E premte, 15.11.2024, 03:45 AM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Shënim mbi Fishtën në tetëdhjetë vjetorin e vdekjes së tij

E merkure, 30.12.2020, 05:12 PM


Shënim mbi Fishtën në tetëdhjetë vjetorin e vdekjes së tij

Nga Blerim Latifi

Këto dy vëllime përmbajnë pjesën më të madhe të publicistikës së Fishtës. Njeriu ndjen kënaqësi intelektuale derisa i lexon tekstet e kësaj publicistike. Aty ne e gjejmë shembullin e një teologu modern, i cili ka koncepte shumë të qarta për shoqërinë moderne. Fishta shkruan për kombin, nacionalizmin, shtetin, politikën, artin e arsimin me një qartësi e saktësi të mahnitshme filozofike e sociologjike.

Edhe në polemikat e tij publike ai e ruan nivelin e lartë intelektual. Polemika e tij me ateistin Ismet Toto është polemika e parë teorike mbi religjionin në kulturën shqiptare. Ajo mund të merret si model edukativ se si duhet polemizuar me argumente me dikë që mbron pikëpamje krejtësisht të kundërta me ty.

Teksti i Fishtës për kombin na kujton teoricientët e ditëve tona të nacionalizmit, siç janë Anthony D.Smith( 1939-2016) e Ernest Gellner( 1925-1995). Aty Fishta shkruan se “ma i qarti shenj i kombësisë është njisia e gjuhës”. Por ky element nuk mjafton me ndërtu një vetëdije kombëtare. Për me pasë jetë kombëtare lypset që vuajtjet e jetës të jenë të përbashkëta, shton Fishta. Këtë element teoricientët e nacionalizmit e quajnë “vetëdija e fatit të përbashkët”. Duhet gjithashtu të ekzistojë një histori e përbashkët dhe një mit mbi kohën e artë të breznive të kaluara. Kjo na përkujton historianin britanik të nacionalizmit Eric Hobsbawm ( 1917-2012), i cili shkruan se nuk mund të ketë komb pa histori. Por as këto elemente, për Fishtën, nuk mjaftojnë për ta formësuar një komb. Duhet gjithashtu ekzistenca e një literature të shkruar. Pa letërsi kombëtare nuk mund të ketë komb. Kjo na kujton historianin tjetër të nacionalizmit, britanikun Benedict Anderson( 1936-2015), i cili, në veprën e tij të madhe “Komunitetet imagjinare”,i jep rëndësi të madhe kulturës së shkruar në procesin e formimit të kombeve. Por, për Fishtën, nuk mjafton vetëm përfytyrimi për të kaluarën dhe kultura e shkruar letrare për ta bërë një komb.Duhet gjithashtu edhe ai që Fishta e quan “vullneti me rrnue së bashku”. Ky vullnet përbën shpirtin e popullit. Një komb nuk mund të ekzistojë vetëm duke kujtuar të kaluarën e tij, por edhe duke afirmuar forcën e vullnetit për jetë të përbashkët në të ardhmen. Fishta e definon nacionalizmin si një “individualizëm kolektiv”, me të cilin kuptohet kujdesi i një kombi për veten e tij. Ky përkufizim përbën njërin nga përkufizimet më të qëlluara për nacionalizmin. Natyrisht, Fishta nuk është shovinist. Për të nacionalizmi, si kujdes i kombit për veten e tij, ka kufij moralë. Kujdesi për veten nuk mund të bëhet në kurriz të të tjerëve.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora