E diele, 25.07.2021, 04:06 PM (GMT+1)

Lajme

Blerim Latifi: Partitë fajtore për rritjen e ekstremizmit

E premte, 10.01.2014, 08:40 PM


INTERVISTË ME BLERIM LATIFIN: MJERIMI IDEOLOGJIK I PARTIVE POLITIKE FAJTOR PËR RRITJEN E EKSTREMIZMIT FETAR

Nga Express

Grupet radikale po synojnë ta nxjerrin islamin nga xhamitë. Ka indikacione se prapa tyre qëndrojnë shërbimet inteligjente, ruse e serbe. Që propaganda e tyre të jetë efikase ndikon faktori ekonomik dhe rënia sistematike e cilësisë në arsim. Një faktor tjetër padyshim është vetë politika. Rexhep Qosja gjithmonë është udhëhequr nga logjika e inateve të tij personale. Në këtë kontekst e shoh edhe takimin me Shefqet Krasniqin. Milazim Krasniqi gabon kur fajin për problemet e shumicës e gjen te pakica. Profesori i filozofisë në Universitetin e Prishtinës, Blerim Latfi, flet për Express.

Express: Z. Latifi keni qenë ndër të parët që keni folur për rrezikun e rrymave të caktuara fetare në Kosovë. Shumë njerëz ju kishin mbështetur në tezat tuaja që mbrojnë shtetin sekular, ndërkohë që kishit fituar edhe shumë armiq. Si e shihni sot këtë debat?

Latifi: Debati dhe polemikat e ashpra mbi religjionin në vitet e fundit janë pasojë e rritjes së presionit publik nga grupe sociale që afirmojnë interpretime radikale dhe integraliste të islamit. Këto grupe të mbështetura financiarisht nga donatorë kryesisht të botës arabe, shpeshherë të dyshimtë, kanë shprehur hapur pakënaqësinë me modelin aktual të praktikimit të islamit në Kosovë, i cili është një model i përshtatjes së islamit ndaj sistemit sekular, model që ka tipare identike me atë që sot shumë studiues e quajnë islam europian. Këto grupe synojnë që islamin ta nxjerrin nga xhamitë dhe ta shtrijnë përgjatë gjithë jetës publike e sociale. Pikëpamja e tyre është se islami është sistem i jetës sociale dhe vetëm duke funksionuar si i tillë ai është islam i vërtetë. Kjo pikëpamje në thelbin e saj është totalitare ngase çdo ideologji apo botëkuptim që synon të diktoj gjithë jetën sociale në një shoqëri me t’u vënë në praktikë shndërrohet në regjim totalitar. Natyrisht ne jemi në Europë dhe një gjë e tillë i ka gjasat zero që të bëhet realitet. Ajo që në fakt mund të ndodhë është se do të humbim shumë energji si shoqëri duke u marrë me një problem të cilit etërit e kombit shqiptar - rilindasit, i kishin dhënë një zgjidhje qysh para një shekulli e më shumë, e kjo zgjidhje ishte nacionalizmi sekular, i cili vendosë përkatësinë kombëtare mbi atë fetare, duke ia subordinuar diversitetin fetar, unitetit nacional, si dhe orientimi kulturor europian. Kjo është sa i përket dimension ideologjik të debatit.

Në një rrafsh tjetër ka indikacione të shumta se prapa radikalizmit islam në Kosovë qëndrojnë agjenda të menduara mirë të shërbimeve inteligjente serbe e ruse, të cilat të shqetësuara më ekzistencën e dy shteteve shqiptare në Ballkan, duan t’i destabilizojnë ato përmes instrumentit klasik të shkatërrimit të kombeve: sektarizmit fetar. Mënyra më e mirë për ta kthyer një komb kundër vetes është të mbjellësh brenda tij grindjet sektare. Sot janë fare lehtë të hetueshme tendencat e sektarizmit të grupet që afirmojnë interpretime radikale të islamit në Kosovë. Pra, në thelbin e tyre, përpjekjet e grupeve të ndryshme për të shtyrë përpara këto interpretime nuk ka të bëjë me gjoja “zbulimin e islamit autentik”, ose “gjetjen e të vërtetave finale për botën dhe rendin e drejtë”, as “kuptimin e humbur të jetës”, por me situatën e manipulimit fetar të njerëzve për qëllime krejtësisht jofetare. Viktima më të mëdha të këtij manipulimi janë padyshim të rinjtë kosovarë, të cilët të kapluar nga frika e paperspektives bijnë lehtë pre e propagandës fetare.

