Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Historia e Trepçës e tregon më së miri historinë e gjithë Kosovës
E merkure, 13.01.2021, 06:45 PM
Blerim Latifi:
Rastësisht
në facebook e pashë një fotografi të vjetër, në të cilën tregohej koha kur
Trepça ishte në koncension të britanikëve, menjëherë pas përfundimit të Luftës
së parë Botërore.
Historia
e Trepçës e tregon më së miri historinë e gjithë Kosovës. Kur romakët e
pushtuan Kosovën, që në atë kohë quhej Dardani, ata gjetën në Trepçë një
popullatë e cila prej kohësh merrej me përpunimin e metaleve. Kësaj popullate
burimet romake të kohës i referohen si popullatë ilire. Aq shumë e kishin të
zhvilluar zotësinë metalurgjike ilirët e Trepçës, saqë perandori romak,
Trajani, i mori disa prej tyre dhe i dërgoi në minierat e Rumanisë për t’ua
mësuar këtë zotësi njerëzve që punonin në ato miniera.
Dyndjet
e sllavëve në Ballkan e shndërruan në rrënojë xehtarinë e Trepçës dhe për shumë
shekuj ajo mbeti e tillë. Vetëm në Mesjetën e vonë emri i saj nisi përsëri të
dëgjohej në Europë. Në vitin 1303 emri i saj përmendet në një shkresë të Papës
Bonifaci i VIII. Kjo tregon interesimin e madh që shtetet e asaj kohe e kishin
për Trepçën. Dëshmi e atij interesimi sot janë rrënojat e kishës saksone të
cilat ndodhen aty. Kur Ballkani u pushtua nga osmanët, Trepça përsëri ra në
letargji, sepse Perandoria Osmane ishte një strukturë politike që nuk
interesohej për prodhime industriale. Ajo mjaftohej me institucionalizimin e
plaçkitjes së drejtpërdrejtë të popullatave që i kishte nën sundim.
Pas
Luftës së Parë Botërore, serbët ua dhanë një pjesë të koncesioneve të Trepçës
kompanive britanike, ndërsa vetëm pak vite më vonë, gjermanët e shfrytëzuan
Trepçën për nevojat e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas kësaj lufte, Tito
i përzuri britanikët dhe e ktheu Trepçën në aset të rëndësishëm të ekonomisë
jugosllave, ndërsa në vitet ’90 Millosheviqi, në kuadër të planeve të tij të
spastrimit etnik të Kosovës, i përzuri të gjithë punëtorë shqiptarë nga
minierat e Trepçës. Pas luftës, më fund, pas shumë shekujsh, ajo u bë aset
kombëtar i Kosovës, por tani nuk po e dimë se çfarë të bëjmë me të. Ende nuk e
kemi një përgjigjje të qartë në pyetjen:
Trepça është vetëm histori apo ka edhe të ardhme ekonomike? Dhe këtë
përgjigjje nuk do ta kemi për aq kohë sa në Prishtinë shumica e politikanëve
interesohen vetëm për dy pyetje tjera. E para : Si të punësojnë me të njofshëm
ndonjë ndonjë familjar të vetin në Trepçë? E dyta : Si të kenë nën kontroll bordet drejtuese të
saj?