Editorial » Latifi
Latifi: Strategët e Beogradit dhe snobët e Tiranës
E merkure, 22.10.2014, 06:30 PM
Strategët e Beogradit dhe snobët e Prishtinës e Tiranës
Nga Blerim Latifi
Politika udhëhiqet nga interesat e të sotmes dhe ato të së ardhmes. Interes i të sotmes është fuqizimi ekonomik dhe demokratik i Kosovës dhe Shqipërisë, në mënyrë që nesër të realizojmë qëllimin e hyrjes në civilizimin perëndimor. Një gjë është e sigurt: ksenocentrizmi, vetëpërbuzja nuk e shkurton rrugën drejt këtij qëllimi. As snobizmi, sepse në Europë nuk do të pranojnë kopje të këqija të europianëve, por shqiptarë të europianizuar përnjëmend
Në
Beograd u dha alarmi: Shqipëria e Madhe po vjen. Në Prishtinë dhe Tiranë
gazetarë e publicistë që kanë pasion kritikën e nacionalizmit iu bashkuan
alarmit. Alarmi në
Në këtë mënyrë Beogradi përpiqet të mbajë në këmbë mitin e vet për serbët si kombi më i rëndësishëm në rajon.
Ky mit u krijua fillimisht në Luftën e Parë Botërore kur Serbia qëlloi të jetë në mesin e fitimtarëve të kësaj lufte dhe pastaj për herë të dytë u rikrijua në Luftën e Dytë Botërore, ku përsëri Jugosllavia e Titos u gjend në anën e fitimtarëve të rinj të kësaj lufte dhe më pas prishja guximtare e Titos me Stalinin i dha përfundimisht Beogradit kurorën e lavdisë në vendet perëndimore.
Ky mit mori fund në pranverën e vitit 1999, kur pikërisht këto vende ndërmorën bombardimin e Beogradit për t’i shpëtuar shqiptarët e Kosovës nga terrori i tij. Dhe trauma e sotme e Beogradit është trauma e fëmijës së përkëdhelur që papritur merr një shuplakë të madhe nga përkëdhelësit e tij: humbja e Kosovës në vitin 1999 dhe pavarësia e saj në vitin 2008.
Dy shtete shqiptare në Ballkan nuk përputhen dot me mitin për kombin serb si kombi më i rëndësishëm në regjion dhe derisa serbët nuk e kalojnë traumën dhe nuk heqin dorë nga ky mit ata do të vazhdojnë të shfryjnë mllef kundër shqiptarëve si në stadiumin e Partizanit në Beograd, të humbin kohë, energji e financa për të bindur botën se dy shtetet shqiptare janë faza e parë drejt Shqipërisë së Madhe dhe si shtete ku radikalizmi islamik ka një strehë të sigurt për ëndrrën e tij neo-mesjetare të kalifatit islamik. Në këtë plan, gjëja ideale do të ishte që në njëfarë mënyre simbolet e nacionalizmit shqiptar të bashkoheshin në një unitet simbolik me simbolet e radikalizmit islamik. Grafitet UÇK- ISIS të shkruara natën në muret e Manastirit të Deçanit, ose ridizajnimi virtual i mjekrës së Adem Jasharit në stilin e mjekrave të xhihadistëve, më se miri e shprehin këtë dëshirë të madhe kujdestarëve strategjikë të kombit serb.
Ndërkaq, në Prishtinë dhe Tiranë denoncimi i nacionalizmit shqiptar është snobizëm intelektual, që do të thotë dëshirë për t’u dukur sa më liberal dhe sa më perëndimor, sipas formulës popullore “më katolik se Papa”. Dy emra në vijnë ndërmend këtu: miku im Halil Matoshi dhe publicisti Fatos Lubonja. Ka plot të tjerë.
Këta publicistë, në shumë raste, nuk e hetojnë se si nga kritika pasionante e etnocentrizmit shqiptar rrëshqasin në ksenocentrizëm ( ksenos- i huaj), do të thotë në një pozicion ku gjithçka e kulturës tënde të duket e pështirë dhe pavlerë në krahasim më kulturën e huaj. Kësisoj kritika e vetëmburrjes etnocentrike kthehet në vetëpërbuzje ksenocentrike.
Ksenocentrizmi
është pasojë logjike e snobizmit intelektual. Snobët ( imituesit e vlerave
kulturore të një kulture të madhe të huaj) e kanë kompleksin e provincialitetit
dhe mënyrën më e mirë për t’i ikur këtij kompleksi e gjejnë në kauzën kundër
nacionalizmit, në rastin tonë, kundër nacionalizmit shqiptar, i cili afirmon
vlerat vendore. Kështu në tekstet e Lubonjës i gjithë rrëfimi i nacionalizmit
shqiptar është një rrëfim i pështirë, ndërsa te Matoshi snobizmi intelektual
shfaqet në termin e “nacionalizmit fshatar shqiptar” dhe konceptin e tij shumë
të dashur të “patriotizmit kushtetues”. Në këtë rast i bie që të dukesh më
gjerman se gjermanët, ngase janë intelektualët gjermanë ata që kanë shpikur
nocionin e patriotizmit kushtetues dhe atë për dy arsye. E para për të krijuar
një formulë legjitimiteti për realitetin e dy Gjermanive të ndara gjatë Luftës
së Ftohtë; dhe, dyta, për të mundësuar krijimin e një sensi identiteti të ri
brenda kombit gjerman, si shenjë e çlirimit përfundimtar nga trashëgimia e rëndë
e nacional-socializmit. Nga kjo pikëpamje, patriotizmi kushtetues është
konsekuencë filozofike e procesit të madh të denazifikimit të shoqërisë
gjermane. Matoshi e nxjerr këtë koncept nga konteksti gjerman dhe në mënyrë
dogmatike e aplikon në kontekstin kosovar dhe me këtë bie në lajthitje të madhe
intelektuale, sepse shqiptarët e Kosovës nuk kanë nevojë për denazifikim. Është
Halili dhe Lubonja duke denoncuar rrezikun e Shqipërisë së Madhe u duket se po mbrojnë ide liberale e demokratike, por në fakt nuk e shohin se nga ngutia për t’u dukur sa më liberalë janë kthyer në stalinistë dhe enveristë publicistikë. Pse? Në Gjyqet e Stalinit dhe Enver Hoxhës ka qenë rregull që viktimat, të cilat rëndom nuk kishin bërë ndonjë faj real, para se të merrnin dënimin detyroheshin të bënin autokritikë, që do të thotë duhej vetë dhe publikisht të pranonin fajin e gabimet, në mënyrë që drejtësia e partisë të dukej krejtësisht e pastër. Të njëjtën gjë në rrafshin publicistik sot e bëjnë Halili dhe Lubonja: i kërkojnë nacionalizmit shqiptar të bëjë autokritikën e Shqipërisë së Madhe, pra të pranojë një faj të cilin kurrë nuk e ka bërë dhe as që ka ndërmend ta bëjë. Nacionalizmi shqiptar është nacionalizmi i vetëm sot në Ballkan që ka pranuar logjikën e kompromisit historik dhe fakti më i drejtpërdrejtë i kësaj është turpërimi elektoral i Aleancës Kuq e Zi në Shqipëri dhe pafuqia e Lëvizjes “Vetëvendosje” në Kosovë për t’i nxjerrë në rrugë njëqind njerëz në emër të bashkimit kombëtar. Nacionalizmi shqiptar nuk e ka përmbushur në tërësi parimin e përputhjes në mes njësisë politike dhe njësisë etnike (kulturore), por me luftën dhe çlirimin e Kosovës e ka përmbushur një qëllim tjetër po aq të madh të tij: rilidhjen e shqiptarëve me botën perëndimore. Kjo lidhje ishte shkëputur ditën kur u mbulua me dhe Pjetër Bogdani në Prishtinën e vitit 1689 dhe ringjallja e saj kishte qenë boshti i idealeve të nacionalizmit kulturor të rilindasëve shqiptarë.
Në një rrafsh tjetër, ideja e Shqipërisë së Madhe në esencë i referohet një kujtese historike dhe shqiptarët kanë të drejtë të kenë kujtesë historike, që do të thotë kanë të drejtë të dijnë se paraardhësit e tyre kanë jetuar dikur deri tek Nishi, apo në Greqinë veriore si popullsi e madhe dhe sot nuk janë më. Askush nuk ka të drejtë t’u kërkojë të zhdukin kujtesën e tyre. Vrasja e kujtesës është akti final në një dramë gjenocidi dhe ne s’kemi pse të bëhemi pjesëmarrës në këtë akt, duke i ndihmuar xhelatit si viktima të bëjë më shpejt punën e tij. Por, kjo e drejtë në kujtesë në kushtet e sotme gjeopolitike dhe në perspektiven e realizmit politik assesi nuk mund të shndërrohet në program politik për të dizajnimin e të ardhmes sonë. Malli për të kaluarën është kategori poetike, por jo kategori politike. Politika udhëhiqet nga interesat e të sotmes dhe ato të së ardhmes. Interes i të sotmes është fuqizimi ekonomik dhe demokratik i Kosovës dhe Shqipërisë, në mënyrë që nesër të realizojmë qëllimin e hyrjes në civilizimin perëndimor. Një gjë është e sigurt: ksenocentrizmi, vetëpërbuzja nuk e shkurton rrugën drejt këtij qëllimi. As snobizmi, sepse në Europë nuk do të pranojnë kopje të këqija të europianëve, por shqiptarë të europianizuar përnjëmend.
Autori është mësimdhënës i filozofisë politike në Universitetin e Prishtinës.