Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Adem Demaçi dhe Danilo Kish
E shtune, 25.01.2020, 10:18 AM
Adem Demaçi dhe Danilo Kish
Nga
Blerim Latifi
Ishin
vitet ’50 të shekullit të kaluar. Aleksandër Rankoviqi, shefi i UDB-së,
policisë politike famëkeqe jugosllave, në kulmin e fuqisë së tij, kishte
ndërmarrë një fushatë sistematike terrori mbi shqiptarët e Kosovës. Një student
i ri nga Kosova po studionte Letërsinë Botërore në Beograd. Ishte i tërhequr,
por edhe të tjerët nuk preferonin të shoqëroheshin me të. Quhej Adem Demaçi.
Një ditë iu afrua një student me prejardhje hungarezo-malazeze. Quhej Danilo
Kish. Atij i kishte rënë në sy vetmia e studentit nga Kosova dhe e ndjente se
duhej t’i ndihmonte të mos e vuante atë. Iu afrua, i zgjati një cigare, por
kosovari refuzoj duke i thënë se nuk e pinte duhanin. Një ditë tjetër e ftoi të
pinin nga një gotë raki, aty afër fakultetit. Sërish kosovari ia ktheu : Nuk pi
alkool! Atëherë Danilo Kish i tha : Po me vajzat si i ke punët? Demaçi iu
përgjigj : Nuk më interesojnë! I habitur me refuzimet e tij të njëpasnjëshme,
Danilo Kishi i tha : E për çfarë jeton ti? Demaçi nuk iu përgjigj. Pastaj ditët
rrodhën dhe rrugët e të dyve u ndanë : Danilo Kishi u bë shkrimtari më i mirë
në Jugosllavi, ndërsa Adem Demaçi i burgosuri më i madh politik i saj. 28 vite
burg për lirinë e popullit të tij janë përgjigjja e Adem Demaçit në pyetjen e
Danilo Kishit.