Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Camaj, Koliqi dhe shërbimet sekrete
E merkure, 08.07.2020, 07:44 PM
Camaj, Koliqi dhe shërbimet sekrete
E
lexova shkrimin “Mite të rreme” të Auron Tares. Duke sjellë fragmente nga dosje
të CIA-s, Tare përpiqet të na bindë se dy shkrimtarë të njohur të letërsisë
shqipe, Martin Camaj dhe Ernest Koliqi, na paskan punuar për shërbime sekrete,
të cilat gjatë kohës së Luftës së Ftohtë kishin qëndrime armiqësore ndaj Shqipërisë
komuniste. Camajn madje e paraqet si një intelektual në shërbim të UDB-së
jugosllave. Duhet theksuar që në fillim : fragmentet që publikon Tare nuk
provojnë ndonjë gjë thelbësore. Fragmentet, në përgjithësi, kanë vlerën e
problematizimit të gjërave, por jo edhe të dhënies së përgjigjeve përfundimtare
në çështjet që ato ngritin.
Shkruan:
Blerim Latifi
Për
të ditur nëse Camaj ishte në shërbim të UDB-së, gjëja e parë dhe e fundit që
duhet bërë është hyrja në arkivat e saj që ndodhen në Beograd, e të cilat Tare
kurrë nuk i ka parë me sy. E vërteta ndodhet në ato arkiva. Derisa nuk kemi
qasje në to, ne, ose duhet të heshtim, ose nëse nuk mund të heshtim, detyrohemi
të futemi në botën e spekulimeve, të cilat i ushqejmë me burime informacioni të
tërthorta ose të dorës së dytë e të tretë.
Është
ditur qysh në krye të herës se Koliqi dhe Camaj kanë qenë armiq të regjimit
komunist në Shqipëri. Jo vetëm të deklaruar, por edhe armiq të angazhuar. Camaj
kishte ikur nga Shqipëria në kohën e prishjes së saj me Jugosllavinë, e cila
ishte pasojë e prishjes midis Titos dhe Stalinit. Secili shqiptar që kalonte
kufirin dhe futej në Jugosllavi përfundonte në duar e sigurimit jugosllav dhe
për Camajn nuk mund të kishte tjetër fat. Dihet gjithashtu se UDB-ja
planifikonte që të arratisurit nga Shqipëria t’i fuste në përdorim për qëllimet
e luftës së saj propagandistike kundër regjimit të Enver Hoxhës. Se a përfundoi
Camaj si një agjent i UDB-së, fragmentet e Tares nuk e provojnë një gjë të
tillë. Karriera akademike e Camajt në Beograd nuk mund të merret si dëshmi të
punësimit të tij në UDB. Për një arsye themelore : regjimi i Titos, në dallim
nga regjimi i Hoxhës, mundësonte që dikush të bënte karrierë akademike edhe pa
qenë pjesë e strukturave politiko-shtetërore të Partisë Komuniste Jugosllave.
Një gjë e tillë ka qenë e shprehur sidomos pas prishjes së Titos me Stalinin,
kur në Jugosllavi u krijua një klimë më liberale, sidomos në fushën e kulturës
dhe shkencës. Liberalizmi shkencor, kulturor e letrar i duhej Titos si
instrument për të fituar mbështetje nga Perëndimi në kushtet e bllokadës prej
blloku sovjetik. Nëse dikush përpiqej që këtë liberalizim ta shtrinte edhe në
fushën e institucioneve politike, përfundonte prapa hekurave. Shembulli më i
famshëm në këtë rast është ai i Milovan Gjilasit, njëri prej njerëzve më të
afërt të Titos, i cili u përjashtua nga partia dhe më pas edhe u burgos për
shkak të qëndrimeve të tij liberale dhe kritikës publike që i bënte ideologjisë
komuniste.
