Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Ku gjendet një histori heroizmi, aty gjendet edhe një histori tradhtie
E shtune, 19.12.2020, 06:15 PM
Blerim Latifi:
Bashkë
me dy shokë të mi po udhëtonim nëpër udhën e Kombit. Ndaluam për të pi nga një
kafe në një pompë benzine në vendin e quajtur Reps. Derisa po ndizja një cigare
më shkuan sytë tek një lapidar i vendosur aty afër rrugës.Nga larg nuk i
dalloja emrat e shkruar në të. U thash dy shokëve të mi se po shkoj të shoh
lapidarin nga afër. Në të ishin të shkruar tetë emra. Në krye të tyre ishte
emri i Dedë Gjo Lulit, prijësit të kryengritjeve antiosmane të fillimeve të
shekullit XX. Lapidari është vendosur në vendin ku në vitin 1915 Dedë Gjo Luli,
pasi ra në kurth, u zu rob nga ushtria serbe dhe, bashkë me shtatë njerëz të
tij, u vra mizorisht prej saj. Pjesë e kurthit ishin edhe grupe shqiptarësh të
cilët ishin bashkuar me ushtrinë serbe. Sipas versionit më të besueshëm ata
ishin paramilitarë të Esad Pashë Toptanit. Sidoqoftë, një gjë dihet me siguri:
në atë vend u vra një shqiptar i madh nga duar serbësh dhe shqiptarësh të
bashkuar me ta. Një rast tragjik, i përsëritur sa e sa herë në historinë tonë:
kudo ku gjendet një histori heroizmi, aty gjendet edhe një histori tradhtie.
__________
Prej
vitit 1991 jetonte maleve. Gjithë kohën ndiqej nga njësi të policisë speciale
serbe. E kishin dënuar me 20 vite burg në mungesë. Dhe kur vinin festat e
fundvitit ai gjente rastin për t'u kthyer në familje për të ngritur një dolli
urimi. Rrallë lindin njerëz të tillë në histori.