Express: Si funksion mekanizmi i kësaj propaganda tek të rinjtë?

Latifi: procesi i prodhimit të një fanatiku, qoftë ky fetar, ose fanatik i një ideologjie sikurse ka qenë komunizmi historik, kalon neper tre faza. Faza e parë është faza e shpëlarjes së trurit. Në këtë fazë personit të kapur nga mekanizmi i propagandës i shpërlahet truri, që do të thotë i hiqet e gjithë dija dhe edukata e fituar më parë nga familja, shkolla e rrethi social. Kjo bëhet përmes etiketimit të kësaj edukate si “e gabuar”, “e rrejshme”, “e pamoralshme”, “në kundërshtim me parimet e Zotit”, e të tjera. Pas shpëlarjes së trurit fillon faza e dytë, faza gjatë të cilës në trurin e zbrazur injektohet dogma e re dhe modeli i ri i sjelljes. Papritur një djalosh që deri dje e keni parë me xhinse rrugëve të Prishtinës a Prizrenit, tash e shihni duke u mburrur me tunikën e tij arabe. Pas transformimit ky djalosh e sheh se të tjerët, shokët e tij, familjarët e tij, po vazhdojnë të veshin ende xhinse dhe kjo fillon t’i pengojë. Kështu ai merr përsipër ti bëjë edhe ata si veten. Këtu nisë faza e tretë, faza e veprimit me mision për të bërë sa më shumë njerëz si veten. Tërë ky mekanizëm funksion si kapitali investiv në ekonomi. Ashtu si paraja e fituar në tregun e investimeve riinvestohet për të fituar para të tjera, ashtu edhe militanti i prodhuar nga propaganda investohet për të prodhuar militantë të tjerë. Ky mekanizëm që ka funksionuar gjithë këto vite në Kosovë është faktori kryesor në shpjegimin e shkuarjes së kosovarëve të rinj në Luftën e Sirisë.

Express: Kjo propagandë, sikurse e quani ju, po duket të jetë shumë efektive, ngase tashmë shohim se jo vetëm të rinj, por edhe intelektualë e të fushave të ndryshme janë bërë pjesë e këtyre formave të reja të praktikimit të islamit në Kosovë?

Latifi: Efikasiteti i propagandës fetare mund të shpjegohet me një grup faktorësh. Në radhë të parë është faktori ekonomik. Një vend me ekonomi të pazhvilluar, ose ekonomi që zhvillohet tepër ngadalë, përbën një truall ideal për lulëzimin e ekstremizmit qoftë fetar qoftë ideologjik. Arsyeja është shumë e thjeshtë: ekstremizmi është gjithmonë gati të ofroj zgjidhje të thjeshta e të shpejta për problemet e rënda e komplekse të shoqërisë. Kjo i josh njerëzit. Të kujtojmë shembujt klasik. Në vitet ’30 të shekullit të kaluar Gjermania ishte zhytur në një krizë të tmerrshme ekonomike e sociale. Kapitalizmi liberal ishte shndërruar në një gërmadhë. Aso kohe pyetja e ditës ishte: cilat janë shkaqet dhe si të dilet nga katastrofa. Aty ishte një i çmendur që tha: shkak i të keqes janë hebrenjtë, duhet t’i heqim qafesh ata që Gjermania të ringjallet. Interpretimi nazist i krizës funksioni, Hitleri erdhi në pushtet për ta zhytur vetëm pa vite më pas Gjermaninë dhe gjithë botën në katastrofën më të madhe humane në historinë e njerëzimit: Luftën e Dytë Botërore. Me një skenar të tillë dekada më vonë erdhi në pushtet edhe Milosheviqi. Zgjidhja e thjeshtë dhe e shpejtë e tij për problemet e shoqërisë serbe ishte krijimi i Serbisë së Madhe. E dimë se çka ndodhi më pas. Jo që nuk u zgjidhen problemet e Serbisë, por Serbia u bë problemi më i madh i botës në fundin e shekullit XX. Përgjatë këtij shekulli, me logjikën e zgjidhjeve të shpejta e të thjeshta edhe shumë lëvizje të tjera, kryesisht komuniste, kanë rrënuar jetën e miliona njerëzve gjithë andej botës. Formula e tyre e thjeshtë ishte: revolucioni. Besimi të revolucioni ka qenë besimi se me një të goditur të madhe të gjitha të këqijat do të zhduken nga faqja e dheut. Natyrisht kjo e goditur në kush e di sa raste vetëm i ka shumëfishuar të këqijat. E njëjta logjikë vlen edhe për ekstremizmin fetar. Aty thuhet: fajin pse gjërat po shkojnë keq e ka fakti se nuk po lutemi sa duhet, nuk po i përkushtohemi plotësisht Zotit. Pra kthehuni ne fe dhe do të shiheni se si gjithçka shpejt e lehtë do të rregullohet. A ka joshje më të madhe se sa kjo? Në shikim të parë duket gjithçka në rregull por posa të aplikohet formula në realitet shohim se ajo nuk funksionon. E shumta që devocioni fetar mund të të ofrojë është efekti i opiumit. Ashtu si opiumi t’i qetëson dhimbjet e sëmundjes, por nuk është në gjendje ta shërojë sëmundjen, ashtu edhe feja t’i qetëson dhimbjet e mjerimit social përmes shpresës së një ditë Zoti do të na shpëtojë prej mjerimit, por nuk është në gjendje t’i eliminojë shkaqet reale, konkrete të tij. Dhe posa të kalojë efekti drogues i opiumit njeriu e kupton se sëmundja është po aty ku ishte më parë, në trupin e tij. Kjo vlen edhe për shoqërinë: posa të kalojë efekti i iluzionit fetar njerëzit e shohin se problemet e shoqërisë së tyre janë po aty ku kanë qenë. Marksi duket se ka pasur të drejtë: feja është opium për popullin.

Express: Nuk shihni asgjë pozitive tek feja?

Latifi: Liria e besimit dhe e praktimimit të fesë është liri absolute. Për sa kohë që feja kultivohet si bindje private, dhe praktikë e jetës sociale në kornizat e shoqërisë civile, ajo mund të një gjë shumë e dobishme. Ajo mund të gjenerojë vetëbesim në rrafshin psikologjik, por edhe praktika sociale të solidaritetit mes njerëzve. Njerëzit kanë të drejtë të besojnë çfarë të duan dhe ta shprehin besimin e tyre. Feja bëhet problem kur një grup që pretendon monopolizimin e saj tenton ta imponojë fenë në shoqëri si një program politik e social. Interpretuesit radikal të islamit sot në Kosovë duan pikërisht këtë. Ata synojnë të na tregojnë se si duhet t’i jetojmë jetët tona, se si duhet të mendojmë e të sillemi dhe nëse nuk u bindemi na pret ferri. Nuk ka kërcenim më të madh për lirinë e njerëzve se sa insistimi për të imponuar idenë se ti e di se si njerëzit duhet ta jetojnë jetën e tyre, më mirë se sa vetë ata.

Express: Më lartë përmendët edhe faktorë të tjerë që kanë ndikuar që feja islame të bëhet kaq e zëshme në debatin publik në Kosovë. Cilët janë ata?

Latifi: Fakti se imamët e shumtë me meselet e tyre fetare, që nuk dallojnë hiç nga proza popullore e Xhemail Obrisë, janë bërë super starë në sferën tonë publike dhe kanë një audiencë në rritje e sipër flet për një gjendje të degradimit kulturor në shoqërinë kosovare. Rënia sistematike e cilësisë në sistemin arsimor të Kosovë, që nga çerdhet e deri në nivelin universitar, ka shkaktuar një përhapje masive të injorancës të nxënësit, rinia studentore e më gjerë. Aty ku është injoranca aty ka bukë për meselet fetare. Kjo rënie lidhet me faktin se ka dy dekada që arsimimi në Kosovë vuan nga improvizimi kronik, në fillim improvizimi i para luftës, i diktuar nga rrethanat e regjimit fashist të Milosheviqit, dhe pastaj improvizimi i pasluftës, ku si efekt i reformave të pamenduara e të pastudiuara, gjërat veç janë përkeqësuar edhe më shumë, në shumë drejtime. Tash paramendojeni nëse në këtë gjendje në sistemin arsimor e futni edhe fenë me tregimet e saj të bukura. Të jeni të bindur se brenda një pesë vjeçari sistemi arsimor i niveleve primare do të rrënohet krejtësisht. Në betejën arsimore në mes një kleriku që tregon përrallën e bukur të krijimit të njeriut nga dheu dhe një arsimtari injorant të biologjisë që nuk di t’u shpjegojë nxënësve karakterin shkencor të darvinizmit, fitues do të dalë padyshim kleriku.

Një faktor tjetër padyshim është vetë politika. Në një situatë kur imazhi i politikës është tejet negativ dhe kur partitë politike janë shndërruar në parti të patronazhit dhe klientelizmit politik, që nuk ofrojnë kurrfarë idesh a konceptesh për shoqërinë, njerëzit në shumë raste janë të prirur t’i kërkojnë këto ide diku tjetër, p.sh. në fe. Në këtë kontekst mjerimi ideologjik i partive politike shkon në favor të predikuesve fetarë që i mbajnë në xhep të gjitha përgjigjet për të gjitha problemet e botës.

Express: Në debatin për fenë, përgjithësisht, shkrimtarët, akademikët, gazetarët, por edhe politikanët kanë mbrojtur fort laicizmin. Por kohët e fundit duket se po ndryshon situata; Akademik Rexhep Qosja nuk ka hezituar ta lavdëroi publikisht Shefqet Krasniqin - i konsideruar si imami kryesor që përpiqet ta shkulë Islamin Tradicional dhe të instaloi në Kosovë atë që ju e patët quajtur Islam i Shkretëtirës. Si e shihni këtë qëndrim të z. Qosja?

Latifi: Qosja gjithmonë është udhëhequr nga logjika e inateve të tij personale. Konsideratat e tij për eksponent të interpretimit salafist të islamit në Kosovë janë në këtë frymë. Duke qenë se armiqtë e tij më të mëdhenj privatë; Rugova dhe Kadareja në mënyrë të hapur kanë qenë kritikë ndaj dimensionit islam të identitetit shqiptar, i pari me pro katolicizmin e tij të hapur, e i dyti me kriticizmin e tij të drejtpërdrejtë ndaj procesit të konvertimit të shqiptarëve në fenë islame gjatë sundimit të Perandorisë Osmane, Qosja përpiqet t’i luftoi ata duke kaluar në kampin tjetër, pra duke u bërë proislamik. Duke u bërë i tillë ai do të na japë argumente tjera se armiqtë e tij janë në anën e gabuar të historisë. E kam lexuar vlerësimin e tij për imamin Shefqet Krasniqin. Nuk e di nëse Qosja ka radhitur në kontributet kombëtare të Shefqet Krasniqit edhe fyerjet e ulëta jonjerëzore të këtij për ikonën e humanizmit shqiptar - Nënë Terezën? Kjo lajthitje nuk ka shpjegim tjetër përveç inateve të pafrenuara. Këto inate e dëmtojnë krejtësisht vetëpozimin e Qosjes si intelektual e mendimtar.

Express: A është i tillë Qosja?

Latifi: Intelektuali është figurë e krijuar nga iluminizmi europian, si konkretizim i idesë së morali dhe dituria duhet të shkojnë bashkë. Intelektual, pra sipas traditës iluministe, është dikush që përdorë dijen e tij, autoritetin e tij në fushën e shkencës e të kulturës në funksion të një kauze morale universale, e jo dikush që dijen dhe autoritetin shkencor e përdorë për t’u bërë varrin armiqve të tij privat.

Express: Takimi i Qosjes me këtë hoxhë vjen në një kohë kur janë shtuar zërat që thonë se “ekstremizmi fetar” nuk është (vetëm) islam. Bie fjala, profesori Milazim Krasniqi tha se përçarjet po i bëjnë katolikët fanatikë.

Latifi: Katolikët janë minoritet shumë i vogël në Kosovë. Si të tillë ata nuk janë në gjendje të diktojnë debatin publik në Kosovë, e as të shkaktojnë përçarje as fetare e as ideologjike. Është ide e rrezikshme kur shumica, për problemet e saj të brendshme, nisë të fajësojë një pakicë tjetër. Milazimi ka thënë më duket se katolikët nuk e kanë monopolin mbi vulën e shqiptarizmit, por këtë nuk e kanë as shqiptarët myslimanë e as ata ortodoksë. “Vula e shqiptarizmit”, po e përdori kushtimisht këtë term të diskutueshëm, është pronë e përbashkët e shqiptarëve të të tre besimeve. Një shikim i shpejtë në historinë e lëvizjes kombëtare shqiptare na bindë në këtë. Shqiptarët e të tre besimeve të mëdha, përfshirë edhe bektashizmin kanë dhënë kontribute të njëjta në procesin e gjatë e të vështirë të formimit kombëtar të shqiptarëve. Bile mund të thuhet se kontributi më i madh i tyre ka qenë ndërtimi përkatësisë kombëtare mbi dhe përtej vijave të dallimeve fetare. Aktualizimi dhe vënia në plan të parë e këtyre dallimeve përbën kërcënimin më të madh i cili mund t’u bëhet sot shqiptarëve



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora