Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Katastrofa më e madhe njerëzore në histori
E diele, 01.09.2019, 10:31 AM
Katastrofa më e madhe njerëzore në histori
Nga Blerim
Latifi
Sot
njerëzimi kujton 80 vjetorin e fillimit të Luftës së Dytë Botërore, katastrofa
më e madhe njerëzore në histori. Llogaritet se në këtë konflikt humbën jetën
mbi 75 milionë njerëz, anë e mbanë botës. Për shqiptarët e Kosovës kjo luftë
ishte shembull i fatit në fatkeqësi, sepse po të mos ndodhte kjo luftë, sipas
marrëveshjes serbo- turke për shpërnguljen e shqiptarëve, deri në vitin 1943,
asnjë shqiptar nuk do të mbetej në Kosovë. Pushtimin e Jugosllavisë nga
Gjermania, shqiptarët e Kosovës e përjetuan si çlirim, sepse regjimi serb i
asaj kohe ishte brutal e fashist me ta deri në skajshmëri, por falë kodit
kanunor të besës ata nuk u bënë pjesë e persekutimit të hebrenjve. Fatkeqësia e
madhe e shqiptarëve në Luftën e Dytë Botërore ishte se ata u përçanë në kampe ideologjike
dhe nacionalizmi shqiptar properëndimor nuk arriti të konsolidohej e të fitonte
mbi këtë përçarje.
__________________
Daçiçi
grumbullon çnjohje, ne grumbullojmë vota, SHBA kujdeset për pavarësinë tonë.
Derisa
ne kemi harruar punët e shtetit, duke vrapuar pas grumbullimit të votave, Ivica
Daçiç me çantën e tij diplomatike të mbushur me para bredh nëpër shtetet
private të Afrikës për të blerë çnjohjet e Kosovës, ndërkaq, siç paska shkruar
një media e Beogradit, “shërbimet e inteligjencës amerikane janë aktivizuar për
të zbuluar personat që po lobojnë dhe shtetet eventuale të cilat po e përkrahin
Serbinë në luftën kundër pavarësisë së Republikës së Kosovës”. SHBA-të po
sillen me ne jo si partnerë, por siç sillet baba me të birin : edhe kur i biri
lazdrohet dhe bëhet bukëpërmbyst, baba vazhdon të kujdeset për sigurinë e tij.
Veç një gjë duhet ta kemi të qartë : edhe kujdesi atëror i ka kufijtë e tij.