Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Leksioni hebraik për problemin e amnistimit të krimeve të luftës
E merkure, 29.04.2020, 12:32 PM
Leksioni hebraik për problemin e amnistimit të krimeve të luftës
Pjesë
e shkëputur nga një shkrim i imi, i publikuar muaj më parë
Nga
Blerim Latifi
Simon
Vizentali, si i burgosur në kampet naziste të shfarosjes, të vendosura në
Poloni, një ditë, bashkë me disa të burgosur të tjerë, dërgohet në një spital
nazist për t’i kryer disa punë. Aty, në një kthinë, takohet me një ushtar nazist,
i cili është duke vdekur nga plagët e rënda që i ka marrë gjatë luftimeve në
frontin rus. Ushtari, që është duke dhënë shpirt, kërkon t’i rrëfehet
Vizentalit, njësoj siç i rrëfehen priftit të krishterët e penduar në prag të
vdekjes.
Ushtari
i tregon Vizentalit për krimet monstruoze kundër hebrenjëve, në të cilat ai ka
marrë pjesë. Ai ndjehet i penduar dhe kërkon nga Vizentali që ta falë në emër
të popullit hebre.
Vizentali
dëgjon rrëfimin e ushtarit dhe pastaj largohet pa i thënë asnjë fjalë. Ky
veprim i Vizentalit ka nxitur debat të madh nëse ishte apo nuk ishte veprim i
duhur, nga pikëpamja morale. A duhej Vizentali, që edhe vetë ishte viktimë e
nazizmit, të cilit i kishte shërbyer ushtari, ta pranonte pendesën dhe kërkim
faljen e tij? Përgjigjja e Vizentalit është mohuese. Ajo kuptohet në vetë aktin
e largimit të tij nga ushtari pa i thënë asnjë fjalë.
Dhe
ka disa argumente që e mbështesin këtë përgjigjje të Vizentalit:
I
pari: Askush nuk e kishte autorizuar Vizentalin që të fliste dhe të merrte një
vendim në emër të hebrenjëve.
I
dyti: Asnjë nga familjet e viktimave të Holokaustit nuk e kishte e autorizuar
të bënte të njëjtën gjë.
I
treti : Ai nuk mund të fliste në emër të të masakruarve të pafajshëm dhe të
merre një vendim për vuajtjen e tyre.
I
katërti : As populli hebre dhe as familjet e viktimave nuk mund të marrin një
vendim faljeje në emër të tyre, pa i pyetur ato, sepse falja, në thelbin e saj,
është një akt personal dhe vetëm ai që ka pësuar krimin mund ta kryej këtë akt
falje.
Nëse
ne i falim kriminelët, pa i pyetur viktimat, ne bëjmë një akt të dytë krimi
kundër tyre, sepse po i përdorim ato për një qëllim që nuk ka të bëjë me to,
por me interesat tona. Prandaj falja është moralisht e pamundshme! Është
thyerje e ligjeve themelore te moralit! Është krim kundër humanizmit!