Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Rrëfimi madhështor për Brahim Ahmet Delinë
E premte, 25.12.2020, 11:48 AM
Kanuni i Lekës dhe ligjet e luftës
Rrëfimi
madhështor për Brahim Ahmet Delinë
Nga
Blerim Latifi
Ky
është një rrëfim të cilën po e ndajë për herë të parë me ju miqtë e mi në
facebook. Është një rrëfim që tregon aq shumë për sjelljen tradicionale të
shqiptarëve në kohë luftërash. Ajo ka të bëjë me ngjarjet e Luftës së Dytë
Botërore. Ishte viti 1942. Sulmet që njësitë ushtarake të çetnikëve të Drazha
Mihajloviqit kishin filluar t’i bënin herë pas here në kufijtë veriorë të
Kosovës, kishin nxitur një mobilizim të madh të forcave vullnetare shqiptare
për t’iu kundërvënë këtyre sulmeve. Në krye të këtyre forcave ishin vënë
njerëzit që gëzonin autoritet të madh në fshatrat dhe rajonet e tyre. Urdhëri
ishte që secili fshat të dërgonte njësitë e tij të armatosura në veri. Në krye
të batalionit të Prekazit u vendos Brahim Ahmeti, djali më i ri i Ahmet Delisë,
i cili kishte rënë në përpjekje me ushtarët serbë derisa po e mbronte fshatin e
tij nga sulmi i tyre, si sot 108 vjet më parë, me 25 dhjetor të vitit 1912.
Forcat vullnetare shqiptare ia dolën shpejt t’i zmbrapsin çetnikët e
Mihajloviqit dhe madje të depërtojnë thellë në territore të banuara me
popullatë serbe në rajonin e Kolashinit e Sanxhakut të Novi Pazarit. Një ditë
batalioni i Brahim Ahmetit hyri në njërin prej fshatrave serbe. E gjithë
popullata kishte marrë arratinë. Vetëm një grua me dy fëmijë të saj nuk kishte
arritur të largohej. Arsyeja ishte se njëri nga fëmijët e saj ishte i
palevizshëm. E frikësuar se luftëtarët shqiptarë do ta përdhunonin e vrisnin
bashkë me dy fëmijët e saj, gruaja vrapoi t’i binte në gjunj komandantit të
batalionit. Duke u dridhur i tha atij : Me mua boni çfarë të doni, veç fëmijët
mos m’i vrisni! Brahim Ahmeti ia ktheu : Çohu n’kambë! Askush nuk guxon me të
prekë as ty as fmitë e tu. Shko në shpi e na gatuaj diçka se jemi të kputun nga
uria. E befasuar nga fjalët e Brahim Ahmetit, gruaja serbe vrapoi në shtëpi për
t’u gatuar ushqime luftëtarëve shqiptarë. Të nesërmen batalioni morri urdhër
për t’u larguar nga fshati. Derisa batalioni po bëhej gati për marshim, gruaja
serbe iu drejtua Brahim Ahmetit me fjalët : Çka të bëjë unë e zeza nëse vijnë
luftëtarë të tjerë e nuk sillen me mua kshtu si ju? Brahim Ahmeti ia ktheu :
Pasiqë kemi ngranë bukën e shpisë tande, merre këtë shami dhe nëse ata që do të
vijnë janë shqiptarë, u thuaj se këtë shami ma ka dhanë Brahim Ahmeti nga Prekazi
si shenjë se jeni në besën teme.
Pas
dy muajsh qëndrimi në frontet e luftës në Kolashin, batalioni i Prekazit morri
urdhër për t’u kthyer në Kosovë. Në hyrje të fshatit, Brahim Ahmeti shtiu pesë
herë më pushkën e tij. Kur e pyetën se pse shtiu, ai ua ktheu : Ishim në luftë
dhe po gjuaj se u kthyem nga lufta pa lanë mbrapa asnjë marre e faqe t’zezë!”.
I tillë është ligji kanunor i luftës : Fëmijët, gratë dhe të pafajshmit nuk
preken!
Vitin
e kaluar Brahim Ahmeti u nderua me Medaljen e Lirisë nga Presidenca e Kosovës.