Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Terrorizmi është e kundërta e heroizmit
E enjte, 07.11.2019, 10:00 PM
Terrorizmi është e kundërta e plotë e heroizmit
Nga
Blerim Latifi
E
lexova rrëfimin e një gruaje, të cilën Kalifi i ISIS-it Abu Bakr Al Bagdati e
kishte mbajtur si skllave personale, për një kohë të gjatë. Rrëfimi i saj
autentik flet për muajt e fundit të Bagdatit. I mbetur pa pushtet dhe me
organizatë të shpartalluar, ai i kishte vënë vetes një synim të vetëm: të
shpëtoj kokën e tij, me çdo kusht, madje edhe duke qëndruar me ditë të tëra
nëpër gropat septike të Sirisë. Kishte braktisur të gjitha ritualet fetare dhe
i kishte detyruar të veprojnë njëjtë edhe ata pak besnikë që i kishin mbetur. E
gjithë ajo retorikë për xhihadin, për heroizmin dhe lavdinë e botës tjetër, nën
presionin e frikës nga vdekja, e kishin humbur vlerën në sytë e tij. Një
kriminel burracak, që pasi ka shkaktuar mijëra e mijëra vdekje, vrapon nga
njëra skutë në tjetrën, për t'i ikur vdekjes së tij. Saktësisht ashtu siç e
përshkruajti edhe Presidenti Trump, si një qen i frikësuar. Rrëfimi i gruas së
gjorë, e cila u detyrua të durojë për muaj e muaj torturat e kryeterroristit të
ISIS-it, është edhe një dëshmi më shumë për konstatimin e njohur prej kohësh se
terroristët janë njerëz thellësisht frikacakë. Veprimet e tyre të pamëshirshme
burojnë nga frika e tyre, sepse, siç thotë një poet i njohur bullgar, “frika e
bën zemrën të pamëshirshme”. Që nga kohët e vjetra, njerëzimi e di se trimat
dhe heronjt dallohen jo vetëm duke bërë veprime të jashtëzakonshme, por,
parasegjithash, duke rrezikuar jetën e tyre për t’i mbrojtur të dobëtit dhe të
pambrojturit, e jo duke i sulmuar ata. Terrorizmi është e kundërta e plotë e
heroizmit.