E enjte, 10.10.2024, 03:12 PM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Filozofia sot

E enjte, 21.11.2019, 10:00 PM


Filozofia sot

Nga Blerim Latifi

Gjithmonë mbi filozofinë ka rënduar një pyetje e vështirë, pyetja pragmatike: Në çka konsiston dobia e filozofisë?

Në këtë pyetje ka pasur përgjigje të shumta, por këtu do të ndaleshim në dy prej tyre. Një përgjigje thotë se dobia e filozofisë nuk ekziston, tjetra thotë të kundërten, pra që filozofia është e dobishme. Këto përgjigje nuk mund të shikohen jashtë konteksteve të caktuara. Përgjigja mohuese jepet rëndom brenda një konteksti të dominuar prej ekonomizmit, ku çdo gjë matet me vlerën e tregut. Filozofia nuk e ka vlerën e një malli që shitet, prandaj është e padobishme dhe nuk ja vlen të humbet kohë me të. Meqë kriter i ekzistencës është vlera e tregut, kjo përgjigje nënkupton braktisjen e filozofisë. Në këtë mënyrë kapitalizmi e interpreton ndryshe parimin kartezian “mendoj, pra jam”. Parimi i kapitalizmit thotë: “shitem, pra jam”. Aftësohu për t’u shitur ose zhduku. Jo rastësisht Marksi e përshkruante shoqërinë kapitaliste si “shoqëri e prostitucionit të përgjithësuar”. Profesionet pragmatike e ndërtojnë strukturën e kësaj shoqërie, ndërsa universitetet kanë për detyrë t’i kultivojnë këto profesione. Filozofia nuk e gjen dot vetën brenda kësaj skeme, skemë e cila sipas një shprehje të Lyotard-it është po aq totalitare sa edhe totalitarizmi në kuptimin politik, sepse i heq të drejtën e ekzistencës diçkaje që nuk i përshtatet kritereve të saj të legjitimimit.

Kjo është në pika të shkurtëra përgjigja mohuese, në pyetjen se ku konsiston dobia e filozofisë.

Brenda po të njëjtit kontekst përvijohet një pikëpamje tjetër për filozofinë, sipas të cilës në mungesë të vlerës së tregut vlerat e filozofisë mund të shpëtohen duke i reduktuar ato në vlera muzeale. Brenda këtij përfytyrimi historia e filozofisë i ngjanë një muzeu të madh idesh të krijuara në të kaluarën dhe në ditët e sotme shtetet japin fonde që të mirëmbahet ky muze. Me këto fonde paguhen mësimdhënësit e filozofisë, që nuk janë asgjë tjetër, veçse rojtarë dhe ciceronë të këtij muzeu. Detyra e tyre është t'u tregojnë vizitorëve të këtij muzeu ( lexuesve) se cilat kanë qenë, ta zëmë, idetë e Platonit, ato të Kantit, apo Hegelit, dhe kështu t’u ofrojnë atyre, atë që Borhes e quan “kënaqësia e erudicionit të padobishëm”, por njëkohësisht t’i përgadisin edhe muzeologët e rinj. Kaq të dashur filozofë. Nuk keni punë të tjera për të bërë në këtë botë.

Përgjegja pohuese lidhet me një kontekst tjetër. Ajo e pranon në një anë padobishmërinë ekonomike të filozofisë, por në anën thotë se nuk ekziston vetëm dobia ekonomike e gjërave. Ekzistojnë edhe dobi të llojeve të tjera. P.sh në kulturën perëndimore një ndër vlerat bazike është mendimi kritik. Shkenca dhe demokracia, dy nga vlerat më të spikatura të civilizimit perëndimor,varen në mënyrë të qeniesishme prej këtij mendimi. Aty ku kriticizmi përjashtohet, aty shkenca dhe demokracia i kanë ditët e numëruara, deri në instalimin e ndonjë trajte të regjimeve që legjitimohen nga të “vërtetat përfundimtare”. Vitaliteti i shkencës dhe demokracisë qëndron pikërisht në shpleksjen e vazhdueshme në mes autoritetit dhe të vërtetës, shpleksje të cilën filozofia perëndimore e ka ushqyer panderprerë që nga dita kur Anaksimandri i tha mësuesit të tij Talesit se mendonte ndryshe prej tij, e deri rrënuesit e mëdhenj të katedrales hegeliane në shekullit XIX, Marx, Kierkegard, Nietzsche. Në këtë kuptim filozofia mund të definohet jo si e vërteta e autoritetit, por si autoriteti i të vërtetës!

