Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Mali që bashkon legjendën dhe historinë
E shtune, 26.09.2020, 09:12 AM
Mali që bashkon
legjendën dhe historinë
Nga
Blerim Latifi
Emrin
e ka trashëgim nga legjenda e lashtë e qyqes, prandaj e quajnë Qyqavicë.
Legjenda thotë: kur mësoi se në shtëpinë e shkretuar nga vdekja e kishte kthyer
vëllau i vdekur, i ngritur nga varri për të mbajtur besën që i kishte dhënë
nanës, motra u lutet hyjnive ta shndërrojnë në qyqe, që t’i vajtojë
përjetësisht vëllezërit e vdekur në luftë. Dhe ato ia plotësuan dëshirën. E
kthyen në qyqe dhe ajo fluturoi në malin që mori emrin e saj: Qyqavica. Dhe për
çudi Mali i Qyqës, gjatë historisë, në kush e di sa raste, do të kthehej vërtet
në një mal të dhimbjes, vuajtjeve dhe lotëve. Por edhe të rezistencës ndaj të
keqës. Dhe kjo histori do të përsëritej edhe me 22 e 23 shtator të vitit 1998.
Në ato ditë mbi 25 mijë ushtarë e policë serbë e rrethuan Qyqavicën dhe nisën sulmin përgjatë të gjithave
rrugëve, të cilat bashkoheshin në një pikë të vetme, në majën e saj, një
lëndinë e zhveshur, prej nga shihet pothuajse e gjithë Kosova. Mijëra e mijëra
civilë, nën breshërinë e artilerisë së rëndë, braktisën shtëpitë e tyre, për të
gjetur strehim në thellësitë e Malit të Vajtimit. Shumë prej tyre u sakatuan
nga predhat që vinin nga të gjitha anët dhe binin gjithkah. Regjimi i
Milosheviqit po kërkonte t’i jepte goditjen përfundimtare UÇK-së dhe ku,
pikërisht aty ku me 1924 kishte marrë fund Lëvizja Kaçake e Azem Bejtës, aty ku
në shkurtin e vitit 1945 Shaban Polluzha u kishte dhënë lajmin e hidhur
bashkëluftëtarëve të tij se kryengritja e tyre kishte marrë fund, aty ku
udhëtari, nga që të kalojë, ndeshet në varret e luftëtarëve të panjohur, të
vrarë në kohë e shekuj të ndryshëm.
Njësitë
e UÇK-së, të pajisura me armë të lehta dhe në numër shumëfish më të vogël se
ushtria serbe, nuk mund të ndalonin dot divizionet sulmuese të saj. Krejt çfarë
mund të bënin ishin të vononin depërtimin e saj dhe të ndihmonin në evakuimin e
popullatës civile, bashkë me të plagosurit e shumtë. Në këtë përpjekje titanike
do të bënin disa nga luftëtarët më të dalluar të UÇK-së : Fehmi e Xhevë
Lladrovci do të binin në hyrje të fshatit të tyre, i cili shtrihet buzë
Qyqavicës. Në Prekaz do të binin Naim Haxhiu, Kadri Mehmeti, Shemsedin Haxhiu,
e Murat Haliti. Në Ashlan, Agim Ramadani, në Galicë, Muharrem Misimi e Driton
Ibrahimi, e në Gradicë, mjeku i luftës, Lec Gradica. Ata nuk ishin të vetmit.
Dhjetra të tjera ranë me armë në dorë gjatë atyre dy ditëve, në të katër anët e
Qyqavicës, ndërsa civilët e vrarë ishin mbi 170.Kështu, legjenda e lashtë për
motrën e shndërruar në qyqe nga dhimbja, kishte kapërcyer kufijtë e imagjinarës
për t'u bërë njësh me realitetin.
____________
Muaj
më parë më ra në dorë një libër shumë interesant mbi Romën e Lashtë. Libri ka
për autore historianën Mary Beard, e cila gjithë jetën akademike ia ka kushtuar
civilizimit romak. Mes shumë e shumë gjërave interesane, aty më ra në sy një
detaj që të lë pa fjalë kur e lexon. Ky detaj ka të bëjë me vrasjen e Jul
Cezarit në Senatin Romak, nga një grup senatorësh, në marsin e vitit 44 para
Erës së Re. Cezari u vra për shkak se synonte ta kthente Romën nga republikë në
diktaturë absolutiste të tij. Ata që e vranë thanë se këtë e bënë për të
mbrojtur liritë e popullit të Romës. Beard tregon se në momentin pas vrasjes
atentatorët vendosën plisat e bardhë mbi kokat e tyre. Plisi i bardhë, të cilin romakët e quanin pileus, pra
me një emër shumë të ngjashëm me emrin shqip, ishte simbol i Libertas,
perëndisë romake të lirisë. Fëmijët kur maturoheshin, fitonin të drejtën për të
mbajtur plisin në kokë. Skllevërve, kur u jepej liria, në momentin e çlirimit u
vendosnin plisin në kokë. Në një vjetorin e vrasjes së Cezarit, atentatorët
prodhuan një monedhë në të cilën gdhendën dy thika dhe midis tyre plisin e
bardhë, simbolin e libertas. Forma e tij është krejtësisht identike me formën
që ka plisi i bardhë i shqiptarëve, i cili ende përdoret në Shqipërinë e Veriut
dhe në Kosovë, ndonëse në masë tepër të vogël. Me këtë nuk dua të them se ata
që vranë Cezarin ishin ilirë, as se ilirët e morrën plisin nga romakët. Dua të
them se ilirët dhe romakët, meqë jetonin në fqinjësi, ndanin shumë vlera të
përbashkëta, mite, perëndi, simbole, rregulla sociale dhe mentalitete, ndërsa
plisi i bardhë është dëshmi e fuqishme e vazhdimësisë kulturore
iliro-shqiptare. Mos u lodhni duke kërkuar gjurmët e kësaj vazhdimësie në
gërmadha të groposura, në varre të humbura e dorëshkrime të fshira nga koha. E
keni para syve, në kokat e pleqëve të Kosovës e të Shqipërisë së Veriut.
___________
Njerëzit e paharruar të
kombit
Mitrush
Kuteli është emër i nderuar në kulturën shqiptare, jo vetëm për kontributin
letrar, por edhe për integritetin moral dhe patriotik që demonstroi në rrethana
të vështira, në të cilat rëndom njerëzit thyhen moralisht e shpirtërisht.
Sigurisht këtë qëndrim Kuteli do ta paguante shtrenjtë. Në vitet 1945- 47, kur
Beogradi dhe Tirana po negocionin krijimin e valutës së përbashkët dhe
bashkimin doganor midis dy vendeve, Kuteli, si përfaqësues i Shqipërisë në këto
negociata, doli kundër në mënyrë të hapur. Me t'u kthyer në Tiranë e arrestuan
dhe e dënuan me 15 vjet burg. Edhe pas lirimit, persekutimi ndaj tij vazhdoi në
mënyra të ndryshme, deri në vdekje. Kuteli besonte se midis Jugosllavisë e
Shqipërisë nuk mund të kishte miqësi, derisa qëndronte e pazgjidhur çështja e
Kosovës, e cila padrejtësisht i ishte ribashkuar Serbisë në vitin 1945. Kuteli
e kishte përjetuar rëndë gjëndjen arsimore të Kosovës, gjatë vizitës që kishte
bërë menjëherë pas pushtimit italian.Nuk pashë askund asnjë fjalë shqipe të
shkruar, me përjashtim të disa emrave në një varrezë katolike afër Prizrenit-
shkruante Kuteli në kujtimet e tij nga ajo vizitë. I revoltuar nga mjerimi
ekonomik e kulturor në të cilin e kishin katandisur Kosovën pushtuesit e
mëparshëm, Kuteli do ta derdh gjithë mllefin e tij në vargjet e Poemit Kosovar,
mbase poezia ma e bukur për vuajtjet e Kosovës që ka dalë nga pena e një poeti.
Ja një pjesë e tij:
Jam
kosovar
pra
jam shqiptar:
Zot
e krenar,
–
Zot e bujar
mbi
këtë Dhe
q’e
e kam si fe;
E
kam Vatan!
e
kam Atdhe!
Që
gjysh stërgjysh,
që
brez pas brezi,
që
gjithëmon!
Ti
shkja thërret,
ti
shkja bërtet,-
gjer
lart në retë;
se
jam barbar.
Jo,
s’jam!
si
bërtet ti,
si
buçet ti,
ti
Mal i Zi.
Po
Vendin tim e dua,
lirinë
e dua,-
e
s’dua
zot
mbi
mua.
Se
jam këtu kur s’kish njeri,
kur
s’kish kufi
as
fqinjëri,
as
shkja të zi.
Se
jam këtu kur Mal i Zi
ish
Iliri;
Kur
nga një det në tjatrin det
Isha
zot vet!
Unë
jam këtu nga moti
kur
vetë Zoti
e
bëri fushën fushë
e
malin mal.
Unë
jam këtu e do të jem
-dem
baba dem-
sa
mali të bëhet hi
e
hiri mal përsëri!
___________
Rojet e natës dhe
fashizmi serb
Rastësisht
e pashë që një shok i imi në facebook e paska përkujtuar ngjarjen e Pollatës të
shtatorit 1990. Sot qenka bërë 30 vjet nga ajo ngjarje tragjike.Ishte një kohë
kur shqiptarët zgjoheshin e ngryseshin me terrorin e policisë serbe.Të dehur
nga fashizmi i Milosheviqit policët serbë endeshin nëpër fshatrat shqiptare,
duke i kthyer netët tona në netë të xhamave të thyera, sipas modelit të
terrorit që nazistët ushtronin mbi hebrenjtë para Holokaustit. Një natë
shtatori kishin sulmuar fshatin Pollatë të Podujevës, duke ushtruar terror mbi
njerëzit e pafajshëm që ishin në gjumë.Në disa familje kishin hasur në
rezistencë dhe për pasojë dy burra të këtyre familjeve ishin vrarë. Paniku
ishte përhapur gjithandej Kosovës. Nuk e di e kujt ishte idea, por më kujtohet
se nga ajo ditë kishte filluar organizimi i rojeve të natës nëpër fshatra.Çdo
lagje kishte grupin e saj të rojeve.Puna e tyre ishte që tërë natën të
vëzhgonin se mos po hynte policia në fshat dhe nëse kjo ndodhte t'i lajmëronin
njerëzit që të mos i zinin në gjumë. Unë isha fëmi në atë kohë të largët, por
ende i kam të gjalla pamjet e atyre netëve të frikshme.Rojet zakonisht ishin
duarthatë; aty këtu ndonjëri kishte ndonjë pushkë të vjetër, ndonjë pushkë
gjuetie ose revole.Mbase origjina e vërtetë e UÇK-së qëndron pikërisht tek këta
njerëz, të cilët, ndonëse duarthatë, kishin vendosur të mbronin të vetmen gjë
që ende e ndjenin të tyre: pragun e shtëpisë!
___________
Veç
intervenimi i NATO-s në Kosovë thuhet të ketë kushtuar rreth 40 miliardë
dollarë, aq sa është buxheti i Kosovës për 20 vjet. Shumicën e këtyre
shpenzimeve e kanë mbuluar SHBA-të. Shtoni këtyre miliona të tjerë, të dhëna në
mbështetje të pavarësisë dhe procesit të shtetndërtimit të Kosovës, pastaj
llogaritni burimet ekonomike të Kosovës dhe, siç thotë ajo fraza, qitjani
lapsin për me pa se për çfarë interesash ekonomike na paska ndërhy SHBA në
Kosovë. Ne ende e rrejmë veten se vendi ynë ka aq pasuri, për të cilën fërkojnë
duart fuqitë e mëdha botërore.
___________
Kalendari filozofik
Me
17 Shtator 1994 ka vdekur Karl Popper, njëri ndër mendimtarët më të lexuar e të
diskutuar në filozofinë e shekullit XX. Ai e shihte anën e ndritshme të
filozofisë tek forca e mendimit kritik, ndërsa rreziqet e saj tek prirja për
t'i shndërruar gjysmë të vërtetat në dogma intelektuale dhe ideologji
absolutiste. Ai e pa me sy se si këto ideologji (nazizmi, fashizmi, stalinizmi)
e shfrytëzuan tolerancën liberale dhe instrumentet demokratike për të ardhur në
pushtet dhe pastaj i shkatërruan përnjëherë liberalizmin e demokracinë dhe botën
e shndërruan në kasaphanë. Këtë përvojë të hidhur të njerëzimit, Popper e
përmblodhi në argumentin e njohur si paradoksi i tolerancës: toleranca e
pakufizuar, tolerimi i intolerancës shpie në shkatërrimin e tolerancës!
Ne
shndërrohemi në tolerues të intolerancës kur si intelektualë ulim kokën
përballë fundamentalistëve primitivë; kur filozofia, nga avokate e principeve
të shoqërive të lira, reduktohet në kënaqësi intelektuale me erudicionin e
thatë; kur si politikanë na intereson
veç pushteti me çdo kusht; kur si gazetarë mendojmë se gazetaria është veç
biznes; kur si shkrimtarë mjaftohemi duke shkruar për kënaqësinë personale dhe
heshtim përballë shijes së keqe dhe vulgaritetit që ka pushtuar shoqërinë; kur
si qytetarë lejojmë që votat tona të blihen ose shiten në një sistem politik të
korruptuar; kur nuk arrijmë të dallojmë demokracinë e vërtetë nga farsa
demokratike.
Popper
argumentonte se derisa armiqtë e demokracisë i përdorin vlerat e saj për ta
shkatërruar demokracinë, edhe demokracia duhet të mos hezitoj në përdorimin e
masave jodemokratike kundër tyre. Po së bëri këtë, ditët e fundit të saj do të
arrijnë shpejt.
Popper
e jetoi momentin e triumfit të filozofisë së tij, por sot, 26 vjet pas vdekjes
së tij, rreziqet e paradoksit të tolerancës janë rishfaqur përsëri për të
kërcënuar sërish demokracinë dhe liberalizmin. Gjithandej, në Lindje e
Perëndim, shohim e dëgjojmë demagogë, populistë e fundamentalistë të shumtë që
e përdorin retorikën demokratike dhe vlerat e instrumentet e demokracisë, për
t'i çuar përpara ambiciet e tyre antidemokratike. Prandaj, sot, është përsëri
koha që jo vetëm t'i kujtojmë mendimtarët e tillë si Popper, por edhe t'i
rikthehemi leximit të tyre, për të ndikuar, kudo që mundemi, që katastrofat e
të kaluarës të mos na përsëriten.
____________
Kur
gjykatat japin vendime patriarkale në rastet kur viktima janë gratë,
politikanët nguten të mbushin portalet me gjoja indinjatën e tyre ndaj këtyre
vendimeve, ndërsa në realitet nuk bëjnë asgjë që gjykatat të jenë më të mira
dhe të çliruara nga paragjykimet gjinore. Kur ndodhë që ndonjë grua vritet apo
torturohet nga bashkëshorti i saj, prapë vrapojnë të shprehin indinjatën dhe ta
dënojnë verbalisht agresorin, por, ndërkaq, për ca vota të ndyra, nuk pushojnë
duke u servilosur pas klerikëve vahabistë, të cilët, nga mëngjesi në darkë,
predikojnë se qysh pabarazia midis burrave e grave është urdhër nga Zoti,
përfshirë edhe të drejtën e burrit për dhunë në familje. Hipokritë dhe
mashtrues!
____________
Ismail
Qemali, i cili kishte shpallur pavarësinë e Shqipërisë në vitin 1912, nuk po ia
dilte dot të ushtronte autoritetin e qeverisë së tij. Shqipëria ishte në kaos
dhe secili që kishte një trupë njerëzish të armatosur, bënte ligjin në krahinën
e tij. Që t'i jepnin fund anarkisë fuqitë europiane caktuan një princ gjerman,
i cili do të ndërtonte një qeveri të unitetit kombëtar, me qëllim stabilizimin
e shtetit shqiptar të sapo krijuar. Ismail Qemajli, i nervozuar, bëri gabimin e
tij fatal: u përfshi në komplotin e një oficeri turk, i cili përmes një puçi
ushtarak do të merrte pushtetin, do ta pengonte qeverinë e Princ Vidit dhe do
ta kthente Shqipërinë nën sovranitetin turk.Komploti dështoi dhe bashkë më të
morri fund përgjithmonë edhe karriera politike e Ismail Qemajlit.
____________
Lukunitë
e qenve e kanë pushtuar Prishtinën. Natën vonë dhe në mëngjeset e hershme
njeriu duhet të ketë shumë kujdes, sepse fare lehtë mund të bjerë viktimë e
tyre. Sidomos fëmijët të cilët tani kanë rifilluar shkollën.Këto lukuni enden
të lira nga njëri skaj i qytetit në tjetrin dhe askush nuk ka kohë të merret me
to. Madje shpesh mund t’i shohësh duke dremitur edhe në oborrin e qeverisë.
Komuna dhe qeveria ia hedhin përgjegjësinë njëra tjetrës për këtë
problem.Thuhet se qeveria ka ndarë një shumë të madhe të parave, mbi 1 milion
euro, por kush e di se ku kanë përfunduar ato para. Mbase në xhepin e ndonjë
qeni që ecë me dy këmbë.Lukunitë e qenve janë njëri nga treguesit më të
shëmtuar të një vendi të qeverisur keq!
____________
Për miqtë e filozofisë
Në
kalendarin filozofik 21 shtatori shënon vdekjen e Artur Shopenhauerit, njërit
prej mendimtarëve më të mëdhenj në historinë e filozofisë perëndimore. Ai ishte
pararendës i Niçes dhe kundërshtar i madh i dogmatikës hegeliane. Esetë e tij
kanë lënë gjurmë të mëdha në debatin filozofik dhe kulturor të botës
perëndimore.
Për
adhuruesit e aforizmave po sjell këtu tri aforizma nga thesari i madh i
mendimit të Shopenhauerit:
1.Besimi
fetar është si dashuria: nuk mund të imponohet. Si çdo përpjekje për ta
imponuar dashurinë që prodhon veç urrejtje, ashtu çdo përpjekje për ta imponuar
besimin fetar prodhon veç urrejtje dhe mosbesim.
2.
Ai që shkruan për budallenjtë, audiencën e madhe e ka të sigurtë!
3.
Një e vërtetë gjithmonë kalon nëpër tri faza : në fillim e përqeshin, pastaj e
kundërshtojnë me forcë, në fund e pranojnë si të vetëkuptueshme.
____________
Dy
miqtë e mi, Halil Matoshi dhe Nexh Spahiu, qenkan nervozu pse sot në një event
në Vushtrri flamuri kuq e zi qenka nderu më shume se flamuri i kaltër me hartë
të verdhë. Dy tregimtarët e përrallës për kombin kosovar kanë marrë përsipër të
fshijnë memorien historike të Kosovës, në emër të një projekti të shpifur
multietnik, në cilin as vetë Europa më nuk beson.
Për
kënaqësinë time, tuajën dhe për t'i bërë edhe pak nervozë dy miqtë e mi, po ua
sjell hymnin e flamurit të shkruar nga
Noli:
O
Flamur gjak, o flamur shkabë,
O
vënd e vatër o nënë e babë,
Lagur
me lot, djegur me flakë,
Flamur
i kuq, flamur i zi.
Fortesë
shkëmbi tmerr tirani,
S'të
trëmb Romani, as Venecjani,
As
Sërb Dushani, as Turk Sulltani,
Flamur
i madh për Vegjëli
Flamur
që lindi Shën Kostandinin,
Pajton
Islamin e Krishtërimin,
Çpall
midis feve vllazërimin,
Flamur
bujar për Njerëzi.
Me
Skënderben' u-lavdërove
Dhe
në furtun' i funtmi u-shove,
Me
Malon prapë lart vrapove,
Yll
i pavdekur për Liri.
Sa
shpesh pastaj për-dhe u-shtrive
Me
zjarr e zi u-ndeze u-nxive,
Po
çdo mizor me shpat' e grive,
O
fushë-kuq, o shkabë-zi.
Përpjetë
prije Shqipërinë,
Përlindja
shpirtin dhe fuqinë,
Diell
për vllanë, yrnek për fqinë
Për
botën ëndr' e qjell i ri.