Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Drama e fundit në Teatrin Kombëtar të Tiranës
E diele, 17.05.2020, 08:23 PM
Drama e fundit në Teatrin Kombëtar të Tiranës
Për
tri vite rradhazi Shqipëria politike e kulturore ka qenë e përfshirë në një
debat hamletian mbi çështjen e ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Tiranës. Të
prishet a të mos prishet Teatri? – kjo ishte çështja!
Shkruan:
Blerim Latifi
Kjo
dilemë u zgjidh në mëngjesin e hershëm të 17 Majit 2020, kur ekskavatorët e
rëndë të Bashkisë së Tiranës, nën sigurinë e forcave të policisë së shtetit,
filluan të rrënojnë ndërtesën e Teatrit, e ndërtuar tetëdhjetë e ca vite më
parë, mbi bazën e një projekti të ideuar nga një arkitekt italian. Stili
arkitekturor i kësaj ndërtese është stili i futurizmit italian, i cili kishte
lulëzuar gjatë epokës së Musolinit, diktatorit fashist që kishte sunduar
Italinë me dorë hekurt nga viti 1922 deri në vitin 1943.
Struktura
e jashtme e ndërtesës paraqet shprehje
aktitekturore të koncepteve futuriste, në të cilat glorifikohet progresi
industrial e teknologjik i epokës moderne. Kjo strukturë i ngjan një
lokomotive, e cila është duke marshuar në drejtim të Perëndimit, që në këtë
rast nënkupton Italinë fashiste. Thënë ndryshe: ndërtesa simbolizon Shqipërinë
që ka hedhur shikimin e saj plot admirim mbi fqinjin e saj perëndimor.
I
vetëdijshëm për mundësitë e një kundërshtimi të ashpër praktik, kryeministri
Rama, zgjodhi ditën e fundit të masave të gjëndjes së jashtëzakonshme, që të
zbatonte planin e tij të kahershëm për rrënimin e ndërtesës në fjalë. Rama
duket të ketë menduar : Në kushtet e këtyre masave presioni i kundërshtarëve të
prishjes do të jetë më i vogël!
Llogaria
e tij doli të jetë e saktë. Rezistenca e atyre që ishin kundër prishjes ishte e
dobët. Ajo nuk ia doli të ndalojë ekskavatorët e urdhëruar nga kryebashkiaku
Veliaj. Ata që ishin më aktiv gjatë rezistencës përfunduan në komisariatet e
policisë. Opozita e dënoi fuqishëm operacionin e rrënimit, por nuk ndërmorri
ndonjë veprim serioz për ndalimin e tij. Pala që gjatë këtyre viteve ka
kundërshtuar prishjen e ndërtesës së vjetër të Teatrit Kombëtar, asnjëherë nuk
ka qenë homogjene në qëndrimet e saj.
Brenda
rezistencës së saj mund të dallojmë së paku tri qëndrime të ndryshme: qëndrimin
nostalgjik, qëndrimin antikuarist dhe qëndrimin partiak. Qëndrimi nostalgjik
është qëndrimi i artistëve, kryesisht aktorë e regjisorë, të cilët dolën kundër
rrënimit të ndërtesës së vjetër të Teatrit Kombëtar, për shkak se ajo lidhej me
karrierën e tyre jetësore artistike. Secili ndihet keq kur e sheh duke u
zhdukur një shenjë e identitetit të tij, një objekt i cili thotë shumë për
jetën e tij.
Aktorët
që kishin kaluar dekada të tëra në objektin e Teatrit që po i vihej kazma, nuk
do të mund të bënin përjashtim nga kjo ndjesi e natyrshme. Ata, në fillim,
pothuajse të gjithë ishin njëzëri kundër planeve të rrënimit, por më vonë
debati me qeverinë e prishi homogjenitetin e tyre. Qëndrimin tjetër, atë antikuarist
e përfaqësonin ata që e shihnin çështjen nga pikëpamja e trashëgimisë
kulturore. Për ta, çdo gjë e vjetër është vlerë në vete dhe si e tillë duhet të
konservohet me patjetër.
Akuza
e tyre për Ramën ishte se ai po bënte një krim mbi trashëgiminë kulturore të
Tiranës. Në mesin e akuzave ishin edhe ato në të cilat qëndrimi i Ramës rreth
ndërtesës së Teatrit krahasohej me politikën e Enver Hoxhës për rrënimin e
objekteve të kulteve fetare gjatë vitit 1967. Ndërkaq, qëndrimin i tretë
rezistent përfaqësohej nga partitë opozitare, të cilat debatin mbi ndërtesën e
teatrit synonin ta kthehin në kauzë të tyre opozitare kundër pushtetit të
Ramës.
Të
tri qëndrimet rezistente, përkundër dallimeve në motivet e tyre, kanë një
element të përbashkët: dyshimin se prapa planit të Ramës për prishjen e
ndërtesës së vjetër të teatrit qëndrojnë interesa oligarkike të lidhura me
pushtetin e Ramës. Rama akuzohet se qëllimi i tij është të heq qafesh këtë
ndërtesë, për t’i bërë vend investimit kapitalist në ndonjë kullë të tjetër të
madhe, si ato që tanimë janë ngritur në lindje dhe perëndim të sheshit kryesor
të Tiranës.
Këtyre
akuzave Rama u është përgjigjur duke nxjerrë planin për ndërtimin e teatrit të
ri. Projekti i këtij teatri është bërë nga një arkitekt danez, Bjarke Ingles, i
njohur për vepra arkitekturore që i përkasin asaj që njihet si “arkitektura
metamoderniste”, një stil ky që kombinon elementet e modernizmit me ato të
postmodernizmit. Maketi që është publikuar paraqet një godinë mbresëlënëse, e
cila, nëse jetësohet, sigurisht që do t’i shtoj një dimension të ri estetikës
publike bashkëkohore të Tiranës.
Çështja
është se a mund të realizohej projekti i Ingles, pa u shkatërruar teatri i
vjetër. Rama këmbëngulte se kjo nuk ishte e mundur, prandaj i vuri kazmën. Në
muajt në vazhdim do të shohim nëse qëllimi i Ramës lidhet vetëm me interesin
për ta bërë Tiranën me një Teatër Kombëtar Bashkëkohor, apo ky interes përfshin
edhe motive të tjera jopublike, për të cilat dyshojnë mbrojtësit e teatrit të
vjetër dhe opozita.
Nga
dita e sotme fillon koha e boshllëkut në çështjen e teatrit: teatri i vjetër
është zhdukur, i riu ende është vetëm projekt në letër. Me çfarë do të mbushet
ky boshllëk? Sigurisht me atë që e kanë të bollshme shqiptarët: përplasjet
politike! Për ata që deshën ta ruajnë dhe nuk mundën, nga sot marrim kuptim të
plotë fjalët “nostalgji për teatrin e vjetër”: dhimbje për kthimin e pamundur
të tij.
Ndërkaq,
opozita që ka paralajmëruar protesta popullore në shkallë vendi, me gjasë, me
kalimin e ditëve, do ta harroj kauzën e teatrit të vjetër dhe do të kërkoj t’i
hapë plagë të tjera pushtetit të Ramës, në funksion të qëllimit për ta mundur
në zgjedhjet e ardhshme, të cilat do të mbahen në vitin tjetër. Rama ka një vit
kohë për të dëshmuar se kundërshtarët e tij e kishin gabim për punën e teatrit.
Deri atëherë mbase e kupton se një pjesë e gabimit qëndron edhe tek veprimi i
tij dhe ky gabim ka të bëjë me faktin se ai nuk arriti dot të gjente formulën
që mundëson modernizimin pa shkatërruar vlerat e të shkuarës, qofshin ato edhe
në formën e një objekti artistik jofunksional.
Babai
i konservatorizmit britanik, Edmund Burke thotë se “madhështia e një lideri
qëndron në aftësinë për të kombinuar nevojën e ruajtjes së vlerave me nevojën
për përmirësimin e gjërave”.
Marrë nga gazetaexpress.com