Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Kujtesa kombëtare
E marte, 06.04.2021, 08:33 PM
Kujtesa
kombëtare
Nga
Blerim Latifi
Kur
ranë kështjellat e fundit shqiptare, Kruja, Lezha e Shkodra, bashkë me to ra
edhe flamuri kuq e zi me shqiponjën në mes. Shqiptarët që kaluan detin për t’u
ngulitur në tokat e Italisë e morën me vete sa për ta mbajtur si kujtim plot
dhimbje të atdheut, të cilin e kishin humbur përgjithmonë. Shqiptarët që mbetën
në atdhe e fshehën atë në bodrume kishash e mure kullash. Kronikanët e huaj që
e kishin pikturuar në librat e tyre dhe në relacionet diplomatike, me kalimin e
kohës vdiqën dhe dëshmitë e tyre u mbyllën në arkivat e Evropës, mbi të cilët
shekujt shtresuan pluhurin e harresës. 432 vjet më vonë, si një i ringjallur
pas shekujsh heshtje e harrese, ky flamur u shfaq përsëri, pikërisht në ato
male ku kishte valuar për herë të fundit, shekuj më parë. Dhe kjo ndodhi me 6
prill të vitit 1911, në Kryengritjen e Malësisë, të drejtuar nga prijësi legjendar
i Hotit, Dedë Gjo Luli. Shqiptarët ia kishin dalë t’i mbijetonin zhdukjes
etnike ; stuhia e gjatë osmane nuk i’a kishte dalë t’i shkulë rrënjët e tyre.