Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Njollat e gjakut në kopshtin e mbjellur me qepë
E diele, 24.11.2019, 01:55 PM
Njollat e gjakut në kopshtin e mbjellur me qepë
Nga
Blerim Latifi
Ishte
maji i vitit 1998. Në atë kohë studimet universitare i mbanim në shtëpi
private. Fakulteti Filozofik ishte vendosur në dy shtëpi të tilla, në Lagjën e
Muhaxherëve në Prishtinë. Pas ligjëratave kthehesha në banesë përmes rrugicave,
duke iu shmangur rrugëve kryesore, në mënyrë që të mos hasja në patrullat
policore, të cilat tërë ditën endeshin rrugëve dhe maltretonin qytetarët.
Rreziku për mua ishte edhe më i madh, për shkak se vija nga Prekazi, i cili nga
5 Marsi ishte në luftë. Në tre raste, kur më kishin ndaluar, më patën mbajtur
gjatë, derisa e verifikonin nëse gjendej emri im në listat e njerëzve të
kërkuar prej tyre. Edhe atë ditë të 12 Majit, pas ligjëratave, ndoqa të njëjtin
itinerar, nëpër rrugicat e lagjes. Jo shumë larg nga fakulteti, ishin
grumbulluar disa njerëz afër një shtëpie të vogël e të vjetër. Nga bisedat e
tyre e kuptova se në atë rrugicë kishte pasur të shtëna midis policisë dhe dy
personave, emrat e të cilëve askush nuk i thoshte. Njëri prej tyre ishte vrarë
dhe policia e kishte marrë trupin e tij. Me shokun që ishte me mua, hymë në
shtëpinë ku kishte ndodhur ngjarja. Gjithçka ishte përmbysur, dera dhe dritaret
ishin thyer, disa vrima plumbash shiheshin në murin e gëlqerosur të shtëpisë dhe
në kopshtin e vogël të mbjellur me qepë, shiheshin njolla gjaku. Një plak që
ishte aty na tha se duhej të largoheshim, sepse policia ishte në fund të rrugës
dhe mund të kthehej nga momenti në moment. E dëgjuan plakun dhe u larguam. Më
vonë e morrëm vesh emrin e të vrarit. Ai ishte Agron Rrahmani, pjestar i
ilegales së LKÇK- së, në Prishtinë, i cili u rivarros sot jo shumë larg vendit
ku u vra 21 vjet më parë.