E enjte, 25.04.2024, 07:35 AM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Dita që mund të niste luftën

E hene, 30.12.2019, 03:10 PM


30 Dhjetor 1991

DITA QË MUND TË NISTE LUFTËN

Nga Blerim Latifi

Ishte 30 Dhjetori vitit 1991! Një mëngjes i ftohtë që të thante me erën e veriut. Mbi qiellin e Prekazit u dëgjua një zhurmë e madhe dhe e frikshme. Ishte zhurma e një helikopteri që po fluturonte shumë ulët mbi fshat. Herë pas here qëndronte pezull si një shpend grabitçar që pret momentin e duhur për të sulmuar prenë e tij në tokë. Në pjesën e poshtme të fshatit dukeshin automjete të blinduara. Lagjja Jashari e tëra ishtë vënë nën rrethim të hekurt policor. Lugina që ndan lagjën time nga Lagja Jashari, ushtonte nga zëri i fuqishëm i megafonit të policisë. Zëri i megafonit, në mënyrë të përsëritur, thërriste : Predajte oružje! Imaš vremena, pet minuta! Dorëzoni armët! I keni pesë minuta kohë! Policia kishte rrethuar Adem Jasharin dhe vëllezërit e tij. Pastaj filluan të shtënat. Në rrugën përballë vendit ku sot ndodhen varret e të vrarëve me 5 Mars të vitit 1998, ndodhej një autoblindë, e cila hapte zjarr me mitrolozin e saj të rëndë. Ndërkohë, helikopteri vazhdonte të sillej mbi fshat. Papritur të shtënat pushuan. Në rrugën kryesore që ndanë në dysh lagjën Jashari filluan të lëvizin njerëz. Nga largësia nuk arrinim t’i dallonim qartë në ishin policë apo civilë. Sigurisht ishin nga të dy palët. Policia kishte hyrë nëpër shtëpi dhe po i nxirrte njerëzit jashtë. Nuk merrnim vesh asgjë më tepër se çfarë ishte duke ndodhur aty. Kur dola në sokak, u takova me dy shokë të lagjës, të cilët më treguan se shumë njerëz janë duke shkuar në drejtim të shkollës së Prekazit. Vendosëm edhe ne të shkojmë atje, por duke marrë një rrugë tjetër, e jo atë kryesorën. Arritëm shpejt tek shkolla. Aty ishin grumbulluar një numër i madh njerëzish. Disa prej tyre ishin të armatosur. Ishte hera e parë në jetën time që shihja kaq shumë njerëz me armë. Një skenë kjo që e kisha parë vetëm në filmat me partizanë të Kino-Studios “Shqipëria e Re”, të cilët, çdo të dielë, jepeshin në Televizionin Shqiptar të Tiranës. Sigurisht grumbulli i njerëzve aty kishte të bënte me ngjarjet që po ndodhin poshtë në Lagjën Jashari. Ata ishin mbledhur spontanisht, të nxitur nga Kodi i vjetër i heroit të fshatit, Ahmet Delisë, kod i cili kërkon që kur fqinji yt është në rrezik, i duhet shkuar në ndihmë, pavarësisht rrezikut. Burrat e armatosur po diskutonin për veprimet që duhej ndërmarrë. Dikush thoshte se një grup tjetër i armatosur është në malin e Kodralive, e se duhej të shkonin të bashkoheshin me ta. Të tjerë kundërshtonin duke tërhequr vëmendjen tek helikopteri që vinte e shkonte, duke fluturuar mbi fshat. Helikopteri sigurisht që do të vërente lëvizjen e tyre dhe fare lehtë, nga lart, mund t’i vriste të gjithë. Pastaj burrat e armatosur u futën në oborrin e shkollës. Aty qëndronte busti i Azem Bejtës, emrin e të cilit e mbante shkolla. Njëri nga burrat ju drejtua bustit : “O Azem Bejta, a po vjen me na nimu pak, o burrë!” Thirrja e tij nxiti të qeshura. Një burrë tjetër, që pa nga ne, na thirri : “ Ecni o djem në shpi, nuk o punë për ju kjo!” Toni i tij i ashpër na bëri që të largoheshim. U kthyem rrugës së njëjtë nga erdhëm, dhe gjithë rrugën e kaluam duke komentuar armët që ua pamë njerëzve tek shkolla. Ato ishin kryesisht pushkë të vjetra, manzerka siç u thoshin asokohe. Ndonjëri kishte çifte, të cilat i quanim llovaçka, e ndonjëri mbante revole në brez. Fushata e Rankoviqit, e 35 viteve më parë, për mbledhjen e armëve në Kosovë, si dukej nuk kishte qenë krejtësisht e suksesshme. Në traditën kulturore shqiptare të kesh një armë në shtëpi, është pjesë krenarisë personale. Edhe sot, 20 vjet pas çlirimit, kjo traditë vazhdon të jetë e fuqishme.

U kthyem në lagje dhe u fshehëm në fund të oborrit të shtëpisë time, në një vend ku mund të shihnim më mirë se çfarë po ndodhte në Lagjën Jashari. Dy autoblinda ishin ngjitur lart në arat e Lagjës së Kodralive dhe nga atje, herë pas here, mitralonin vendin rreth e rrotull. Nga çasti në çast prisnim të fillonte beteja. I gjithë fshati ishte në panik, por çuditërisht askush nuk po e mendonte idenë e largimit. Në orët e drekës gjendja u qetësua. Automjetet e blinduara të policisë filluan të largoheshin në drejtim të Skenderajt dhe helikopterin e pamë për të fundit herë duke u larguar në drejtim të Mitrovicës. Pastaj filluan të vijnë lajmet nga Lagjja Jashari. Policia kishte dështuar të kapte Adem Jasharin. Ai së bashku me dy vëllezërit e tij i kishte shpëtuar rrethimit. Të gjithë burrat e Lagjes ishin arrestuar dhe dërguar në stacionin e policisë në Skenderaj. Aty u ishin nënshtruar torturave mizore. Të nesërmen ishte nata e Vitit të Ri 1992. Një natë pa energji elektrike dhe pa atmosferë feste. Një natë me shumë mjegull, me shumë ankth dhe me zërin e shpendkeqës, e cila prej kohëve të lashta paralajmëron kobet e pashmangshme.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora