Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Ndryshimet psikopolitike pas 6 tetorit
E diele, 03.11.2019, 04:11 PM
NDRYSHIMET PSIKOPOLITIKE PAS 6 TETORIT
Nga
Blerim Latifi
Aktivizimi
i madh i diplomatëve perëndimorë, ende pa u ndërtuar qeveria e re e Kosovës,
duket qartë se ka për qëllim të imponojë agjendën e parë, me të cilën do të
merret kjo qeveri. Në thelb të kësaj agjende është dialogu me Serbinë. Krejt
ato gjëra që partitë politike kanë premtuar gjatë fushatës elektorale,
detyrimisht, kanë për t’u lënë anash, për një periudhë ta caktuar. Perëndimi, e
në mënyrë të veçantë SHBA-ja, janë duke u ngutur shumë në gjetjen e një
zgjidhje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë. Barriera e parë në të cilën do
të ndeshet kjo ngutje është klima konfliktuale e politikës në Kosovë. Në pesë
vitet e fundit kjo klimë e ka dëmtuar shumë rëndë pozicionin ndërkombëtar të
Kosovës. Nga viti 2017, e deri në rënien e Qeverisë Haradinaj, Kosova ka kaluar
nëpër një situatë absurde, në rrafshin e politikës së jashtme. Ne nuk kemi
pasur politikë të jashtme unike. Kemi pasur politika të jashtme, aq sa kemi
edhe parti politike. Për më tepër vetë koalicioni në pushtet gjithë kohën ka
qenë i ndarë në tri pozicione të ndryshme: ndryshe mendonte presidenti, ndryshe
kryeministri dhe ndryshe prej të dyve kryetari i Kuvendit. Ndërkaq, përpjekja
për t’i tejkaluar dallimet me anë të një ekipi të përbashkët për dialogun, doli
sa qesharake, aq edhe në kundërshtim me kushtetutën.
Duke
marrë parasysh gjithë këtë, problemi i parë të cilin duhet ta tejkalojnë
partitë parlamentare, është gjetja e një formule për të ndjekur një politike të
jashtme të unifikuar. Mesazhi fillestar që do të jepej, nëse kjo gjë arrihet,
do të ishte mesazhi se Kosova është një shtet serioz, e jo një konglomerat
pushtetesh partiake. Për këtë, mes tjerash, janë të domosdoshme edhe
transformimet psikopolitike të partive politike dhe liderëve të tyre.
Çfarë
kam në mendje me këtë term?
Çdo
pozicion politik bartë në vete njëlloj psikologjie dhe kjo psikologji bëhet më
e fuqishme, sa më shumë që zgjatë në kohë pozicioni politik.
Kështu,
p.sh. Lëvizja Vetëvendosje! ka një periudhë 14 vjeçare si subjekt opozitar. Ajo
është e mishëruar me logjikën e kundërshtimit e refuzimit të politikave të
pushtetit. Tani u duhet të ndryshojnë psikopolitikisht.Vetë Kurtit i duhet të
bëjë ndryshimin e tij të madh personal. Si lider opozitar, ai ndjehej komod në
ligjërimin e tij moralist e populist, ndërsa tani, me të marrë postin e
kryeministrit, që në ditën e parë të punës, do të ballafaqohet me të vërtetën e
hidhur se politika nuk është vetëvendosje, por një art i bezdisshëm i negocimit
dhe kompromisit të interesave e ideve. Sapo të pranojë këtë të vërtetë, ai do
të detyrohet t’i zhgënjej militantët idealistë që presin prej tij qoftë
mrekullira, qoftë hakmarrje për vuajtjet e të kaluarës.
Opzita
e re, në anën tjetër, poashtu, duhet të futet në procesin e transformimeve
psikopolitike. Duke qenë për një kohë të gjatë në pushtet, PDK-ja është
mishëruar me të dhe ka harruar se si bëhet opozita. PDK-së do t’i duhet kohë
për të gjetur pyetjet opozitare, e për të lënë pas trashëgiminë e pyetjes
kryesore që është shtruar brenda saj, tash e sa vite : Kush, çfarë merr? Ajo,
tani, ndodhet para dy alternativave të veprimit politik: të bëjë një
opozitarizëm hakmarrës, ose një opozitarizëm të matur, në kuadër të konsensusit
nacional për zgjidhjen e problemit të Kosovës me Serbinë. Sipas gjasave do të
provohet me një formulë të ndërmjetme. Në këtë kontekst, LDK ka pozicionin më
komod, për shkak se në dy vitet e fundit ajo ka bërë lojë të dyfishtë, duke u
përpjekur të ruaj imazhin e një partie konstruktive, por edhe atë të një partie
që bën opozitë efektive. AAK-së, ndërkaq, do t’i duhet një kohë për t’u
rehabilituar nga goditja e madhe që mori në zgjedhjet e 6 tetorit. Rënia e
përnjëhershme nga entuziazmi i madh në zhgënjimin e madh, ka pasoja traumatike
dhe njëra prej tyre mund të jetë dorëheqja e Ramushit nga mandati i deputetit.
Për
Nismën çfarë të thuhet?
Koncepti
identitar i saj si një parti e vogël, por e domosdoshme në ndërtimin e
qeverive, ka marrë një goditje fatale në zgjedhjet e 6 tetorit. Limaj do të
duhet të mendojë për një koncept të ri, nëse ka në plan të vazhdoj të merret me
politikë. Madje edhe nëse ndodhë të kalojë pragun, e të futet në qeverinë e re.
Partneri i tij parazgjedhor, Pacolli, duket të ketë ardhur në fundin e
karrierës së tij politike. Ai mbetet shembull tipik për pafuqinë që pushtetin
ekonomik ta shndërroj në autoritet politik. Thënia e famshme e Leninit për
politikën si ekonomi e kondenzuar, në këtë rast, duket të jetë krejtësisht e
gabuar.