Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Mbi Fishtën
E merkure, 23.10.2019, 07:59 PM
Mbi Fishtën
Nga
Blerim Latifi
Sot
e pashë që shumë njerëz, në faqet e tyre në facebook, e paskan përkujtuar
Gjergj Fishtën, i cili është lindur me 23 tetor. Padyshim Fishta është një
intelektual dhe shkrimtar shumë i rëndësishëm në historinë e kulturës
shqiptare, rreth të cilit është debatuar e polemizuar vazhdimisht gjatë
shekullit të kaluar. Kryesisht këto polemika janë zhvilluar brenda kordinatave
ideologjike të së majtës e së djathtës. Komunistët e kanë kritikuar, sharë e
mohuar Fishtën dhe veprën e tij. Në rrafshin letrar e kanë akuzar si poet i
idealizimit të vlerave arkaike të popullit shqiptar, e në rrafshin politik e
kanë akuzar si bashkëpunëtor të fashizmit.
Në
anën tjetër nacionalistët e kanë bërë të kundërtën: për ta Fishta është një
poet nga më të mëdhenjtë e kombit shqiptar dhe intelektual që i shërbeu me
besnikëri kombit të tij, deri në frymën e fundit.
Sot
ne kemi nevojë ta shohim Fishtën përtej këtyre dy pozicioneve, atij të mohimit
dhe atij të glorifikimit.
Si
të gjithë intelektualët dhe shkrimtarët e tjerë, Fishta nuk mund të dilte
jashtë kohës së tij, sepse, siç thotë Hegeli, si individët ashtu edhe
filozofitë janë fëmijë të kohës së tyre. Njerëzit nuk mund të dalin jashtë
kohës së tyre, njësoj siç nuk mund të dalin nga lëkura e tyre. Vepra e Fishtës,
në thelbin e saj, është përpjekje për të dhënë përgjigjje në pyetjet dhe
dilemat e kohës në të cilën ai jetoi. Ai ishte një klerik nacionalist që donte
t’i shihte shqiptarët pjesë të Evropës, si një komb i lirë dhe i emancipuar. Në
këtë kontekst ai shqetësohej dhe shkruante kundër të gjithë atyre që mendonte
se ishin kundër këtij qëllimi. Këtu e ka burimin fryma antisllave në veprat e
tij, sidomos tek Lahuta e Malsisë. Si një nacionalist i kultivuar Fishta e
kuptonte se lufta për territore në Ballkan, nuk bëhej vetëm në rrafshin politik
dhe ushtarak, por edhe në atë kulturor e letrar. Të gjithë popujt e Ballkanit
kishin krijuar eposet e tyre nacionaliste, për t’i legjitimuar kulturalisht
ambiciet e tyre territoriale. Fishta e shkroi Lahutën e Malsisë, si
kundërpërgjigjje ndaj këtyre eposeve. Në këtë mënyrë ai u bë një intelektual që
i shërbente kombit të vet në luftën kulturore me kombet tjera. Si një
nacionalist shqiptar, ai ishte antisllav. Si një klerik katolik ai ishte
antikomunist. Këto dy pozicione e bënë atë që të afrohet me fashizmin, i cili,
poashtu, ishte antisllav dhe antikomunist. Ky afrim do ta shtyj atë pastaj
drejt pozicionit të një intelektuali me prirje antidemokratike dhe
antiliberale. Kështu hyrjen e ushtrisë gjermane në Paris ai e përshëndet si
goditje të merituar ndaj demokracive dhe ideve të Revolucionit Francez të vitit
1789, ndërsa tek figura e Musolinit dhe Hitlerit sheh dy gjeni të njerëzimit.
Natyrisht, ky vlerësim është dhënë para maskrave të mëdha që kryen nazizmi
gjerman dhe fashizmi italian, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Vetë Fishta vdiq
para se bota të merrte vesh për Holokaustin, ndërsa indiferenca e tij ndaj
çështjes hebreje shpjegohet me faktin se Fishta kishte një botëkuptim katolik,
brenda të cilit, gjatë historisë, shumë herë janë shfaqur sentimentet
anti-semite. Shikuar në përgjithësi, kjo lëvizje ideologjike e Fishtës mund të
kuptohet nisur nga fakti se nacionalizmi shqiptar ishte sponsorizuar për një
kohë të gjatë nga Austro-Hungaria dhe vetë albanologjia, pjesë e të cilës ishte
Fishta, ishte një produkt i investimit gjerman. Pa Austro-Hungarinë dhe
Gjermaninë, Shqipëria në vitin 1913 vështirë se do të njihej si shtet i
pavarur. Fishta ishte i bindur se mbështetjën, të cilën dikur shqiptarët e
morën nga Gjermania, Austro-Hungaria, dhe në një masë edhe nga Italia, do ta
merrnin përseri në kushtet e një rendi evropian të dominuar nga këto shtete. Të
njëjtën pikëpamje e kishin edhe nacionalistët e tjerë shqiptarë dhe këtu
qëndron shkaku madhor pse nacionalizmi shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore
nuk arriti të shndërrohej në një forcë antifashiste, gjë të cilën e bënë
komunistët me ndihmën e Partisë Komuniste Jugosllave dhe Kominternit (
Intenacionalja Komuniste e drejtuar nga Stalini). Të vetmit intelektualë
nacionalistë shqiptarë që mbetën në anën e demokracive perëndimore në atë kohë
ishin Noli e Konica dhe kjo, si duket, lidhet me faktin se ata jetonin në SHBA.
Fishta dhe nacionalistët e tjerë shqiptarë nuk u afruan me fashizmin për arsye
se besonin realisht në doktrinat e tij, por për arsye se besonin se kombi
shqiptar do të jetonte më mirë në një rend botëror të udhëhequr prej tij. Ky
ishte një vlerësim gjithsesi i gabuar dhe me pasoja të mëdha për shqiptarët,
sepse, siç u tha më lart, këtë e shfrytëzuan komunistët, të cilët e morën pushtetin
dhe e vazhduan edhe për një gjysmë shekulli tjetër dramën e shkëputjes së
shqiptarëve nga Perëndimi, dramë me pasojat e të cilës vazhdojmë të jetojmë
edhe sot e kësaj dite.