Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Kujtesa kombëtare

| E marte, 06.04.2021, 07:33 PM |


Kujtesa kombëtare

Nga Blerim Latifi

Kur ranë kështjellat e fundit shqiptare, Kruja, Lezha e Shkodra, bashkë me to ra edhe flamuri kuq e zi me shqiponjën në mes. Shqiptarët që kaluan detin për t’u ngulitur në tokat e Italisë e morën me vete sa për ta mbajtur si kujtim plot dhimbje të atdheut, të cilin e kishin humbur përgjithmonë. Shqiptarët që mbetën në atdhe e fshehën atë në bodrume kishash e mure kullash. Kronikanët e huaj që e kishin pikturuar në librat e tyre dhe në relacionet diplomatike, me kalimin e kohës vdiqën dhe dëshmitë e tyre u mbyllën në arkivat e Evropës, mbi të cilët shekujt shtresuan pluhurin e harresës. 432 vjet më vonë, si një i ringjallur pas shekujsh heshtje e harrese, ky flamur u shfaq përsëri, pikërisht në ato male ku kishte valuar për herë të fundit, shekuj më parë. Dhe kjo ndodhi me 6 prill të vitit 1911, në Kryengritjen e Malësisë, të drejtuar nga prijësi legjendar i Hotit, Dedë Gjo Luli. Shqiptarët ia kishin dalë t’i mbijetonin zhdukjes etnike ; stuhia e gjatë osmane nuk i’a kishte dalë t’i shkulë rrënjët e tyre.