Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Ikin nga atje ku ne duam të shkojmë!
E diele, 26.07.2020, 02:00 PM
Blerim Latifi:
Pesë
refugjatë arabë po qëndronin në shkallët e gurta të Bibliotekës Kombëtare të
Kosovës. Njëri prej tyre po përpiqej të fliste me dikë në telefon. Ndoshta me
familjen e tij të mbetur prapa diku në kampet e refugjatëve ose në zonat e
konfliktit në Siri. Kanë ikur nga ato zona ku njerëzit i hanë kokën njëri
tjetrit për shkak se nuk pajtohen se me cilën anë është Zoti dhe këtë
mosmarrëveshje kanë vendosur ta zgjidhin përmes argumentit të dhunës. Këta
refugjatë të shkretë nuk e dinin se vetëm pak metra larg vendit ku po qëndronin,
ende ndodhet një gropë, të cilën e kishte hapur shumë vjet më parë një djalë i
ri, i cili më pas kishte përfunduar në komandën e lartë të ISIS-it në Siri.
Është gropa e hapur nga terroristi Lavdrim Muhaxhiri në oborrin e Fakultetit
Filologjik, vend të cilin ai e kishte zgjedhur për ndërtimin e një xhamie. Dhe
ja tani, disa nga viktimat e luftës ku ai mori pjesë, po qëndronin aty afër
atij vendi, në pritje të gjetjes së rrugëve për të ikur në drejtim të
Perëndimit, atje ku dallimet fetare nuk janë arsye për të masakruar njëri
tjetrin dhe shkatërruar gjithë vendin. Ndërkaq, ne që jetojmë në atdheun tonë,
të cilin me aq mund e çliruam, na duhet të përballemi përditë me propagandën e
njerëzve të ligj, të cilët duan të na e imponojnë mënyrën e të menduarit dhe të
jetuarit, falë të cilës u shkatërrua jeta e këtyre refugjatëve të shkretë dhe e
miliona bashkëatdhetarëve të tyre.