste në Maqedoni, në mënyrë që të nxisin garën për ndikim religjioz me
Bashkësinë tradicionale islame.Natyrisht, kjo ka një synim më inteligjent: të
krijohen kushtet për tensione dhe konflikte sektare midis shqiptarëve në
Maqedoni.Mos u çuditni kur pas pak vjetësh do t'i shihni shqiptarët e
Maqedonisë duke u gjakosur me njëri tjetrin për shkak të dallimeve sektare, siç
ndodhë rëndom në botën arabe.
________
Ushtarët
serbë kishin hyrë në shtëpinë në Halil Musës dhe kishin filluar krimin mbi anëtarët
e familjes, burrat dhe gratë e saj. Tek hyrja e oborrit kishin lënë një
roje. Nuk vonoi dhe aty u shfaq një burrë i moshuar, me plis të bardhë dhe tirq
të zi. Nën xhamadanin e tij mbante diçka të fshehur. Roja i bërtiti : Stoj!
Plaku ia ktheu: Unë serbishten nuk e di, kush u tha n'Prekaz me hi, me na i
çnjerëzu rob e thmi, a din ktu që i thonë Shqipni! Derisa ushtari po i
drejtonte tytën e pushkës, plaku reagoi më shpejt, nxorri sakicën nga brenda
xhamadanit dhe e plandosi për tokë ushtarin. Ai ishte Ahmet Delia, njeriu që
nisi i pari rezistencën kundër pushtimit serb të Kosovës në dimrin e vitit
1912. U deshën përpjekje, vuajtje, gjak e lot, për gati një shekull rresht, që
Kosova më në fund ta hiqte qafe përgjithmonë tiraninë serbe dhe të fitonte lirinë
e pavarësinë.
________
Kjo
mund të jetë fotografia më autentike e Shaban Polluzhës. Njerëzit e armatosur
rreth tij janë trupat vullnetare të mbledhura në stacionin e trenit në Pejë,
para nisjes drejt Kolashinit, ku zhvilloheshin luftime për mbrojtjen e kufijve
veriorë shqiptarë nga depërtimi i forcave çetnike të Drazha Mihajloviqit. Në
fotografi duket një oficer italian, i cili po flet me vullnetarët shqiptarë.
________
Karl
Popper e krahason logjikën shkencore me logjikën demokratike. Ashtu si shkenca përparon
përmes testimit empirik të teorive, edhe demokracia funksionon përmes testimit
të ofertave ideologjike. Nëse një teori nuk i shpëton përgënjështrimit të
tezave të saj, ajo zëvendësohet me një teori tjetër. Nëse një ofertë
ideologjike nuk i përmbush pritjet e saj, pra përgënjështrohet, ajo
zëvendësohet nga një tjetër, e cila poashtu futet në logjikën e testimit. Mu
kujtua kjo gjë derisa një punëtor që po rregullonte trasenë e një parkingu të
ri afër shtëpisë time, më ndali e më tha: "I kemi provu krejt kta tjerët
disa herë, tash po e provojmë edhe kët' Albinin". Ky, në fakt, është
shpjegimi ma i saktë i asaj që ndodhi me 14 shkurt. Në shumë raste shpjegimet e
thjeshta e kapin më mirë thelbin e gjërave, se sa stërhollimet analitike.
________
Sonda
amerikane e NASA-s, pas një udhëtimi prej mbi 56 milionë kilometrash, ka
zbritur në Planetin Mars.Edhe një dëshmi tjetër për nivelin shkencor dhe
teknologjik të Amerikës që e lë shumë prapa atë të fuqive tjera të botës, të
cilat, prej vitesh, ushqejnë pallavra për fundin e dominimit amerikan. Dija
është fuqi, thoshte Francis Bacon në fillimet e epokës moderne.Dhe kur fliste
për dijen ai mendonte shkencën moderne, e jo përrallat mesjetare.
________
Shkelqimi i përjetshëm i
Rozafatit!
Në
verën e vitit 1478 kur Sulltan Mehmeti II, në krye të 100 mijë trupave, u shfaq
para mureve të Kështjellës së Shkodrës, thonë se u tha komandantëve të tij :
“Shikoni ç’ vend të shkelqyeshëm e të naltë paska zgjedhë shqiponja për me i
rritë zogjtë e saj.”