Robert Merton, në librin e tij “Sociologjia e shkencës”, thotë se norma e parë e komunitetit shkencor është “skepticizmi i organizuar”. Nuk mund të jesh anëtar i respektueshëm i këtij komuniteti nëse nuk i përmbahesh kësaj norme, ashtu si nuk mund të jeshë anëtar i respektuar në një shoqëri nëse nuk u përmbahesh normave dhe ligjeve të saj morale. Është e qartë se këtë normë shkenca e ka trashëgimi prej filozofisë, sepse virtyti fundamental i filozofisë ëshë pikërisht skepticizmi, ashtu si vesi më i rëndë është besimi. Në këtë kontekst filozofia qëndron në antipodin religjionit dhe ideologjisë, sepse ajo çka është virtyt për filozofinë është ves për religjionin e ideologjinë dhe anasjelltas. Prej kësaj kundërvënie filozofia profilizohet si një potencial shumë i mirë për ndërmarrje kritike kundër dogmatizmave të religjioneve dhe ideologjive, dogmatizma të cilët kanë prirje tëshndërrohen në modele të fantazimit politik dhe religjioz, modele që gjenerojnë dhunë dhe krime në emër të ideve. Gjeneza e pjesës më të madhe të masakrave të shekullit të kaluar gjendet pikërisht në këto modele, që në trajta të ndryshme sot manifestojnë tendenca të rikthimit. Në këtë mënyrë potenciali i skepticizmit të organizuar të filozofisë mund të shërbejë si një instrument i dobishëm në mikroproceset e pacifikimit të relacioneve ndërnjerëzore përmes asaj që Pol Ricoeur e quan “ndërmjetësim i konflikteve të interpretimeve”. Natyrisht kjo nuk duhet kuptuar si misionarizëm apo mesianizëm i filozofisë, as në kuptimin që i jep Edmund Huserl asaj si “nëpunëse e njerëzimit”, në veprën e tij “Kriza e shkencave evropiane”, por si një nga mundësitë modeste të kulturës filozofike, sepse nëse është e pamundur dhe e rrezikshme të vendoset në tokë “drejtësia absolute”, kjo nuk do të thotë se duhet braktisur tërësisht vetë ideja e drejtësisë, apo nëse është i pamundur dhe i rrezikshëm “Shpëtimi Universal i Njerëzimit”, kjo nuk do të thotë se duhet braktisur ideja e shpëtimit të njerëzve nga situatat e padrejta dhe johumane. Nëse ka vdekur njeriu me “NJ” të madhe, njeriu si esencë platonike, kjo nuk do të thotë se kanë marrë fund edhe njerëzit me “nj” të vogël, sepse, siç thotë Arendt, “në tokë jetojnë njerëzit, e jo Njeriu”. Komoditeti intelektual i braktisjes së humanizmit metafizik nuk e nënkupton edhe komoditetin e braktisjes së humanizmit juridik. Në të kundërten premisat mbi të cilat ndërtohen dhe funksionojnë sistemet demokratike, sikurse janë idetë për të drejtat natyrore dhe të drejtat e njeriut, pastaj idetë e egalitarizmit e drejtësisë, do të humbnin çdo kuptim dhe rruga për kthimin e Milosheviqëve dhe Sadamëve do ishte e hapur, madje e rrafshuar mirë.

Mundësia tjetër që ofron kultura filozofike është problematizimi permanent i çështjeve. Duke pasur në natyrën e vet skepticizmin filozofia vazhdimisht problematizon çështje dhe ky problematizim provokon mendimin kreativ, sepse mendimi bie në gjumë aty ku nuk shtrohen probleme. George Steiner e thotë bukur : “ Një kulturë e cila e ka bërë të vetën etiketën përcaktuese “s’ka problem”, nuk do të krijojë, dhe kam bindjen për këtë, një Hegel apo një Niçe”. Në këtë mënyrë filozofisë do t’i shkonte për shtati metafora e rojës së mendimit të zgjuar. Në këtë segment kulturologu Slavoj Zhizhek e sheh rolin e filozofisë në ditët e sotme, në mundësinë e saj për t’i ridefinuar problemet. Filozofia, thotë ai, është një mendim modest, që nuk zgjidhë probleme, por i ridefinon ato. E ridefinimi i tyre është hapësira ku shfaqen pyetjet e reja, “të pyeturit që është shpirti i të menduarit”(Heidegger ), por edhe manifestim i vetë lirisë. Të pyeturit është përcaktim dallues i botës së lirë, sepse një botë e lirë është e tillë atëherë kur në të ka më shumë pyetje se sa përgjigje.

Në rrafshin historik një nga dimensionet themelore të arsimimit në kulturën perëndimore ka qenë dimensioni racionalist, që do të thotë se ky arsimim synonte t’i bëjë individët qenie sa më racionale, të pajisur me autonomi mendore. Kanti e shihte në këtë dimension vetë esencën e iluminizmit. Sipas tij parulla themelore e iluminizmit është “sapere aude”, kij guxim të dish, guxim ta përdorësh mendjen në mënyrë të pavarur, pa ndihmën e autoriteteve të jashtme. Kanti erdhi në këtë konstatim sepse ai e kishte të qartë se iluminizmi në fakt është racionalizëm. Sot një trajtë e këtij racionalizmi ka marrë fund dhe pikërisht ai që quhet racionalizëm etik, i cili vendoste ekuivalencën e pakontestueshme në mes mendjes, progresit dhe emancipimit universal. Gjendjes së krijuar nga ky fund i referohen si postracionalizëm apo postiluminizëm.Këto terma nuk shprehin braktisjen e racionalizmit dhe iluminizmit en bloc, por në fakt gjendjen e iluminimit të vetë iluminizmit, diçka që vetë Kanti e kishte shtruar si program të filozofisë në Kritikën e Mendjes së Pastër.

Dihet se racionalizmi i takon qysh prej fillimit kulturës filozofike, e cila nxit prodhimin e kundërshtarëve mendorë, e jo të ithtarëve e besimtarëve që sipas shprehjes së Maks Veberit edukohen mbi bazën e parimit të “flijimit të intelektit” ( “sacrificium intellectus”). Formula e këtij flijimi qëndron në antipod me formulën kantiane të iluminizmit. Ajo do të mund të thuhej kështu: ti nuk duhet të mendosh, të tjerët mendojnë për ty. Ti duhet vetëm të veprosh si të thonë ata. Dhe kur ndodhë flijimi i intelektit në “altarin e autoriteteve të pagabueshme” atëherë flijimi i trupit është një gjë shumë e lehtë. Sot shembull për këtë janë muxhahidinët e lëvizjeve fundamentaliste që përditë hapin pellgje gjaku në Irak e Siri dhe përmes mundësive teknologjike globale të mediave të sotme rrezikojnë të shndërrohen në modele joshëse për fanatikët e të gjitha ngjyrave, që i gjejmë gjithandej fshatit global, nga jugu në veri, nga lindja në perëndim. Në këtë kontekst edhe njëherë duhet të rikujtojmë fjalitë e Raymond Aronit të thëna në fund të librit të tij “Opiumi i Intelektualëve” : “Njerëzit nuk kanë arritur deri në atë pikë sa t’u mungojnë rastet dhe shkaqet për t’u vrarë me njëri tjetrin. Nëse toleranca lind nga dyshimi, atëherë le të mësojmë të dyshojmë për modelet dhe për utopitë, që të kundërshtojmë profetët e shpëtimit dhe lajmëtarët e katastrofave. Le të urojmë ardhjen e skeptikëve, nëse ata do ta shuajnë fanatizmin”. E kjo ardhje e skeptikëve është ardhje edhe e filozofëve, pra e “zanatit” të tyre - filozofisë. Si rrjedhojë, ajo s’ka kohë për të vdekur, sepse ende ka punë për të bërë. Natyrisht brenda limiteve të “rrëfimeve të vogla”. Ky është virtyti i modestisë, të cilin filozofia ia ka mësuar vetës pasi ka përvetësuar atë që Kundera e quan mësimi i shekullit XX për pamundësinë e ndryshimit revolucionar të botës. Nihilizmi nuk del detyrimisht prej këtij mësimi. Mundësitë e veprimit përmirësues në “lagjet e botës” vazhdojnë të jenë të hapura.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora