Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Të burgosur në absurditetin e qytetarisë pa komb
E enjte, 03.09.2020, 06:50 PM
Edhe njëherë për diasporën
Nga
Blerim Latifi
BQK:
“Diaspora thyen rekord të remitencave, për shtatë muaj në Kosovë dërgoi 526
milion euro”.
Kjo
me të vërtetë ka të ngjarë të jetë shembull unik në botë, përjashto rastin e
diasporës hebraike.
1.
Në vitet ’70, me paratë e dërguara nga diaspora, kishte filluar ndryshimi i
pamjeve mesjetare të fshatrave të Kosovës, shtëpitë e shëmtuara kishin filluan
t’ua lënë vendin shtëpive të fasaduara moderne dhe veshjet e leckosura e tërë
harrna të të njerëzve, po zhdukeshin nga përhapja e veshjeve moderne. 2. Në
vitet ‘80, kur regjimi jugosllav pothuajse kishte shuar çdo mundësi të
rezistencës serioze në Kosovë, në diasporë u rishfaqen shoqatat nacionaliste në
pothuajse çdo qytet perëndimor ku kishte shqiptarë.
3.
Në vitet ‘90 i gjithë sistemi paralel i ndërtuar në Kosovë për t’i rezistuar
aparteidit serb, financohej nga diaspora.
4.
Edhe Lufta e UÇK-së pa diasporën nuk do të mund të bëhej dot.
5.
Sot, diaspora është shndërruar në faktorin kryesor të ruajtjës së paqës sociale
në Kosovë.
Dhe
ne, që jetojmë këtu, vazhdojmë jemi aq të paskrupullt, duke bërë humor me
diasporën, duke e fyer atë, e madje, më herët, kishte edhe propozime të
turpshme që mërgimtarëve t’u ndalohet pjesëmarrja në zgjedhjet në Kosovë. Atë
thënien e Kantit për mosmirënjohjen, tanimë e kanë mësuar të gjithë, prandaj
nuk është e nevojshme ta citoj këtu.
____________
ARDHJA E SHQIPTAROFOBËVE
Në
fillim erdhën turqit dhe na thanë: Bëhuni turq, se po mbetët shqiptarë flakët e
xhehnemit do t'iu përvëlojnë, këndej dhe andej varrit!
Shumë
nga ne i besuan dhe ne mbetëm më pak.
Pastaj
erdhën serbët dhe na thanë: Shqiptarë, ju jeni njerëz me bisht, nënnjerëz,
prandaj, ose rrini urtë nën çizmën e policit serb ose ju pret ferri i kombit
hyjnor të Shën Savës.
Shumë
nga ne i mbushën rrathët e këtij ferri dhe ne mbetëm më pak.
Pastaj
erdhën komunistët dhe na thanë: Nacionalizmi është ideologji borgjeze, antiprogresive,
prandaj, ose bëhuni internacionalistë jugosllavë, ose s'ka vend për ju në
parajsën Bratstvo i Jedinstvo!
Shumë
nga ne u besuan dhe ne mbetëm njerëz të dorës së dytë në rrugët e kësaj parajse
të shpifur.
Pastaj
erdhën burokratët ndërkombëtarë dhe na thanë: Mos u ndjeni shqiptarë, po
kosovarë multietnikë, sepse nacionalizmi është primitivizëm, është tribalizëm,
është gjë e turpshme në shekullin e ri!
Shumë
nga ne u besuan dhe ne sot jetojmë të burgosur në absurditetin e qytetarisë pa
komb, duke nderuar një hymn pa fjalë, dhe një flamur pa histori.
____________
Ngarkesa historike e 3
shtatorit!
Me
3 shtator 1878 nisi "Aksioni i Gjakovës", gjatë të cilit gjakovarët
ekzekutuan Mehmet Ali Pashë Maxharin, mareshalin turk që kishte ardhur në Kosovë
për t'ia dorëzuar Plavën e Gucinë Malit të Zi. Me 3 shtator 1920 përfundoi
Lufta e Vlorës, e cila rivendosi integritetin territorial të Shqipërisë në
jugun e saj. Nga Aksioni i Gjakovës kanë kaluar 142 vjet, nga ajo e Vlorës 100
vjet, dhe ende kemi probleme serioze me fqinjët tanë që nuk heqin dorë nga
pretendimet mbi territoret shqiptare. Dhe nuk do të heqin dorë derisa vazhdojmë
të jemi një komb i dobët, e do të
vazhdojmë të jemi i tillë derisa do të kemi elita politike të korruptuara dhe
elita kulturore të padinjitetshme.
_____________
Sërish
Grenelli : “Ta lëmë anash politikën, të merremi me ekonominë”. Një formulë perfekte për të na thënë neve se
nuk u kemi harruar dhe Serbisë se SHBA-të nuk janë kundër saj. Sigurisht që
ekipi i Trump nuk është i marrë që në prag të zgjedhjeve të imponojë një
marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë e cila do të mund të zemëronte ndonjërën
prej diasporave të këtyre dy vendeve në SHBA. Sipas disa statistikave janë mbi
200 mijë serbë që jetojnë në SHBA, e diçka më shumë shqiptarë. Një trup
elektoral që mund të bëjë diferencën në zgjedhjet e nëntorit. Sidoqoftë të
presim e të shohim se çfarë do të ndodhë prapa dyerve të mbyllura!
_____________