E premte, 29.03.2024, 03:54 PM (GMT)

Editorial » Latifi

Latifi: Lavdrim Muhaxherin e prodhuan hoxhallarët

E enjte, 31.07.2014, 07:51 PM


Intervistë me Blerim Latifin:

Lavdrim Muhaxherin e prodhuan hoxhallarët tanë

Tash e 15 vjet në xhamitë e Kosovës në mënyrë të papenguar është predikuar fanatizmi fetar islamik. Ky lloj predikimi tanimë i ka arritur efektet e veta: ka prodhuar militantë, si puna e Muhaxherit dhe shokëve të tij. Përgjegjësinë më të madhe për këtë e bart në radhë të parë Bashkësia Islame e Kosovës e cila ka bërë një gabim tepër të madh duke u dhënë imamëve të saj një liri të plotë në predikimet e tyre. Por cilët janë edhe faktorët tjerë që po ndikojnë në rritjen e fanatizmit fetar? I pari është sistemi politik gjerësisht i korruptuar, i dyti është sistemi arsimor i shkatërruar në të gjitha nivelet që nga çerdhet e deri në universitete dhe i treti është pesimizmi ekonomik i lidhur me krizën strukturore të ekonomisë së vendit. Blerim Latifi, mësimdhënës i filozofisë në Universitetin e Prishtinës flet për Express.

Express: z.Latifi si e komentoni veprimin e xhihadistit Lavdrim Muhaxheri i cili u shfaq në sytë e botës duke masakruar një të ri diku në Siri apo Irak?

Blerim Latifi: Kam lexuar e dëgjuar këto ditë lloj-lloj shpjegimesh mbi veprimin e tmershëm të terroristit Muhaxheri, që nga shpjegimet psikiatrike që e nxjerrin atë si një psikopat, e deri tek ato të llojit konsipirativ sipas të cilave ky vrasës është një agjent i shërbimeve sekrete serbe e që është në funksion të prishjes së imazhit të shqiptarëve në botë. Konsideroj se e vërteta qëndron diku tjetër. Një veprim i tillë kriminal është pasojë direkte e një situate kur bashkëdyzohen fanatizmi fetar me përvojën e përditshme të luftës. Masakruesit janë produkte të këtij bashkëdyzimi. Fanatizmi ja mundëson njeriut të hedhë tutje çdo ndjenjë keqardhje apo dhembshurie për të gjithë ata që mendojnë ndryshe prej tij, që kanë religjion apo ideologji tjetër, ndërsa të jetuarit në një ambient lufte ia bën të mundur heqjen e frikës nga vdekja, aq më tepër nëse lufta është e inspiruar nga dallimet religjioze.Rasti në fjalë na tregon edhe njëherë se çfarë fuqie të madhe transformimi ka fanatizmi, qoftë e fetar qoftë ideologjik, i cili përmes manipulimit mental e shndërron njeriun fillimisht në lëndë të parë dhe pastaj nga ajo lëndë krijon çfarë të dojë, e edhe vrasës të tillë si ky Muhaxheri. Historiani britanik Eric Hobsbaëm diku njëherë ka thënë se në shumë raste ideologjia di të jetë edhe më e rrezikshme se sa bomba atomike. Natyrisht ne si shoqëri nuk jemi përgjegjës për luftën në Siri dhe Irak, por jemi përgjegjës për fanatizmin fetar, i cili i ka shtyrë qindra kosovarë të shkojnë atje dhe të përfshihen në masakra ndërsektare të botës arabe.

Express: Në çfarë kuptimi duhet ta marrim këtë përgjegjësi?

Blerim Latifi: Ka pesëmbdhjetë vite që ne kemi lejuar që nepër xhamitë tona dhe ambiente të tjera sociale të predikohet në mënyrë të papenguar dhe sistematike fanatizmi fetar islamik, që do të thotë predikimi sipas të cilit ka vetëm një mënyrë të drejtë dhe të lejuar të të jetuarit, e ajo është mënyra salafiste ( radikalizmi islamik) dhe të gjitha të tjerat janë të gabueshme dhe të pamoralshme, se shiitët janë devijant të poshtër të islamit, se hebrenjtë janë popull i mallkuar, se amerikanët janë djaj, se gratë duhen nënshtruar e përbuzur, se xhihadi është forma më e lartë e përkushtimit fetar, se të gjitha të këqijat e shoqërisë vijnë nga mungesa e fesë, e plot gjëra të ngjajshme, krejtësisht të paqëndrueshme. Ky lloj predikimi tanimë i ka arritur efektet e veta: prodhimin e militantëve, si puna e Muhaxherit dhe shokëve të tij.

Express: Kush bartë në këtë mes përgjegjësinë më të madhe?

Blerim Latifi: Në rradhë të parë Bashkësia Islame e Kosovës. BIK-u ka bërë gjithë këto vite një gabim tepër të madh duke u dhënë imamëve të saj një liri të plotë në predikimet e tyre. Asnjë organizatë serioze nuk bën një gjë të tillë. Ajo është dashur që në fillim të disiplinoj klerikët e saj në terren.

Express: Në çfarë mënyre ?

Blerim Latifi: Duke krijuar një kod strikt të korrektesisë në predikimin publik. Përmes këtij kodi në njëren anë do të rregullohej mënyra e ligjërimit fetar duke shmangur gjuhën e fanatizmit dhe urrejtjes ndaj formave të tjera të besimit, sjelljes e mendimit dhe në anën tjetër do të sanksionoheshin të gjithë ata klerikë që do ta thyenin këtë kod të korrektësisë. çdo fe që nuk ka një kod të korrektësisë publike herët a vonë shndërrohet në problem dhe kërcënim për shoqërinë. Bashkësia Islame e Kosovës kurrë nuk ka bërë një gjë të tillë. Ajo vetëm deklarativisht shpeshherë ka kundërshtuar ndonjë klerik të saj ekstremist, por asnjëherë nuk ka ndërrmarrë masa konkrete të sanksionimit e penalizimit. Natyrisht ky nuk është faktori i vetëm.

Express: Cilët janë të tjerët?

Blerim Latifi: E kam thënë edhe njëherë tjetër: prapa fanatizmit fetar në rritje në Kosovë qëndrojnë tre faktorë bazik që e ushqejnë vazhdimisht atë. I pari është sistemi politik gjerësisht i korruptuar, i dyti është sistemi arsimor i shkatërruar në të gjitha nivelet që nga çerdhet e deri në universitete dhe i treti është pesimizmi ekonomik i lidhur me krizën strukturore të ekonomisë së vendit. Në një gjëndje të tillë pa politikë serioze, pa edukim funksional modern, pa ekonomi, klerikët populist dhe ekstremizmi fetar gjejnë terren ideal për të lulëzuar dhe kjo atakon më se pari shtresën sociale e cila më se shumti është e disponuar pro radikalizmit e që janë të rinjët. Bile mund të them se në këso situatash krize të rinjët përbëjnë shtresën më të rrezikshme të shoqërisë.

Express: Përse të rinjët janë shtresa më e rrezikshme?

Blerim Latifi: Shikoni tek ne ekziston një bindje se të rinjët janë shtresa më progresive dhe më e emancipuar e shoqërisë. Kjo është vetëm një mit i iluminizmit vulgarë. Historia na tregon se të rinjët gjithmonë kanë qenë në krye të lëvizjve më të përgjakshme në shoqëri të ndryshme. Ja disa shembuj : Jakobinët që i lanë me gjak rrugët e Parisit në kohën e Revolucionit të vitit 1789 të gjithë kanë qenë djem të rinj, si Robespieri apo Sen Zhysti, bolshevikët rus poashtu, lëvizjet fashiste në Europë kanë nisur si lëvizje të të rinjëve dhe veteranëve të kthyer nga transhetë e Luftës së Parë Botërore, Kmerët e Kuq të Pol Potit që vranë gati 1 milion njerëz në fushat e vdekjes në Kamboxhia, të gjithë ishin djem të rinj, dhe sot lëvizjet radikale islamike, si ISIS, janë në thelb lëvizje të rinjësh. 

Express: Si mund të shmangim rrezikun nga ekstremizmi fetar, rrezik për të cilin tanimë kanë dhënë alarmin edhe vendet dhe mekanizmat perëndimorë që e mbështesin Kosovën?

Blerim Latifi: Duhet punuar përnjëmend në të gjitha ato fusha që i përmenda më lart. Pra na duhet një jetë politike e mirëfilltë, e jo një kastë politikanësh që shqetësohen vetëm për kapitalizimin privat të funksioneve publike, na duhet ti kthehemi njëherë e mirë sistemit arsimor dhe ta nxjerrim nga kollapsi ku ka rënë, e që i ngjanë një industrie të riprodhimit të injorancës dhe në anën tjetër krerët e bashkësisë më të madhe fetare në Kosovë, BIK-ut, të ulen e ti përvishen punës për ndërtimin e një kodi të korrektësisë. Dua ta përseris atë që e thash më lart : feja pa një kod të korrektësisë publike, në kushtet e një shoqërie me shumë besime, pashmangshëm shndërrohen në problem kombëtar.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora