Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Shtjefën Gjeçovi - “Mua edhe mund të më vrasin, por gjuhën dhe kombin shqiptar nuk do të mund t’i vrasin kurrë”
E merkure, 14.10.2020, 08:44 PM
“Mua edhe mund të më vrasin, por gjuhën dhe kombin shqiptar nuk do të mund t’i vrasin kurrë”
Nga
Blerim Latifi
Me
14 tetor të vitit 1929, derisa po kthehej nga Prizreni në Zym, aty rreth
muzgut, Shtjefën Gjeçovi u sulmua në një pritë nga xhandarët serbë. Me dhjetëra
plumba u shkrepën mbi të. Vdekja ishte e menjëhershme. Vendimi për vrasjen e
tij ishte marrë ne Beograd. Nga viti 1921 Gjeçovi, në mënyrë të hapur dhe
aktive, i ishte kundërvënë politikës serbe, e cila synonte deshqiptarizimin
total të Kosovës. Kudo që shkonte e predikonte, Gjeçovi fliste hapur kundër
kësaj politike. Ai ishte një intelektual tipik i Rilindjes Kombëtare, që
besonte se feja ka vlerë vetëm për aq kohë sa i shërben mirëqenies së kombit.
Si
një lexues pasionant i dijeve sociologjike të kohës, ai e dinte se identiteti i
një kombi është kontratë me të parët e tij, një rigjetje e rrënjëve të tij të
mbulura nga stuhitë e historisë. Kështu, ai i vetëm i hyri një pune të madhe:
gjetjes së këtyre rrënjëve. Sapo përfundonte liturgjitë fetare, ai shndërrohej
në arkeolog dhe etnolog, për t’u dëshmuar bashkëatdhetarëve të tij dhe botës
rrënjët europiane të popullit shqiptar. Por Gjeçovi nuk kishte shije të
sofistikuara vetëm për arkeologjinë, etnologjinë e gjuhësinë. Ai kishte edhe
një sens të hollë për zhvillimet politike të kohës. Ai i kuptonte me një
qartësi të mahnitshme ngjarjet politike rreth tij, lojërat dhe intrigat që
luheshin në kurriz të shqiptarëve. Në vitin 1921 kryeministri dinak serb,
Nikolla Pashiq, ia kishte dalë ta mashtrojë kapedanin e Mirditës Marka Gjonin,
duke e bindur atë se qeveria e Tiranës ishte thjesht një qeveri islamike e se ai
duhej ta shpallte shtetin e tij të pavarur nga shteti shqiptar, të
ashtuquajturën "Republika e Mirditës". Pashiqi i kishte premtuar se
Serbia do ta njihte menjëherë pavarësinë e Mirditës dhe do të ndikonte që edhe
Lidhja e Kombeve të bënte të njëjtën gjë. I mashtruar Marka Gjoni u nis për në
Prizren, aty ku ishin bërë përgatitjet për shpalljen e Republikës së
Mirditës.Shtjefën Gjeçovi, që ato ditë ndodhej në Zllakuqan, e morri vesh
lajmin. Tronditja e tij ishte e madhe. E la në gjysmë liturgjinë që po udhëhiqte,
hyri në dhomën e tij private, morri një flamur kuq e zi që e mbante gjithmonë
afër vetës dhe i tha ndihmësit të tij se duhej të niseshin menjëherë për në
Prizren.Një gjamë e madhe po i gatuhej kombit dhe ai nuk mund të rrinte
duarkryq. Kur arriti në Prizren, kapedani i Mirditës kishte kohë që ndodhej
aty. Gjeçovi i kërkoj takim sy me sy për t’ia hapur sytë e çorruar nga
mashtrimi i Pashiqit.Gjeçovi i tha kapedanit të Mirditës se ka ra në kurthin e
Pashiqit, se qeveria e Tiranës nuk është qeveri antikatolike, por një qeveri
kombëtare shqiptare, se qëllimi i Pashiqit është të nxisë luftë ndërfetare
midis shqiptarëve dhe kështu të shkatërroj shtetin e sapo krijuar shqiptar dhe
pas kësaj t’i bindë fuqitë e mëdha për një ricoptim të tokave shqiptare. Kapedani
i Mirditës s’po u besonte veshve, çfarë ishte duke dëgjuar. Gjeçovi u ngrit të
dilte nga takimi dhe në derë ia tha fjalët e fundit : “Kjo rrugë që ke marrë
është rrugë e tradhtisë kombëtare”. Një njeri që nuk kishte tjetër mjet në
dorë, përveç fjalës, nuk mund të bënte më shumë. Gjeçovi u nis për t’u kthyer
në Zllakuqan, por fjalët e tij ndikuan shumë që mashtrimi i Pashiqit të
demaskohej dhe turpërimi i Mirditës të përfundonte me pak pasoja. Natyrisht,
këtë dhe shumë veprime të tjera, qeveria e Beogradit nuk do t’ia falte kurrë
Gjeçovit. Pasi kishte shkatërruar lëvizjen e armatosur antiserbe në Kosovë, kjo
qeveri tani i ishte kthyer shkatërrimit edhe të atyre pak individëve që po përpiqeshin për një
rezistencë shpirtërore kundër sundimit brutal serb në Kosovë.Sigurisht i pari
që duhej të goditej ishte Shtjefën Gjeçovi dhe kjo gjë ndodhi në muzgun e 14
tetorit të vitit 1929. Gjeçovi, një mendje iluministe dhe guximtare, që po
përpiqej të ndriqonte në natën e madhe të robërisë së Kosovës, u shua atë ditë
në shpatijet e Zymit nga plumbat e xhandarëve serbë. Pas mbetën fjalët e tij
profetike : “Mua edhe mund të më vrasin, por gjuhën dhe kombin shqiptar nuk do
të mund t’i vrasin kurrë”.