Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Serbia, feja dhe Kosova
E diele, 08.11.2020, 08:05 PM
Serbia, feja dhe Kosova
Nga
Blerim Latifi
Përplasja
ndërfetare midis shqiptarëve ka qenë një interes i përhershëm strategjik i
Serbisë. Në harkun kohor të 100 viteve të fundit, Serbia ka investuar
vazhdimisht në përmbushjen e këtij interesi. Ja disa fakte esenciale historike.
Në
janar të vitit 1913, kur Shqipëria e pavarur ende nuk ishte njohur nga fuqitë e
mëdha europiane, ish kryeministri serb i asaj kohe, Vladan Gjorgjeviq, do të
shkruajë me një frymë librin me titull “Shqiptarët dhe fuqitë e mëdha”. Vetë
titulli tregon se libri ishte shkruar për diplomacitë e këtyre fuqive, me
qëllim që t’i bindte ato se shqiptarët nuk e meritonin të kishin shtetin e tyre
të pavarur. Gjorgjeviq sillte “dy argumente” në funksion të këtij qëllimi.
“Argumenti i parë” ishte racist, ndërsa i dyti ishte i karakterit religjioz.
Shqiptarët, shkruante Gjorgjeviq, nuk e meritojnë të kenë shtetin e tyre
kombëtar, sepse ata janë njerëz të pacivilizuar, primitivë e barbarë.
Gjorgjeviq shkonte aq larg në portretizimin racist të shqiptarëve, saqë i
quante ata një lloj nën-njerëzve, qenie me bisht, pra specie gjysmë kafshë e
gjysmë njeri. “Argument i dytë” i tij ishte se shqiptarët nuk meritonin të
kishin shtetin e tyre kombëtar, sepse shumica e tyre janë muslimanë fanatikë,
që nuk e kanë të zhvilluar vetëdijën moderne kombëtare, prandaj “fuqitë e mëdha
nuk duhet të lejojnë që kjo kope aziatike të ketë shtetin e saj në Europën e
krishterë”. Për fatin tonë të mirë libri i Gjorgjeviqit ra në vesh të shurdhër,
falë faktit se mbështetësi kryesor i pavarësisë së Shqipërisë ishte një fuqi e
madhe katolike në Europën e asaj kohe, Austro-Hungaria.
Por
serbët nuk hoqën dorë asnjëherë nga strategjia e tyre për t’i përdorur dallimet
fetare të shqiptarëve kundër vetë atyre.
Në
vitin 1921 kryeministri tjetër serb, Nikolla Pashiqi, arriti të bindëte
kapidanin e Mirditës Marka Gjonin, që si lider i katolikëve të Mirditës, të
ngrihej kundër “qeverisë muslimane të Tiranës”. Falë mençurisë politike të
Tiranës zyrtare dhe influencës së intelektualëve e klerikëve katolikë të
Veriut, skenari i përplasjes tragjike fetare midis shqiptarëve u shmang. Në
vitin 1937, në kohën kur qeveria e Serbisë dhe ajo e Turqisë po negocionin një
marrëveshje për deportimin kolektiv të shqiptarëve të Kosovës në Turqi, Vasa
Çubrilloviqi, në Elaboratin e tij për Shpërnguljen e Shqiptarëve, do të shkruaj
se për të qenë sa më efektive dhe më e shpejtë kjo shpërngulje, përveç masave
represive, duheshin përdorur edhe masat e pushtetit të butë, të tilla si angazhimi
i hoxhallarëve filoturk dhe nxitja e ndjenjave proturke në mesin e popullatës
shqiptare. Kur shqiptarët ta ndjenjë veten më shumë muslimanë, se shqiptarë,
atëherë ata vetë do të kërkojnë që të largohen drejt shteteve muslimane, në
rastin konkret drejt Turqisë, konkludonte Çubrilloviqi. Për fatin tonë të mirë,
shpërtheu Lufta e Dytë Botërore dhe ky skenar i pastrimit etnik të Kosovës u
pamundësua.
Në
vitet ’50, të shekullit të kaluar, kur Tito i kishte shkëputur marrëdhëniet me
Stalinin dhe rrezikonte të pushtohej nga Bashkimi Sovjetik, ai u përpoq të
krijonte një aleancë ballkanike kundër këtij rreziku. Turqia, bashkë me
Greqinë, u bë pjesë e kësaj aleance antisovjetike të Jugosllavisë. Që të
forconte sa më shumë aleancën me Turqinë, Tito i bëri një dhuratë demografike
asaj: sajoj pakicën turke në Kosovë duke i bindur mijëra shqiptarë se ata janë
turq e jo shqiptarë, gjë që do ta bënte më vonë me boshnjakët duke i shndërruar
në komb musliman, me qëllim që të forconte lidhjet e tij me botën islame.
Depërtimi
i nacionalizmit enverist në Kosovë gjatë viteve 70 dhe 80, bëri të mundur që të
minimizohej pothuajse krejtësisht mundësia e përdorimit të çështjeve fetare nga
ana e mekanizmave jugosllavë kundër shqiptarëve. Kur UÇK doli në skenë, regjimi
i Milosheviqit iu rikthye strategjisë së vjetër, duke u munduar ta paraqesë atë
si organizatë terroriste islamike, por përpjekja e tij nuk pati sukses, falë
faktit se ata që e kishin themeluar UÇK-në, vinin të gjithë nga Lëvizja
Popullore e Kosovës (LPK), një organizatë politike e ndikuar esencialisht nga
nacionalizmi enverist, brenda të cilit nuk kishte vend për besimet fetare. Kjo
bëri që UÇK t’ua mbyllte dyert grupeve xhihadiste, të cilat vetëm pak vite më
parë kishin luftuar në Bosnje-Hercegovinë.
Me
të përfunduar lufta, shërbimet sekrete të Serbisë, vazhduan përsëri me të
vjetrën. Për të penguar pavarësinë e Kosovës, ato vunë në zbatim projektin e
importimit të islamit politik në Kosovë, gjë që në të njëjtën kohë po e bënin
shërbimet sekrete maqedone tek shqiptarët e Maqedonisë. Në kuadrin e këtij
projekti synohej që sa më shumë të arabizohej vizuelisht dhe mentalisht
shoqëria kosovare, duke filluar nga rinia e saj, në mënyrë që të frikësohej
Perëndimi me idenë se një shtet i pavarur i Kosovës do të ishte ekuivalent me
lindjen e një shteti islamik në Europë. E tëra po zhvillohej sipas metodës së
vjetër të Pashiqit : që ta dobësoni nacionalizmin shqiptar, forconi dallimet
fetare midis shqiptarëve, investoni në këto dallime, bëni që shqiptarët t’i
japin përparësi identitetit të tyre fetar, në raport me atë kombëtar, investoni
që shenjat e identitetit të tyre kombëtar të duken të parëndësishme përballë
shenjave të tyre fetare. Kur kjo të realizohet, atëherë do të krijohet hendeku
kulturor midis shqiptarëve dhe Perëndimit dhe si rezultat të drejtat e Serbisë
mbi Kosovën do të rinjihen sërish prej tij. Fakti tjetër që e favorizonte këtë
skenar të Serbisë ishte rifuqizimi i populizmit djathtist gjithandej Europës,
populizëm i cili karakterizohet nga një animozitet ideologjik për Islamin.
Institucionet tona shtetërore dhe politikanët tanë, nuk është se nuk kanë qenë
të vetëdijshëm për këtë projekt, por të dhënë pas pushteteve të tyre personale
e grupore, pas grumbullimit të vota me çdo mjet, e pas pasurimit të familjeve
të tyre, i kanë mbyllur sytë dhe mosreagimin e tyre e kanë justifikuar përmes
minimizimit të rrezikut. Tani jemi në gjëndjen të cilën mund ta shohë e kuptoj
secili. Përpjekja serbe për ta fetarizuar misionin e UÇK-së ia ka dalë të futet
edhe në dosjet e Gjykatës Speciale, ku krerët e UÇK-së akuzohen se kanë
persekutuar edhe pjestarë të komunitetit katolik, edhe pse duket fare qartë se
një akuzë e tillë është krejtësishtt absurde dhe absolutisht e rreme. Kur
presidenti Klinton kishte vizituar Kosovën pas luftës, na kishte dhënë një
këshillë : Ne e fituam luftën, ju duhet ta fitoni paqen! Ne nuk e morrëm
asnjëherë seriozisht këtë këshillë të shpëtimtarit tonë, këshillë prapa të
cilës qëndron një rregull e vjetër i historisë : paqja është vazhdim i luftës
me mjete të tjera. Tani duhet të përballemi me pasojat.
_________
Formula
e Pagëzimit, e 8 nëntorit të vitit 1462, deri me tani, konsiderohet si
dokumenti më i vjetër i shqipes së shkruar. Autori i këtij dokumenti është Pal
Ëngjëlli, këshilltari dhe diplomati i Skënderbeut.Paramendojeni, para 558
vitesh, kur edhe gjuhët e mëdha europiane ende ishin në fillet e tyre të
shkrimit, dikush mendonte që shqiptarët duhej t'i drejtoheshin Zotit në gjuhën
e tyre dhe pas 558 vitesh ende ka të atillë që kundërvihen kësaj ideje madhështore.