Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Historia e Trepçës e tregon më së miri historinë e gjithë Kosovës

| E merkure, 13.01.2021, 06:45 PM |


Blerim Latifi:

Rastësisht në facebook e pashë një fotografi të vjetër, në të cilën tregohej koha kur Trepça ishte në koncension të britanikëve, menjëherë pas përfundimit të Luftës së parë Botërore.

Historia e Trepçës e tregon më së miri historinë e gjithë Kosovës. Kur romakët e pushtuan Kosovën, që në atë kohë quhej Dardani, ata gjetën në Trepçë një popullatë e cila prej kohësh merrej me përpunimin e metaleve. Kësaj popullate burimet romake të kohës i referohen si popullatë ilire. Aq shumë e kishin të zhvilluar zotësinë metalurgjike ilirët e Trepçës, saqë perandori romak, Trajani, i mori disa prej tyre dhe i dërgoi në minierat e Rumanisë për t’ua mësuar këtë zotësi njerëzve që punonin në ato miniera.

Dyndjet e sllavëve në Ballkan e shndërruan në rrënojë xehtarinë e Trepçës dhe për shumë shekuj ajo mbeti e tillë. Vetëm në Mesjetën e vonë emri i saj nisi përsëri të dëgjohej në Europë. Në vitin 1303 emri i saj përmendet në një shkresë të Papës Bonifaci i VIII. Kjo tregon interesimin e madh që shtetet e asaj kohe e kishin për Trepçën. Dëshmi e atij interesimi sot janë rrënojat e kishës saksone të cilat ndodhen aty. Kur Ballkani u pushtua nga osmanët, Trepça përsëri ra në letargji, sepse Perandoria Osmane ishte një strukturë politike që nuk interesohej për prodhime industriale. Ajo mjaftohej me institucionalizimin e plaçkitjes së drejtpërdrejtë të popullatave që i kishte nën sundim.

Pas Luftës së Parë Botërore, serbët ua dhanë një pjesë të koncesioneve të Trepçës kompanive britanike, ndërsa vetëm pak vite më vonë, gjermanët e shfrytëzuan Trepçën për nevojat e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas kësaj lufte, Tito i përzuri britanikët dhe e ktheu Trepçën në aset të rëndësishëm të ekonomisë jugosllave, ndërsa në vitet ’90 Millosheviqi, në kuadër të planeve të tij të spastrimit etnik të Kosovës, i përzuri të gjithë punëtorë shqiptarë nga minierat e Trepçës. Pas luftës, më fund, pas shumë shekujsh, ajo u bë aset kombëtar i Kosovës, por tani nuk po e dimë se çfarë të bëjmë me të. Ende nuk e kemi një përgjigjje të qartë në pyetjen:  Trepça është vetëm histori apo ka edhe të ardhme ekonomike? Dhe këtë përgjigjje nuk do ta kemi për aq kohë sa në Prishtinë shumica e politikanëve interesohen vetëm për dy pyetje tjera. E para : Si të punësojnë me të njofshëm ndonjë ndonjë familjar të vetin në Trepçë? E dyta :  Si të kenë nën kontroll bordet drejtuese të saj?