Sa
i përket rekrutimit në shërbimet sekrete, në shumë raste regjimi jugosllav nuk
ka vepruar përmes rekrutimit të drejtpërdrejtë, por përmes rekrutimit
indoktrinues. Ky do të thotë se një person fillimisht është indoktrinuar me
besimet e regjimit dhe pastaj ai në mënyrë vullnetare është vënë në shërbim të
tij. Mbase me Camajn kanë vepruar në këtë mënyrë, por largimi i tij në Itali
dhe më pas në Gjermani na lë të kuptojmë se jugosllavizimi i ushtruar mbi të
nuk ka pasur sukses. Martesa e Camajt me një studente serbe është një dëshmi më
shumë se Camaj ishte vënë në ingranazhin e jugosllavizimit. Studentja Nina, me
të cilën Camaj u martua, ishte motra e Dimitrije Bogdanoviçit, një historian
serb i periudhës mesjetare të Ballkanit. Pas vitit 1966, kur ndodhi rënia e
Rankoviçit, përfaqësuesi më lartë serb në kupolën e pushtetit jugosllav,
Bogdanoviçi, sëbashku me shumë intelektualë serbë, u kthye në pozicione të
nacionalizmit serb. Nga viti 1966 e tutje Dimitrije Bogdanoviçi u shndërrua në
njërin nga zërat më të njohur të nacionalizmit historiografik serb. Ai së
bashku me shumë të tjerë rigjallëruan mitet serbe mbi Kosovën, Mitin e Betejës
së Kosovës të vitit 1389, Mitin e Kosovës mesjetare pa shqiptarë, Mitin e
ardhjes së shqiptarëve në Kosovë pas vitit 1689 me ndihmën e Perandorisë Osmane
dhe kryemitin e viktimizimit shekullor të popullit serb nga shqiptarët e
Kosovës. Për kontributin e tij Bogdanoviçi, në moshë relativisht të re, arriti
të bëhej pjesë e Akademisë Serbe të Shkencave, e cila një pjesë të kontributit
të tij e përfshiu në Memorandumin e saj të vitit 1986, një pamflet
pseudoshkencor, që shërbeu si bazë teorike për regjimin e Milosheviçit. Ndarja e
Camajt nga gruaja e tij serbe ndodhi pikërisht në kohën kur vëllai i saj u
radikalizua. Kjo mund të ketë ndodhur edhe për shkaqet që lidhen me këtë
zhvillim. Sidoqoftë, fjalën përfundimtare për këtë duhet ta thonë ata që do të
marrin mundimin për të shkruar biografinë dokumentare të Camajt.
Jugosllavizimi
i shqiptarëve që iknin nga Shqipëria ka qenë vetëm njëra nga metodat e
përdorura nga UDB-ja. Ka ekzistuar edhe një plan më i gjërë për infiltrimin e
shërbimeve sekrete jugosllave në të gjithë emigracionin shqiptar antikomunist.
E gjithë kjo përpjekje bëhej me qëllim që në rast të një konflikti midis
Shqipërisë dhe Jugosllavisë, të nxitur nga Moska, të krijohej një forcë
shqiptare e cila do të rreshtohej në frontin kundër regjimit enverist. Në
fillim të viteve 60 të shekullit XX, kur rreziku i një agresioni sovjetik mbi
Jugosllavinë kishte kaluar dhe vetë Shqipëria ishte prishur me Moskën, Tito
hoqi dorë nga aktivitetet e infiltrimit të shërbimeve sekrete në emigracionin
shqiptar. Se cila ka qenë shkalla e efektshmërisë së këtij infiltrimi dhe cilët
kanë qenë personalitetet që kanë rënë në rrjetin e tij, këtë mund ta dimë vetëm
atë ditë kur arkivat e UDB-së do të jenë në dispozicionin e hulumtuesve
profesionistë. Një gjë dihet me siguri, emigracioni shqiptar antikomunist në
masën dërmuese të tij përbëhej nga nacionalistë, të cilët nuk ishin vetëm
antienveristë, por gjithashtu edhe antijugosllavë. Nacionalistët shqiptarë që
pas fitores së komunizmit në Shqipëri u larguan nga vendi, në kritikën e tyre
ndaj komunizmit shqiptar e theksonin vazhdimisht idenë se ky komunizëm ishte
pjellë e komunizmit jugosllav. Camaj dhe Koliqi natyrshëm i takonin kësaj
pikëpamjeje. Pra, logjikisht, ata nuk mund të vepronin kundër regjimit komunist
të Tiranës duke qenë në shërbim të regjimit komunist të Beogradit. Në këtë
kontekst nuk mund të përjashtohet mundësia që ata ishin në shërbim të agjencive
të inteligjencës të vendeve perëndimore, të cilat krahas aktiviteteve
diversante kundër regjimeve komuniste, angazhoheshin edhe në atë që njihet si
“Lufta e ftohtë në fushën e kulturës”. Përplasja midis Perëndimit kapitalist
dhe Lindjes komuniste, në thelbin e saj, e kishte edhe komponentën ideologjike.
Kjo gjë nënkuptonte që mekanizmat e të dy kampeve ideologjike përpiqeshin t’i
përfshinin në radhët e tyre intelektualët, shkrimtarët, artistët, njerëzit e
letrave në përgjithësi.
Në
vitin 2013 Universiteti i Princeton-it kishte botuar një seri raportesh të
CIA-s në të cilat shihet se si tre filozofë të njohur të Shkollës së
Frankfurtit, Franz Neumann, Herbert Marcuse dhe Otto Kirchheimer, gjatë Luftës
së Dytë Botërore dhe pas saj, kishin punuar në shërbimet e inteligjencës
amerikane, në funksion të luftës së tyre kundër nazizmit dhe më pastaj edhe
kundër komunizmit. Të tre këta filozofë i përkisnin rrymës filozofike të njohur
si marksizmi perëndimor.
Ekziston
edhe një rast tjetër edhe më i njohur. Në vitin 1950 në Berlinin perëndimor u
krijua Kongresi i Lirisë Kulturore. Ky forum tubonte emra të njohur të
filozofisë dhe shkencave sociale, të cilët mbanin konferenca, simpoziume dhe
publikonin artikuj e vepra, përmes të cilave zhvillonin një kritikë sistematike
ndaj ideologjisë komuniste të bllokut sovjetik. Ndër emrat që u angazhuan në
aktivitetin e këtij forumi ishin filozofët e njohur Karl Jaspers, Raymond Aron,
Bertrant Russell, John Dewey Benedetto Croce, Sidney Hook, Alfred Ayer, Richard Lowenthal, pastaj
historiani Arthur Schlesinger, e shumë
të tjerë. Vite më vonë u morr vesh se ky forum ishte themeluar dhe financohej
nga CIA. Ka pasur edhe forma të tjera përmes të cilave CIA dhe shërbimet tjera
të inteligjencës perëndimore përpiqeshin që intelektualët t’i hidhnin në luftën
e ideve kundër ideologjisë komuniste. Camaj dhe Koliqi mund të kenë qenë pjesë
e këtyre përpjekjeve. Kjo nuk përbën njollë në biografinë e tyre. Njollë do të
përbënte nëse ata do të angazhoheshin në shërbime që kishin qëllime
antishqiptare. Deri me tani nuk kemi dëshmi të kësaj natyre. Dëshmitë që kemi
na tregojnë se Camaj dhe Koliqi, derisa vdiqën, punuan vazhdimisht për
afirmimin e vlerave kulturore të kombit të tyre. Ky fakt dëshmon se ata nuk
mund të ishin pjesë e lojërave të fshehta të luheshin në kurriz të kombit
shqiptar, edhe pse regjimi komunist i Tiranës secilin shqiptar që fliste kundër
tij përpiqej ta damkoste si tradhtar të kombit. E njëra nga format më të
shpeshta të damkosjes ka qenë pikërisht etiketimi i tyre si bashkëpunëtor të
UDB-së.
Marrë nga gazetaexpress.com